English

Basha: Më 9 mars, konkursi për projektin e bulevardit të Tiranës

Kryetari i Bashkisë së Tiranës zhvilloi ka zhvilluar para pak ditësh një bashkëbisedim me organizatën “Biznes Albania”. Në këtë takim anëtarët e kësaj shoqate kanë prezantuar kërkesat dhe sugjerimet e tyre përpara kryetarit të Bashkisë së Tiranës me qëllim përmirësimin e klimës dhe lehtësimi i kushteve për bizneset në Tiranë. Zoti Basha bëri të ditur se zhvillimi ekonomik dhe punësimi mbetet prioritet i punës së administratës së re të Bashkisë së Tiranës.

Një nga problemet më shqetësues ka qënë çeshtja e hipotekimeve, e cila sipas Bashës është çështje drejtësie dhe “ kapital jo i pakët që llogaritet nga ekspertët e pavarur deri në 700 milionë euro, edhe ky injeksion kapitali do të përkthehet në punësim të qytetarëve të Tiranës, ndaj edhe Bashkia ditë e natë do të punojë që kjo të përfundojë sa më parë dhe asnjë objekt me leje nga Bashkia e Tiranës nuk do të mbetet pa hipotekuar, sado e vështirë të jetë situata, edhe sikur të na duhet t’i kërkojmë qeverisjes qendrore, të bëjë ndërhyrje në legjislacionin kombëtar dhe kjo të përfundojë doemos brenda 2012”.

Zoti Basha bëri të ditur se biznesi dhe qytetarët do të jenë pjesë jo vetëm e konsultimit por edhe e vendimarrjes së planit urbanisitik të Tiranës.

“Pothuajse gjysma e grupit strategjik përbëhet nga përfaqësues të biznesit, ashtu siç ata janë pjesë e konsultimeve periodike, ashtu ju do të keni shansin individualisht, por edhe me bizneset që ju përfaqësoni, të cilat kam pasur rastin t’i takoj edhe gjatë fushatës, jo vetëm të thoni mendimin tuaj, por edhe të jeni pjesë e vendimarrjes. Një plan urbanistik pa konsensusin sa më të gjerë dhe konsultimin sa më të plotë të biznesit është i pavlerë”, tha Basha.
Kryetari i Bashkisë së Tiranës Lulzim Basha bëri të ditur se 7 nga 20 arkitektë me njohur në botë do të paraqesin më 9 mars projektet per bulevardin e ri të Tiranës para një jurie nderkombëtare. Zoti Basha ftoi biznesin të jetë pjesë e këtij procesi, i cili do të jetë transparent.

“Më 9 mars, 7 nga 20 arkitektët më të famshëm të botës do të paraqesin projektet e tyre, para një jurie ndërkombëtare dhe në këtë mënyrë ne do të kemi një hap më afër, me përzgjedhjen e fituesit, nisjes së punës për ndërtimin e këtij aksi të rëndësishëm zhvillimi për qytetin e Tiranës, sepse përtej vlerës monumentale, urbanistike, ambientale, estetike, qytetare është një aks i fuqishëm i zhvillimit urban të Tiranës, i zhvillimit ekonomik të Tiranës”, tha Basha.
Mbrojtja e konsumatorit sipas kryetarit të Bashkisë është një prioritet i Bashkisë së Tiranës. Zoti Basha bëri të ditur nismën më të fundit të vendosjes së etiketave standarde të çmimeve të cilat do shtrihen edhe tek produkte të tjera siç është edhe buka.

“Kjo masë pikë së pari, ka si synim të mbrojë konsumatorin, por po kështu edhe konkurrencën e lirë, si mekanizimi i vetëm që ne njohim, që vendos çmimet. Besoj se këtë ka ardhur koha, ta shtrijmë edhe tek prodhuesit e bukës. Pesha e bukës të jetë pjesë e një afishimi të përhershëm dhe të kontrolluar”, tha Basha.


