Warning: file_get_contents(): SSL operation failed with code 1. OpenSSL Error messages: error:1416F086:SSL routines:tls_process_server_certificate:certificate verify failed in /var/www/vhosts/lajme.gen.al/httpdocs/v2/site/controllers/genel.php on line 1153

Warning: file_get_contents(): Failed to enable crypto in /var/www/vhosts/lajme.gen.al/httpdocs/v2/site/controllers/genel.php on line 1153

Warning: file_get_contents(https://www.njoftime.net/service/xml-last-ads/): failed to open stream: operation failed in /var/www/vhosts/lajme.gen.al/httpdocs/v2/site/controllers/genel.php on line 1153
Rruga e Programit të Partisë Socilaliste
English

Rruga e Programit të Partisë Socilaliste

Editoriali i Kryetarit të PS Edi Rama:


Tryeza e programit për rilindjen e sportit shqiptar ishte një befasi e pëlqyeshme. Jo vetëm për përgatitjen mbresëlënëse që kishte bërë një grup i gjerë pune mbi bazën e një komunikimi intensiv me shumë njerëz të sportit dhe të një konsultimi serioz me ekspertizën ndërkombëtare. As edhe vetëm për pjesëmarrjen e pazakontë falë ardhjes nga e gjithë Shqipëria të plot personaliteteve të botës së sportit. Por sidomos për interesimin publik që ngjalli dhe reagimet e shumta pas zhvillimit të tryezës që mesa duket u ndoq përmes ekranit e faqeve të shtypit nga shumë njerëz. Pikërisht këto reagime më shtynë të shkruaj këtë shënim edhe pse në dukje, po vetëm në dukje, tema e një programi të ri për sportin ngjan si një luks i tepërt në këto kohë të ngarkuara me debate krejt të tjera. E mbase vetë fakti që sporti është lënë krejt në harresë ka një rol përcaktues të vetin në mbingarkesën e zymtë të kësaj kohe.


Në fakt, kur bredhim me sy në të gjitha aspektet e realitetit ku jetojmë, natyrshëm mund ta gjejmë tek dekadenca tërësore e sportit, një nga arsyet themelore të dekadencës tërësore të jetës sociale në Shqipëri. Por edhe anasjelltas dekadenca tërësore e jetës sociale shoqërore në Shqipëri, është materializuar në dekadencën e sportit vit pas viti. Sporti nuk është kurrësesi vetëm kampionate, po kulturë demokratike dhe nuk ka mundësi që një vend demokratik imazhin më të parë që i vjen para syve për sportin, të ketë dhunën e përjavshme në stadiume. Sporti nuk është vetëm punë sportistësh, po kulturë qytetare dhe nuk ka mundësi që imazhi i parë që vjen në mend kur mbyll sytë për të parë në tërësi realitetin ku jetojmë, të jetë pikërisht braktisja e sportit dhe e aktivitetit fizik nga qytetarët.

Unë besoj se sporti është edhe një instrument dhe ndoshta një nga instrumentet më efikas për ta synuar Rilindjen Shqiptare që ne socialistët e progresitët aspirojmë përmes vizionit tonë të së ardhmes. Një instrument i zhvillimit individual, komunitar, kombëtar. Sporti është një instrument pa të cilin nuk mund të ketë një politikë të suksesshme të shëndetit publik dhe padyshim, zbulim i vjetër ky, ajo çka investohet për sportin është në të njëjtën kohë një kosto e ulur në përkujdesjen për shëndetin publik. Por një kosto e ulur po ashtu dhe për shëndetin e shoqërisë falë efekteve çudibërëse që ka sporti për të luftuar të gjitha ato vese që e tërheqin rininë si një makth social apo ato boshllëqe sociale ku mund të mbyten komunitete të tëra, siç ndosh sot kudo nëpër Shqipëri.

Me këtë vizion të gjerë e largpamës për sportin ne e hodhëm një hap të parë në tryezën e programit për rilindjen e sportit shqiptar dhe duam ta bëjmë këtë program pronë të të gjithë njerëzve e të sportit duke e detajuar bashkë me ta. Por jo vetëm të njerëzve të sportit, sepse një program qeverisës për sportin në kohët e sotme të Shqipërisë duhet të jetë pronë edhe e çdo prindi shqiptar që ka interes të drejtpërdrejtë që sporti qysh në nivelin shkollor të zhvillohet dhe të jetë një mundësi e re për fëmijën e tij. Të jetë së bashku me aktivitetet krijuese e me teknologjitë e reja një alternativë e re përkundër alternativave të së keqes që ofron hapësira ku fëmijët e sotëm të Shqipërisë gjenden sapo dalin nga shtëpia. Një program zhvillimi për sportin duhet të jetë pronë edhe e komunitetit të biznesit sepse s’ka pikë dyshimi që në demokraci sporti është edhe kulturë ekonomike, instrument i fuqishëm i zhvillimit ekonomik të vendit pavarësisht se në pamje të parë ky zhvillim duket se s’ka lidhje direkte me sportin.

