Warning: file_get_contents(): SSL operation failed with code 1. OpenSSL Error messages: error:1416F086:SSL routines:tls_process_server_certificate:certificate verify failed in /var/www/vhosts/lajme.gen.al/httpdocs/v2/site/controllers/genel.php on line 1153

Warning: file_get_contents(): Failed to enable crypto in /var/www/vhosts/lajme.gen.al/httpdocs/v2/site/controllers/genel.php on line 1153

Warning: file_get_contents(https://www.njoftime.net/service/xml-last-ads/): failed to open stream: operation failed in /var/www/vhosts/lajme.gen.al/httpdocs/v2/site/controllers/genel.php on line 1153
Konferenca e plotë për shtyp e Kryeministrit Berisha, në datën 17 prill
English

Konferenca e plotë për shtyp e Kryeministrit Berisha, në datën 17 prill

Në vazhdim të një praktike, sipas të cilës Kryeministri, i cili për rrethana të caktuara ka bërë ekspoze të shumta para mediave, por nuk ka pasur mundësi të marrë pyetje prej jush, unë sërish jam këtu, para jush, i hapur për të gjitha pyetjet që ju dëshironi t’i drejtoni Kryeministrit, për veprimtarinë e kësaj qeverie. Të vetmen përkujdesje që do të kërkoja të bënit do të ishte që të ndajmë limitet qeveri dhe Parti Demokratike, por që edhe ato mund t’i shkrini.
-
Pyetje: Duket se është krijuar një ngërç ri midis mazhorancës dhe Presidentit për emërimin e nënkryetarit e Këshillit të Lartë të Drejtësisë. Ka pasur sot edhe një reagim të deputetit të PD-së për këtë çështje. Çfarë komentoni keni?
-
Kryeministri Berisha: Nuk ekziston as edhe një ngërç i vetëm midis parlamentit dhe Këshillit të Lartë të Drejtësisë. Ekziston një përpjekje e re për të dhunuar Kushtetutën e vendit nga Presidenti, i cili e mbyll mandatin duke regjistruar akte rekord në historinë e një demokracie, të dhunimit dhe thyerjes së Kushtetutës, të një zotërie që në konceptin më primitiv, më rudimentar, më të prapambetur e konsideron karrigen e presidentit mbi ligjin themelor të shtetit. Pikërisht për këto arsye, Gjykata e Lartë mbeti muaj të tërë pa kryetarin e saj. Pikërisht për këtë arsye, të njëjtin fat pësoi edhe Gjykata Kushtetuese. Në këtë psikologji u shkelmua vendimi i Gjykatës Kushtetuese, që i kërkon kreut të shtetit të kooperojë me parlamentin në emërimet e tij, në mënyrë tekstuale dhe tani së fundi, i vendosur për interesa që ai i di vetë të shfrytëzojë të vetmin moment që i ka mbetur, sërish për të shkelur mbi Kushtetutën.
Kushtetuta e Shqipërisë, në nenin 167-të, stipulon me qartësinë e kristalit se KLD-ja përbëhet nga 15 vetë, nga të cilët 9 janë detyrimisht gjykatës që zgjidhen nga trupa gjyqësore e vendit. Të tjerët janë personalitete ex officio dhe resti zgjidhen nga parlamenti. Kushtetuta nuk ka lënë hapësirë që trupa gjyqësore e vendit të përfaqësohet nga 7 apo 8 vetë. Ajo është laksative, kur thotë se përfaqësohet nga 9. Kushtetuta, në frymën e saj thotë se nga këta 9 gjykatës nuk mund të zgjidhet nënkryetari. Trupës gjyqësore i ka dhënë shumicën, në mënyrë që në këtë ekzekutiv, pasi KLD-ja është qeveria e drejtësisë, ajo të ketë shumicën dhe nuk mund të ketë nënkryetarin, pasi 9 duhet të jenë 9 anëtarë, përveç matematikës së kaosit apo tjetër. 