Fjala e plotë e Kryetarit të Bashkisë z Lulzim Basha:

“Së pari ju falenderoj për ftesën, në këtë mbledhje të bordit si dhe për gadishmërinë tuaj, që të angazhohemi në një bisedë thelbësore, mbi çështjet kryesore që preokupojnë komunitetin e biznesit të Tiranës. Dua t’ju them se kam ardhur këtu me kënaqësi, ndonëse për shkak të detyrimeve të axhendës, në gjashtë muajt e parë (shpresoj të kem mirëkuptimin tuaj), u detyruam ta shtyjmë dy herë këtë takim. Përgjegjësinë për këtë e kam tërësisht unë, jo kryetari i shoqatës, por ja tek jemi bashkarisht. Kjo është hera e parë që takohemi në fakt, me shumicën prej jush jemi takuar dhe vazhdojmë të takohemi rregullisht dhe s’ka si të jetë ndryshe, sepse vizioini i Bashkisë së Tiranës, programi i Bashkisë së Tiranës, aktiviteti i përditshëm i Bashkisë së Tiranës, në drejtimin tim ka në thelb dhe në themel vizionin e përbashkët, konsultimin e vazhdueshëm, mendimet dhe kontributet që ju keni dhënë para se unë të zgjidhesha, pas zgjedhjes dhe në vazhdimësi, gjatë punës sime si kryetar.

Mbajtja në kontakt me botën e biznesit dhe përpjekja për të ndërtuar një partneritet të ndershëm dhe të drejtë, midis Bashkisë së Tiranës dhe komunitetit të biznesit të Tiranës nuk është as luks dhe as një veprim që vjen për shkak të dashamirësisë apo qoftë edhe vizionit, është një domosdoshmëri. Në qoftë se kryeqytetin tonë, për një moment mund ta imagjinojmë si një orë, jo nga ato me quartz, por nga to mekanike, (që në fakt janë edhe më të çmuarat) atëherë që akrepat të dtregojnë në drejtimin e duhur, kohën e duhur duhet që çdo instrument, çdo pjesëz i këtij instrumenti të ndërlikuar të funksionojë dhe në këtë kuptim unë konsideroj se çdo biznes i Tiranës, çdo sipërmarrje e Tiranës, çdo organizim vullnetar i biznesit të Tiranës është një pjesë e çmuar, pa mirëfunksionimin e së cilit, nuk mund të mirëfunksionojë ky instrument kaq i rëndësishëm, që ne i themi kryeqytet i vendit, që është prodhuesi më i madh ekonomik i shqiptarëve në Ballkan.

Ju më keni dëgjuar shpesh të shpall si objektiv kryesor të Bashkisë, zhvillimin ekonomik dhe punësimin dhe unë dua të theksoj edhe njëherë, se ky nuk është një lapsus, por është një shkëputje me vullnet dhe vizion të plotë nga përshkrimi tradicional i rolit të njësive vendore, si mirëmbajtëse, si komunale apo thjesht si planifikuese urbane, apo si njësi që japin leje ndërtimi.

Dy janë objektivat e mi kryesorë në këto katër vite, në drejtim të Bashkisë së Tiranës; së pari të demostrojmë parneritet me ju, se Bashkia ka duhet të luajë rolin e vet, në zhvillimin ekonomik dhe në punësim, duke e konsideruar këtë jo thjesht si një detyrë të vetën, por si një detyrë parësore, veçanërisht për specifikat e qytetit tonë që vazhdon të rritet dhe natyrisht vazhdon të rritet edhe kërkesa për vende pune, që vazhdon të ketë një komunitet të rinjsh, që kërkojnë punë çdo vit, pasi mbarojnë shkollën e lartë, arsimin universitar dhe që duhet t’u sigurojmë bashkë me vendin e punës, edhe shanset për një jetë dinjitoze. Së dyti, modelin e një qeverisjeje, sa më afër qytetarit dhe besoj se instrumentet që ne kemi vënë në funksionim, janë prova më e mirë, me të cilin unë e marr realizimin e këtyre dy objektivave. Natyrisht, këto objektiva nuk mund të realizohen brenda gjashtë muajve dhe as brenda një apo dy vitesh.