Sporti në shkollë, sfida sportive dhe mitet sportive janë tre elementët që ne do të adresojmë fort me politikën tonë të re për sportin. Sa shumë vajza në Tiranën e në Shqipërinë e Dinamos së famshme të Kreshnik Tartarit u tërhoqën nga sporti për shkak të mitit të Ela Tases apo të Mimoza Ibrahimit? Ajo skuadër dhe ato vajza të ngjitura në majën e suksesit u bënë katalizatorë të etheve të shëndetshme të sportit në shoqëri. Sa shumë djem në Tiranë dhe në gjithë Shqipërinë u tërhoqën nga sporti për shkak të Partizanit legjendar e të mitit të Agim Fagut apo të Gaz Çaçit? Fitoret e pamundura të asaj skuadre dhe sfidat e fituara të atyre basketbollistëve përballë kolosësh të ardhur nga një planet tjeër u bënë frymëzim për mijëra e mijëra të rinj që në kohën e lirë vraponin pas një ëndrre që i ndihmonte të rriteshin të shëndetshëm e të fortë psikologjikisht. Sa shumë të tjerë djem u tërhoqën nga sporti për shkak të Jani Kaçit, Perlat Mustës apo të Foto Strakoshës që patëm nderin ta kemi tryezën tonë bashkë me Janin e madh? E kështu me radhë mund të sillja plot shembuj me efekte tejet pozitive për të ardhur në anën tjetër të medaljes, atë të braktisjes së Shqipërisë nga talentet e saj e të bjerrjes së kushedi se sa talenteve në rrugët e hiçit të sotëm të realitetit social të Shqipërisë - me efekte shkatërruese padyshim për një brez të tërë që ka mbërritur të njëzetat pa mite sportive të pranishme në mjedisin e sotëm shqiptar dhe pa një mjedis që stimulon sportin për të gjithë.

Në vitin 1991 kur rrugët u hapën dhe kur shumë talenteve iu dha mundësia që në ato rrugë të gjenin edhe rrugën e afirmimit të tyre në nivel botëror disa djem, një ndër të cilët është një kampion bote që kemi nderin ta kemi në grupin tonë të punës për programin, elbasanasi i madh Luan Shabani, u detyruan të marrin nështetësi të tjera. Pa u menduar gjatë shumëkush u kuturis t’i quajë barbarisht tradhtarë. Por në fakt tradhtarët e vërtetë ishin ata që janë edhe sot, ulur në kolltuqet e institucioneve të sportit e të qeverisë së Shqipërisë pa sy për të parë talentet që s’duan shpenzime të pamundura për të ngritur flamurin shqiptar nëpër botë. Po edhe pa mend e zemër për të kuptuar se me shumë më pak para sesa ato që bën tym paaftësia e korrupsioni marramendës mund të ngrihen këtu në Shqipëri mite sportive me efekte të mrekullueshme për mbarë rininë. Janë po ata tradhëtarë që u bënë shkak që në vitin 2011, njëzet vjetë më vonë, lejuan që një djalë tjetër shqiptar me talent të përmasave botërore, Erlis Guri, të detyrohej të merrte një tjetër nënshtetësi. Edhe pse u shfaq në Olimpiadën e Pekinit me fanellën e kombëtares së Shqipërisë dhe tregoi qartë që ishte një kampion bote i lindur, u detyrua të shkojë dhe të gjejë strehë diku tjetër, ku ngriti si kampion bote flamurin e një vendi tjetër. Shteti shqiptar, qeveria shqiptare, autoritetet përkatëse të sportit në Shqipëri nuk patën mend e as zemër për të vënë në dispozicion të atij djali fuqi e natyrës një shumë që në krahasim me shumën që shpenzohet kot nga zëri i sportit në buxhet, ishte asgjë.

Këtë anë të shëmtuar të medaljes së sportit shqiptar sot qeveria e re socialiste do ta fshijë përgjithmonë nesër. Siç do të fshijë edhe pamjet e tmerrshme të dhunës së përjavshme në sport bashkë me politikat e vjetra të dështimeve me sportin. Për të pasur një sport që të konkurojë në nivele botërore në të gjitha kulturat sportive, Shqipëria e vogël e ka të pamundur. Por për të pasur kultura sportive që kanë traditë në këtë vend dhe për të zbuluar e mirërritur talente botërore në ato kultura sportive, ne nuk do të na duhen para që nuk i kemi, por një politikë e re që na mungon prej njëzetë vjetësh.

Ne do ta kemi një politikë të re edhe për sportin, si një instrument i patjetërsueshëm për transformimin e shoqërisë, për rritjen e dinjitetit njerëzor dhe qytetar të njerëzve tanë, për forcimin e identitetit komunitar të bashkësive që jetojnë në çdo zonë të vendit dhe për vetë identitetin kombëtar të shqiptarëve. Për të cilin s’mjaftojnë disa ndeshje të ekipit kombëtar të futbollit, që edhe ai ka nevojë për një politikë të re në mbështetje në zhvillimit të sportit më të dashur të shqiptarëve. Por për këtë, një herë tjetër në rrugën e programit.

KOMENTE