English

Patozi është Toma dhe njësoj si Toma ha përshesh shprehet Edi Rama

Kryeministri dha sot provën më ulëritëse të faktit se jo vetëm nuk merr dot pushtet me votë të lirë, por as mban dot pushtet pa grabitur vota edhe brenda në parlament. Ai as ka pasur as mund të ketë ndonjëherë shumicë në kutinë e votimit të fshehtë, nëse nuk e manipulon votën duke e kontrolluar atë, siç e kontrolloi sot duke bërë vetë, personalisht, rolin e Ristanit me ndihmën e Jozefinës, në rolin e Sashenkës – ndërsa Patozi është Toma dhe njësoj si Toma ha përshesh, kështu që e lëmë jashtë.

Kriza e votës së fshehtë ka kohë që ka hyrë edhe në parlament, po sot ajo shpërtheu në formën e një rrugaçërie turpëruese për parlamentin, për shoqërinë, për vetë Shqipërinë, që u diskredituan nga kryeministri dora vetë në rolin e një pengmarrësi të rëndomtë të procesit të votimit, si ata pengmarrësit e Ruzhdies apo të situatave të tjera të njohura botërisht për publikun. Sot Saliu u fut me kokë në rolin e Ristanit për të imponuar një standard të panjohur dhe të papranueshëm parlamentar, duke e kthyer votimin nga një garë në një emërim të dhunshëm; nga një zgjedhje e lirë e çdo deputeti në një zgjedhë për të gjithë deputetët e vënë në rresht përmes kërcënimit të leximit të fletës së votimit nëpërmjet shenjave; nga një proces kushtetues, mbështetur mbi rregulloren dhe praktikën parlamentare, në një proces që është shprehja më flagrante e shkeljes së Kushtetutës, rregullores së parlamentit, praktikës parlamentare dhe po ashtu shprehja më spektakolare e daljes së kryeministrit nga shinat e trurit.

Ky proces u tregoi të gjithëve se nëse Shqipëria dhe shqiptarët përpiqen me mund të shkojnë drejt Europës, Sali Berisha vazhdon t’i tërheqë mbrapa në rrugën e rrënimit të mëtejshëm. Sot kryeministri u dha të gjithëve provën më kuptimplotë të nevojës jetike që ka për ta mbajtur pushtetin e lindur nga vjedhja e votave, vetëm përmes vjedhjeve të njëpasnjëshme, deri dhe duke vjedhur votën e deputetëve e të vetë ministrave të tij përmes manipulimit të procesit të votimit.

Po t’i kishte pasur vërtet ato 71 vota që i mori pasi refuzoi votimin me dy alternativa, por pa shenja kontrolluese në fletën e votimit, kryeministrit s’do t’i duhej fare të merrte rolin e Arben Ristanit. Por sot ai hyri në sallë pa shumicë, qëndroi në sallë jo më si regjisor i manipulimeve të njohura të zgjedhjeve po si një vjedhës i rëndomtë votash, dhe doli nga salla i zhveshur edhe prej atij legjitimiteti fallto që i’a jepnin deri dje vetëm formalisht numrat në parlament. Lidhja me pahir e drejtësisë deri në qelizën e fundit është një shtysë e papërmbajtshme brenda tij, sepse një drejtësi e zgjidhur lidh atë të parin.

Lidhja me pahir e deputetëve që deri sot i kanë mbajtur në këmbë pushtetin e tij të vjedhur për të vjedhur Shqipërinë, është po ashtu një shtysë e papërmbajtshme brenda tij, sepse me deputetë të zgjidhur nga kontrolli i votës së fshehtë ai nuk mban dot më as veten në këmbë e jo më pushtetin e tij të vjedhur. Sot Saliu tregoi se pa e mbajtur parlamentin të lidhur me pahir deri në fund, ka shumë të ngjarë të mos jetë në gjendje t’i hipë si kryeministër as kalit që kemi ndërmend t’i çojmë për të shkuar në Vlorën e lënë pa rrugë, ditën e 100 vjetorit të pavarësisë. Por një kalë e siguroj se do ia bëjmë dhuratë, edhe po se mbërriti dot atë ditë si kryeministër.

KOMENTE