Rruga për të kthyer faqen nga praktikat e deritanishme, në praktikat që ne dëshirojmë është e gjatë, e mundimshme dhe me kosto, por një gjë e dimë; që këtë Bashkia s’mund ta bëjë vetëm, sado vullnet të ketë Kryetari, sado mjete financiare të dedikohen në këtë drejtim, kjo është një detyrë e përbashkët, në raport me qytetarin, në raport me punëdhënësit e këtij qyteti, që jeni ju, ndaj partneriteti me ju vjen në mënyrën më të natyrshme. Nuk ka rëndësi nëse sot unë jam mik tek ju, apo nesër ju vini në dyert e Bashkisë. E rëndësishme është që ky kanal komunikimi të jetë i hapur, i pandërprerë dhe të jetë i vërtetë jo formal.

Problematikat që ju ngritët sot këtu, (me shumicën prej tyre jam i njohur) dhe siç e cekët edhe vetë në ato që përmendët, disa prej tyre edhe kanë marrë zgjidhje nëpërmjet mbështetjes së Bashkisë, nëpërmjet masave rregullatore, që nga heqja e taksave që premtova. Reduktimi i disave prej tyre dhe heqja e mbi 60 taksave dhe tarifave bashkiake, në rastin e taksës së turizmit, e çuam nga 5 në 3, sepse kaq na lejon ligji, por mund ta kishim çuar edhe më pak, sidoqoftë ky është hapi i parë, ne do të vazhdojmë në këtë drejtim. Në raport me procedurat që Bashkia ndjek në kontakt me ju, të cilat duke filluar që nga 1 shkurti nuk do t’ju marrin më kohën, durimin, energjinë dhe paratë që keni paguar deri tani, por do të disiplinohen në shërbimin me një ndalesë, duke përfshirë edhe lejen e ndërtimit, me përfundimin e Planit Urbanistik. Ne kemi një shans të madh, që duke u nisur nga përvoja pozitive e deritanishme, t’i japim një impuls tjetër, rritjes ekonomike të qytetit të Tiranës dhe ky shans vjen vetëm nëpërmjet transparencës dhe hapjes maksimale të Bashkisë ndaj biznesit. Çdo kufizim ligjor apo jo ligjor (klientelist), në çdo aspekt të marrëdhënies sonë do të dëmtonte këtë ndërmarrje dhe do të dëmtonte vetë besimin që qytetarët kanë tek kjo mundësi e madhe që ne kemi, për t’i dhënë Tiranës një shtytje të madhe të zhvillimit ekonomik dhe ndonëse kohët nuk janë të lehta, siç shikojmë rreth e qark nesh, prapë duhet të kujtojmë se në kohë shumë më të vështira për ne, ju ia keni dalë. Nuk ka arsye atëherë, pse mos t’ia dalim, nëse ju besoni në angazhimin serioz dhe të vërtetë të Bashkisë së Tiranës, timin si Kryetar, që çdo sfidë ta konsiderojmë sfidë të përbashkët dhe kjo është arsyeja se pse ne i jemi vënë me kaq përkushtim çështjeve që ju cekët sot, nga hipotekimi që natyrisht është çështje drejtësie, personat që kanë paguar duhet të marrin tapitë dhe Bashkia nuk duhet të qëndrojë si pengesë këtu, por duhet të ndihmojë me çdo kusht, por është edhe çështje kapitali, kapital jo i pakët që llogaritet nga ekspertët e pavarur deri në 700 milionë euro, injeksion të cilin nuk ka nevojë ta përkthej unë për ju, pasi ju e përktheni vetë dhe ashtu siç keni ndërtuar deri më sot përvojat tuaja, ndërmarrjet tuaja që kanë punësuar qytetarë të Tiranës, ashtu edhe ky injeksion kapitali do të përkthehet në punësim të qytetarëve të Tiranës, ndaj edhe Bashkia ditë e natë do të punojë që kjo të përfundojë sa më parë dhe asnjë objekt me leje nga Bashkia e Tiranës nuk do të mbetet pa hipotekuar, sado e vështirë të jetë situata, edhe sikur të na duhet t’i kërkojmë qeverisjes qendrore, të bëjë ndërhyrje në legjislacionin kombëtar dhe kjo të përfundojë doemos brenda 2012. Kjo është sfidë personale e imja, jo thjesht sepse kam dhënë fjalën, por sepse është një valvul jashtëzakonisht e rëndësishme për kapitalin në kryeqytet, për tregun imobiliar dhe është një provë e vetëbesimit që qyteti i Tiranës dhe biznesi i qytetit të Tiranës ka për të ardhmen.

