Warning: file_get_contents(): SSL operation failed with code 1. OpenSSL Error messages: error:1416F086:SSL routines:tls_process_server_certificate:certificate verify failed in /var/www/vhosts/lajme.gen.al/httpdocs/v2/site/controllers/genel.php on line 1153

Warning: file_get_contents(): Failed to enable crypto in /var/www/vhosts/lajme.gen.al/httpdocs/v2/site/controllers/genel.php on line 1153

Warning: file_get_contents(https://www.njoftime.net/service/xml-last-ads/): failed to open stream: operation failed in /var/www/vhosts/lajme.gen.al/httpdocs/v2/site/controllers/genel.php on line 1153
Igli Totozani i akordon pilotëve të Bazës Ajrore në Farkë simbolin e Avokatit të Popullit
English

Igli Totozani i akordon pilotëve të Bazës Ajrore në Farkë simbolin e Avokatit të Popullit

Në paraditen e sotme, në mjediset e Bazës Ajrore të Helikopterëve në Farkë është zhvilluar një ceremoni e veçantë dhe mbresëlënëse. Avokati i Popullit, z. Igli Totozani i ka akorduar pilotëve të kësaj Baze simbolin e këtij institucioni, në shenjë mirënjohjeje dhe respekti për kontributin që ata kanë dhënë në përballimin me sukses të situatës së Emergjencave Civile në zona të ndryshme të vendit.
Në këtë ceremoni ishte i pranishëm shefi i Shtabit të Përgjithshëm të FA-së, gjeneralmajor Xhemal Gjunkshi. Z. Totozani dhe gjeneralmajor Gjunkshi u pritën nga komandanti i Forcës Ajrore, gjeneral brigade Dhori Spirollari dhe komandanti i Bazës së Ajrore të Farkës, kolonel Frederik Beltoja.
Pas ekzekutimit të Himnit Kombëtar, fjalën e hapjes së kësaj ceremonie e mbajti komandanti i Bazës, kolonel Beltoja, i cili i uroi mirëseardhjen në Bazën Ajrore Avokatit të Popullit dhe e falënderoi atë për vlerësimin që i bën punës së personelit të kësaj baze. Baza Ajrore, theksoi kolonel Beltoja, në emergjencën që sapo kaluam ka kryer 150 misione me më shumë se 200 orë fluturimi, të cilat janë kryer në kushte mjaft të vështira, me profesionalizëm dhe shpirt të lartë sakrifice.

Shefi i Shtabit të Përgjithshëm, gjeneralmajor Xhemal Gjunkshi, duke iu drejtuar pilotëve të kësaj baze në fjalën e tij të përshëndetjes theksoi se, si gjithë efektivat e FA, ju shkëlqyet në këto operacione, duke bërë të mundur që në kushte tejet të vështira të terrenit dhe motit, të realizonit misionin e ngarkuar. Kam pasur rastin të shoh, të ndjek nga afër dhe të ndjehem krenar para popullit të atyre zonave, për punën heroike të pilotëve për shpëtimin e jetëve njerëzore duke rrezikuar jetën e tyre. “Ashtu si ju, unë ndjehem krenar dhe i privilegjuar nga vlerësimet më të larta të dhëna nga banorët e prekur nga fatkeqësia natyrore, nga drejtuesit e pushtetit lokal dhe qendror, dhe sot nga Avokati i Popullit, për punën e mrekullueshme që strukturat e Forcave të Armatosura, dhe në mënyrë të veçantë ajo që ju bëtë gjatë kësaj beteje me egërsinë e natyrës, duke merituar respektin dhe besimin e tyre”, është shprehur, ndër të tjera, gjeneralmajor Gjunkshi.
Më tej, ai garantoi se FA Shqiptare do të jenë gjithnjë pranë popullit, institucioneve shtetërore e lokale, në kryerjen e detyrave të tjera të ngjashme dhe do të punojnë për ta ngritur më lart emrin e shtetit shqiptar dhe Forcave tona të Armatosura, në këtë 100-vjetor të krijimit të tyre.

Avokati i Popullit, z. Igli Totozani, duke marrë fjalën në këtë ceremoni u shpreh se, gjatë operacionit për përballimin e vështirësive të krijuara nga bllokimi nga dëbora të disa zonave në veri, verilindje dhe juglindje të vendit, në ditët e vështira të këtij viti ju keni realizuar operacione që keni shpëtuar jetë njerëzore, duke rrezikuar madje edhe jetët tuaja. Kemi ndjekur me ankth dhe kemi qenë pranë jush në operacionet e evakuimit dhe transportimit nga ajri të personave me probleme shëndetësore, të grave shtatzëna, transportin e ndihmave, etj. “Ka shumë njerëz në këtë vend që bëjnë vepra të mira për qytetarët e tij, por ju keni një veçanti të cilën unë prej kohësh e njoh: ju bëni të mirat duke heshtur, ju rrezikoni jetën tuaj në heshtje, ju tregoni një shembull të vërtetë trimërie, solidariteti me qytetarët e këtij vendi duke heshtur. Ju e realizuat me sukses këtë detyrë të vështirë, ndaj në shenjë mirënjohje dhe falenderimi për shpirtin tuaj të sakrificës, Avokati i Popullit u akordon pilotëve të Bazës së Helikopterëve të Farkës simbolin e Avokatit të Popullit”.

Avokati i Popullit, Totozani i dorëzoi komandantit të Bazës Ajrore të Farkës, kolonel Frederik Beltoja emblemën e institucionit që ai drejton, me motivacionin: “Për kontribut të veçantë në mbrojtjen e të drejtave të njeriut”.
Më pas, Avokati i Popullit, Igli Totazani dhe shefi i Shtabit të Përgjithshëm të FA-së, gjeneralmajor Xhemal Gjunkshi vizituan ambientet e Bazës Ajrore të Helikopterëve në Farkë.

KOMENTE