9 duhet të jenë 9! Vetvetiu del pyetja: po nënkryetari që duhet të jetë funksionar? Në frymën e Kushtetutës, nuk mund të jetë tjetër, përveçse një nga përfaqësuesit e parlamentit. Nuk mund të jetë ministri, sepse Kushtetuta nuk e lejon atë të ushtrojë asnjë funksion tjetër veç ministrit, nuk mund të jetë kryetari i Gjykatës së Lartë se Kushtetuta ka të njëjtën tagër për të. Pra, për të gjithë ata që nuk janë ose nuk bëhen analfabetë të Kushtetutës për qëllime të qarta e të paqarta, nënkryetarin, Kushtetuta e ka përcaktuar të zgjidhet nga parlamenti. Të njëjtin gjë, me të njëjtën përgjegjësi, përcakton vendimi i Gjykatës Kushtetuese i vitit 2006. Meqenëse ligjvënësi ka bërë një gabim në ligjin e KLD-së, Gjykata Kushtetuese, vendimi i së cilës është normë i barabartë me normën kushtetuese, thotë se trupa gjyqësore e vendit do të përfaqësohet në KLD nga 9 gjykatës. Pra, ka mbyllur çdo derë, dritare, frëngji, xhep apo çfarëdo që të jetë ajo. Ajo nuk ka lënë hiatuse. Por të supozojmë të kishim një boshllëk ligjor, të supozojmë se Kushtetuta nuk shprehej taksativisht për 9 gjykatës, atëherë si do të veprohej në këtë rast? Në një të drejtë tjetër, përveç kësaj, precedent është ligji. Qëkur KLD-ja është bërë me nënkryetar në këtë vend, ai ka qenë një përfaqësues i parlamentit. Kjo me Presidentin Meidani, kjo me Presidentin Moisiu, kjo me Presidentin Topi, por tani që u shkarkua nënkryetari i tij, edhe pas tre precedentësh, për qëllime obskure, primitive, të padenja për një zyrtar, do të përmbysë përcaktimin e Kushtetutës, do të përmbysë përcaktimin e vendimit të Gjykatës Kushtetuese, do të përmbysë precedentin. Ndër të tjera, pasi humbi edhe Vishën e tij, do që ta mbyllë mandatin me një akt si ky. Pra, nuk ka një përplasje midis mazhorancës dhe Presidentit, por ka një qëndrim absolutisht të papranueshëm ndaj Kushtetutës, ndaj vendimit të Gjykatës Kushtetuese, ndaj precedentit të vendit. Dua t’ju them se jo rastësisht është përfaqësuesi i parlamentit, ai që duhet të zgjidhet dhe që e ka paracaktuar Kushtetuta, përderisa ka qenë taksative për 9 gjyqtarë, përderisa e ka rikonfirmuar në mënyrë po kaq taksitive Gjykata Kushtuese. Kushtetuta mund të thoshte se nënkryetari do të zgjidhej nga këta 9 gjyqtarë, por këtë nuk e thotë se në frymën e Kushtetutës duhet të ketë check and balance dhe duhet që në këtë proces shumë të rëndësishëm të emërimeve të marrin pjesë disa faktorë. Në procesin e emërimit të gjykatësve nuk ka një praktikë unike, por ka një sens që shpërndarja e pjesëmarrjes në këtë proces - është fjala për Gjykatën e Lartë - i bën këto institucione më të balancuara, sepse natyrisht janë institucione me peshë shumë të madhe në jetën e vendit e jo vetëm këtu, por në çdo vend të botës, kanë në mënyrë të padiskutueshme influenca të ndryshme, edhe politike, pasi personalitete janë edhe ata.
Mazhoranca është e vendosur të respektojë institucionin e Presidentit të Republikës dhe zoti Topi do ta mbyllë sa i përket mazhorancës, ditë më ditë mandatin e tij. Ne respektojmë institucionet kushtetuese të vendit.
-
Pyetje: Është artikuluar nga shumë deputetë të PD-së mundësia për ndryshime në qeveri. A është koha për të bërë ndryshime në qeveri pasi në kabinetin tuaj, zoti Kryeministër, ka ministra që prej vitit 2005?