Me këtë lidhet edhe Plani Urbanistik i cili nuk synon as t’i heqë ndokujt të drejtën, as t’i japë shanse dikujt për t’u pasuruar brenda natës, por kërkon të vendosë rregulla të qarta që i duhen më shumë se kurrë sot biznesit, për të konsoliduar atë që ka arritur dhe për të planifikuar me qetësi hapat e mëtejshëm. Qyteti vijon të rritet; 2.3% u rrit në 2010, në popullsi dhe siç e tha edhe z.Bundo kjo është një pasuri e jashtëzakonshme, një potencial i jashtëzakonshëm për zhvillimin e biznesit në çdo fushë, por kjo duhet rregulluar. Zhvillimi “kuturu” po kthehet në kosto dhe është kthyer në kosto, një shpenzim që ju duhet ta hidhni një herë, e keni hedhur 10 herë, 15 herë, për shkak të mungesës së planifikimit, prandaj plani është në interesin tonë më të mirë, por edhe në këtë plan, ashtu sikundër përfaqësuesit e ndërtuesve, arkitektëve. Dhoma e Tregtisë, pothuajse gjysma e grupit strategjik përbëhet nga përfaqësues të biznesit, ashtu siç ata janë pjesë e konsultimeve periodike, ashtu ju do të keni shansin individualisht, por edhe me bizneset që ju përfaqësoni, të cilat kam pasur rastin t’i takoj edhe gjatë fushatës, jo vetëm të thoni mendimin tuaj, por edhe të jeni pjesë e vendimarrjes. Një plan urbanistik pa konsensusin sa më të gjerë dhe konsultimin sa më të plotë të biznesit është i pavlerë.

Ky Plan Urbanistik ka si synim kryesor, jo vetëm të përmirësojë cilësinë e jetës në qytet, duke shtuar hapësirat e gjelbra, duke krijuar mundësi për investime sociale, çerdhe, kopshte, shkolla pranë lagjeve ku mungojnë, zgjerimin e rrugëve, trotuarëve dhe të gjithë çështjet e tjera që tashmë janë pjesë e refrenit të përditshëm të qytetarëve, por ta ridimensionojë fizionominë e qytetit të Tiranës, si një qytet miqësor për biznesin, me infrastrukturë që i shërben biznesit, me krijimin e mundësive ku biznesi mund të zgjerojë aktivitetin e vet dhe kësaj i vlejnë edhe investimet për të cilat u fol më parë edhe nga z.Bregasi, siç është p.sh: Konkursi i Bulevardit të ri të Tiranës. Më 9 mars, 7 nga 20 arkitektët më të famshëm të botës do të paraqesin projektet e tyre, para një jurie ndërkombëtare dhe në këtë mënyrë ne do të kemi një hap më afër, me përzgjedhjen e fituesit, nisjes së punës për ndërtimin e këtij aksi të rëndsishëm zhvillimi për qytetin e Tiranës, sepse përtej vlerës monumentale, urbanistike, ambientale, estetike, qytetare është një aks i fuqishëm i zhvillimit urban të Tiranës, i zhvillimit ekonomik të Tiranës. Pa dyshim, ju jeni të ftuar të jeni pjesë e këtij procesi, pasi do të jetë një proces transparent, ku edhe mendimi juaj, përtej mendimeve profesionale të jurisë do të ketë rëndësinë e tij.
E njëjta gjë vlen edhe për projekte të tjera madhore; Terminali i ri multimodal i pasagjerëve, i cili u përmend këtu në forma dhe mënyra të ndryshme, ose nga pikëpamja e trafikut dhe problemeve në trafik, ose nga nevoja e displinimit të trafikut ndërqytetas. Ky Terminal ka të gjithë mundësinë të ndërtohet në partneritet me biznesin shqiptar, pa përjashtuar natyrisht investitorët e huaj, sepse kapitali i huaj është dhe mbetet një domosdoshmëri e nevojë akute e tregut tonë, për këtë duhet të jemi të ndërgjegjshëm, por biznesi shqiptar, biznesi i Tiranës është i ftuar të jetë pjesë e këtij dhe projekteve të tjera të partneritetit publik-privat apo edhe thjeshtë të konçesioneve. Kanë fizibilitet të plotë. BERZH në tetor do të përfundojë plotësisht të gjithë procedurat dhe ne do të jemi gati të ulemi me ju, me Dhomën e Tregtisë së Tiranës, me Konfindustria, me këdo që do të jetë i interesuar, për t'i dhënë jetë këtij projekti që do të jetë Stacioni i Trenit, i Tramit, i autobusëve interurbanë, i furgonëve, pse jo hapësirë për një treg të ri, për një zonë biznesi e finance, 80 mijë metra katrorë të poziciouara shumë mirë, në mes të arterieve kryesore të Shqipërisë, arteries veri-jug dhe lindje –perëndim.

E njëjta gjë vlen edhe për projekte të tjera, duke përfshirë edhe ato më të sofistikuarat, si projekti i transportit, me anë të Tramit apo i konçesionimit të shërbimeve të ndryshme, që nga riciklimi dhe trajtimi me efiçencë i mbetjeve urbane, për të cilën jemi tashmë në diskutim edhe me Shoqatën e Ricikluesve e deri tek shërbimet e tjera bazë, ujësjellës-kanalizimet. Potenciali është shumë i madh, vullneti është i plotë dhe transparenca e garantuar na nevojitet nga ju që të na përgjigjeni me të njëjtin partneritet të drejtë dhe të ndershëm, sigurisht duke parë gjithmonë nga interesat tuaja, nga fizibiliteti ekonomik i atyre që do të ndërmerrni dhe duke mbrojtur atë për të cilin jemi mandatuar, interesin qytetar, interesin publik.

Unaza e Madhe, më në fund filloi, jo vetëm filloi por po mbaron një pjesë dhe së shpejti do të fillojë pjesa tjetër, në partneritet me qeverisjen qendrore. Projekti është thuajse i përfunduar, po bëjmë azhornimin për shpronësimin e pjesës nga Qendra “Kristal” deri tek Teknologjiku. Këtë vit do ta fillojmë, ndërkohë që projekti i bulevardit përfshin edhe pjesën tjetër të Unazës, 6.5 km nga Ura e Brarit tek ura e Kamzës. Këto nuk janë thjesht arterie transporti, janë mundësi të jashtëzakonshme për të rishikuar, konsoliduar, ridimensionuar bizneset tuaja dhe për të marrë pjesë në këto skema të investimeve public.

Në këtë kuadër, besoj se politikat tona të reja, që kanë në thelb transparencën, një përqasje më afër qytetarit, një parashikueshmëri më të madhe të vendimarrjes, jo vetëm që nuk shkojnë ndesh me planet tuaja të kahershme apo për të ardhmen, por i ndihmojnë ato të avancojnë më tej. Në Planin e ri Urbanistik do të ketë një decentralizim të dendësisë së ndërtimeve. Kjo do të thotë se do të ketë një decentralizim apo një shpërndarje më të mirë të shanseve për zhvillim, anembanë qytetit të Tiranës, Tiranës metropolitane, në atë koncept që e kemi diskutuar edhe në grupin strategjik, të Tiranës policentrike, pra do ju japim mundësinë, nëpërmjet zgjidhjeve që ne do të bëjmë si Bashki, bashkarisht, që investimet tuaja të mos konkurojnë në një hapësirë të ngushtë, që shanset për zhvillim të mos kufizohen në një hapsirë të ngushtë e që pastaj të sjellin bashkë me to sfida e probleme me të cilat përballemi edhe sot, por të shtrihen anembanë hapësirës së qytetit të Tiranës, të Tiranës metropolitane, duke bërë të mundur që kapitali i biznesit të demostrojë kapacitetet e tij në të gjithë sipërfaqen e qytetit të Tiranës dhe t’u pfrojë qytetarëve të Tiranës shanse për punësim, cilësi më të mirë shërbimesh dhe zhvillim uniform, anembanë qytetit, jo thjesht në të dy anët e bulevardit “Dëshmorët e Kombit”.

Këtu kërkohet jo vetëm vendimarrja jonë, por edhe kontributi juaj, sepse një pjesë eproblematikës ka ardhur si rezultat I zgjidhjeve akute, që ju jeni detyruar të bëni, për shkak të mungesës së infrastrukturës, e kam fjalën veçanërisht për kabllot, ku të gjithë kompanitë e telefonisë dhe IT-së kanë dhënë zgjidhjen që kishin ndër mend, pikërisht sepse ka munguar ky bashkërendim, por duke filluar nga bulevardi i ri, dhe pjesa e “Zogut të Parë” kundodhet linja e tensionit të lartë dhe pastaj shtrirë në mënyrë kapilare në të gjithë qytetin, kudo ku do të ndërhyjë Bashkia, do të ndërhyjë me standarte europiane, që do të thotë se ne si pjesë e investimit dhe pjesë e preventivit, gjithmonë do të llogarisim edhe rrjetin infrastrukturor elektrik dhe elektronik dixhital dhe pastaj duhet të bashkëendojmë sepse puna publike nuk mund të rrijë e hapur, për një kohë të pacaktuar. Këtu kërkohet pikërisht, që partneritetit që ne ofrojmë, t’i përgjigjeni me një partneritet të drejtë dhe të besueshëm, luajal.

Në çështjen e ushqimit dhe sigurisë ushqimore, unë dje pata një aktivitet tek tregu i Uzinës “Dinamo”, ku shpallëm për herë të parë transparencën e çmimeve, me anë të etiketave dhe personalisht pata rastin të bashkëbisedoj me një numër jo të vogël tregtarësh, nëse kjo masë shikohej si një masë positive nga ata, negative apo neutral dhe në tërësi mendimi ishte pozitiv. Kjo masë pikë së pari, ka si synim të mbrojë konsumatorin, por po kështu edhe konkurrencën e lirë, si mekanizimi I vetëm që ne njohim, që vendos çmimet. Besoj se këtë ka ardhur koha, ta shtrijmë edhe tek prodhuesit e bukës. Pesha e bukës të jetë pjesë e një afishimi të përhershëm dhe të kontrolluar. Ne nuk diktojmë çmimin, por të paktën natyrisht në fazën e parë do të kemi detyrimin që qytetarëve të Tiranës t’u bëjmë me dije, se ku vërtiten pak a shumë këto çmime, në pjesë të veçanta të qytetit, sepse fakti është që në këtë sektor, për një kohë të gjatë, si shkak i informalitetit dhe mungesës së monitorimit, ka pasur abuzime të mëdha. Ka pasur abuzime në raport me konsumatorin dhe vazhdon të ketë si dhe ka pasur abuzime në raport me informalitetin që u përmend, që favorizon një palë dhe godet një palë tjetër. Ndalem në këtë pjesë, sepse po s’u morrëm me bukën që është komoditeti numër një për tavolinën e shqiptarëve, pra tavolinën e qytetarëve të Tiranës, çfarë kredibiliteti kemi ne para qytetarëve?!

U përqëndruam tek fruta-perimet sepse ishte edhe problematika e vitit të ri, por mednoj se duhet t’I kthehemi fuqishëm dhe këtë duhet ta bëjmë në partneritet me ju, në interesin tuaj më të mirë. E njëjta gjë vlen edhe për mishin. Mungesës së thertoreve në Tiranë, duhet t’i vijë fundi. Mishi duhet të fillojë të tregtohet në parametra europianë. Ai kapacitet i vogël që ato dy thertore kanë tani, duhet të zgjerohet menjëherë. Ne si Bashki jemi gati t’i përgjigjemi çdo kërkese nga komuniteti përkatës për të investuar në këtë drejtim, sikundër mund të shikojmë edhe për mjetet tona, të destinojmë mjetet tona, por mendoj se interesi është I mjaftueshëm, që kjo të jetë një vepër e sektorit privat. Ajo që do ju garantojmë, bashkëpunimi me AMK, Policinë Bashkiake, Tatimet, është që me krijimin e infrastrukturës, paralelisht ne të ushtrojmë presionin maksimal, që delet e vicat të mos futen më në Tiranë, por të trajtohen si në çdo qytet të botës, në perferi dhe pas kësaj mishi të tregtohet pranë çdo njësie dhe kjo mund të bëhet në mënyrë të liberalizuar. Kjo nuk do të thotë që t’i japim monopolin një kompanie që të sjellë mijëra bagëti dhe të nxjerrë jashtë pune, kasapët e mishtoret e Tiranës. Kjo është e papranueshme. Në fakt, forca e këtij qyteti qëndron pikërisht tek mozaiku i ndërmarrjeve të vogla, por duke i dhënë mundësinë këtyre kapsapëve, siç e kanë kërkuar që të kryejnë veprimtarinë paraprake, parapërgatitore në ambiente të kontrolluara, ne arrijmë disa objektiva njëherësh. Së pari kontrollojmë cilësinë e mishit që futet në Tiranë , së dyti pa dyshim ulim koston.

U ndala tek kjo, për të treguar se në disa fusha kemi ngelur kaq prapa, për shkak se nuk kemi treguar konsideratën e nevojshme ndaj problemeve dhe kjo në radhë të parë për institucionin që drejtoj unë, për Bashkinë e Tiranës dhe së dyti se këtë mund ta arrijmë kaq shpejt, nëse ne bashkërendojmë, pra prania ime këtu sot nuk është as kortezi as mirësjellje dhe as akt shoqërie apo miqësie, është një domosdoshmëri e cila në thelb ka interesin qytetar, interesin public dhe besoj se këtë e kuptojmë jo vetëm ne rreth kësaj tavoline, por edhe qytetarët të cilët presin nga Bashkia e Tiranës dhe jus i punëdhënësit e Tiranës, bizneset e Tiranës, që sfidave të sotme e të nesërme t’u përgjigjemi të paktën me atë energji, vizion dhe entuziazëm, që u përgjigjët kur ishin 10 herë më të vegjël, 15 herë më të pakapitalizuar dhe 20 herë më pa përvojë, por ndërtuat me duart tuaja, një Tiranë krejtësisht të ndryshme, që tani ka ardhur koha t’I japim një impuls të ri, sepse bëhet fjalë për një Tiranë të një brezi të ri dhekjo kërkon që gjithë përvojën, kapitalin dhe vizionin që ju keni ta vini në përdorim të kësaj Tirane, Tiranës së shekullit të 21-të, Tiranës europiane dhe këtu axhendat tona jo vetëm përputhen, por bëhet fjalë për të njëjtën axhendë”

Nuk duhet të harrojmë se tregu ynë është një treg me një specifikë të veçantë. Bëhet fjalë për tregun e Republikës së Shqipërisë, por bëhet fjalë edhe për një treg që ne mund dhe duhet ta ndikojmë shumë më fuqishëm se sa ndikojmë sot, tregun shqipfolës dhe nëse ne mbetemi në kaudrin e një panairi një herë në vit është asgjë, është thjesht një kortezi. Keni 400 milionë euro potencial të pashfrytëzuar me Kosovën, që sot është volume tregtar Kosovë – Serbi. Nuk dua të bëj as patriotin retorik, as proteksionistin, por dua t’u them se është një potencial I pashfrytëzuar. Drejtoini sytë nga ky potencial, bashkërendoni me kolegët tuaj dhe shikoni se çfarë pjese të këtij bilanci tregtar mund të përmbushni ju, tani që keni edhe arteriet e komunikimit dhe mos mendoni vetëm për skema proteksioniste, mendoni edhe për skema ekspansioniste, në kuptimin e mirë të fjalës. Në këtë kuadër ju ftoj të bashkërendojmë sëbashku, dy muajt e ardhshëm të parin ndër të shumtët aktivitete që ne si Bashki e Tiranës do të nxisim për të sjellë më afër biznesin e Tiranës me biznesin e Prishtinës, Shkupit, Tetovës, të gjithë trojeve shqiptarë, të tregut shqipfolës I cili duhet të zhvillojë një afinitet më të madh për mallrat e shërbimet shqiptare, por që duhet ta bëjë sipas rregullave të tregut, jo në mënyrë proteksioiste, pasi proteksionizimi ka rezultuar i dështuar”

KOMENTE