-
Kryeministri Berisha: Paraardhësit e mi e shndërruan qeverinë në një hipodrom, për të mos thënë ndryshe në një stallë hipodromi, ku i shalonin kuajt me radhë dhe i dhanë vendit 74 kryeministra, ministra, zëvendëskryeministra, sa mua më duhet kohë t’u kujtoj postet e funksionet, kur u drejtohem atyre në parlament. Unë jam i një stili tjetër dhe nuk e kam qeverinë stallë hipodromi. Kabinetet nuk janë kuaj, por janë pozicione të larta ekzekutive, për t’u ushtruar me përgjegjësinë më të madhe ligjore. I përgjigjet ligjit dhe programit të qeverisë të shpallur nga kryeministri, gjatë fushatës elektorale dhe të miratuar nga parlamenti. Është i sigurt në punën e tij dhe nuk e kërcënon as pasioni për koka turku, as grupet apo kimizmi i këtij ato atij ndaj tij. Unë besoj se ministrat dhe zyrtarët duhet të vlerësohen mbi bazën e meritës. Qeveria kaloi testin më të shkëlqyer, në muajin maj të vitit që kaloi. Ajo mori 142 mijë vota më shumë, se koalicioni i së shkuarës, e bëri Tiranën me kryetar të ri e me ekip të ri. Mbase për herë të parë, qytetarët po shohin në sheshet e tyre lule dhe bëjnë mesazhe se nuk ju besohet ku janë, pasi ishin mësuar të shihnin vetëm gropa, vetëm plehra. Dua t’ju rrëfej një detaj. Javën e shkuar u bë debati për mbetjet urbane. Përfaqësuesi i PS-së, i cili, po të ishte se njeriu pasurohet për fjalën në njësi kohe, do ishte një nga të pasurit më të mëdhenj të Ballkanit, tha gjithçka, por nuk tha dot se Tirana nuk është e pastër. Kur e pyetën mbrapa, ju tha: ç’të flisja unë, u solla vërdallë katër orë dhe nuk gjeta një qoshe, të bëja një foto për t’jua sjellë këtu.
Por edhe më të forta janë poll-et. E dini si i dalin zotit Rama? Më dëshpërueset në historinë e tij. Në të gjithë karrierën e tij politike, ai nuk ka pasur kurrë polle të tilla dëshpëruese. Po jua them: 1. PS-ja del 5 pikë pas PD-së. Jo në koalicione 2. Edi Ramën e votojnë 40 përqind e socialistëve dhe Sali Berishën 90 përqind e demokratëve, pasi në to bëhet edhe studimi i pozicionit të liderit në parti dhe më e tmerrshmja, i del Lulzim Basha që e votojnë 35 përqind e socialistëve. Projektin e poll-it ia kanë bërë firma opinionesh nga më seriozet në botë, që paguhen një shumë përrallore në muaj. Dhe zoti Rama i thotë onturazhit të tij: unë nuk ju frymëzoj juve për udhëheqje, por do të bëj organizimin. Por le t’i lëmë këtu, se unë nuk merrem me poll-et, por me votat, me mendjen dhe zemrën e qytetarëve shqiptarë.
-
Pyetje: Një ditë më parë, Banka e Shqipërisë publikoi një botim, sipas të cilit, biznesi e konsumatorët mendojnë se ekonomia do të vijojë rënie. Si e komentoni këtë dhe kur do të ulen taksat që ju keni premtuar?
-
Kryeministri Berisha: Percepsioni është tjetër dhe realiteti tjetër. Ju jeni një TV i profilizuar në ekonomi dhe unë ju këshilloj të shikoni shitjet. Shitjet janë deklarata të biznesit, i cili, për hir të së vërtetës, mund të ketë tendencë t’i zvogëlojë për arsye të njohura, por kurrë t’i shtojë. Shitjet e përgjithshme në Republikën e Shqipërisë, me TVSH, pa TVSH, të të gjitha llojeve, kanë qenë me rritje dyshifrore, rreth 20-21 përqind. Nuk ka gjë më dëshmuese se këtu kemi të bëjmë me ngjitje dhe jo me rënie. Duhet të pranojmë se ka një përmirësim cilësor të vlerësimit të shitjeve, i cili sërish është nënvlerësues, pasi rëndom gjen të bëhen blerje që nuk u jepet kuponi, pra, shitje të paregjistruara. Kështu, gjykuar nga shitjet nuk ekziston rënie, por rritje.
-
Pyetje: Transporti ajror aktualisht është monopol i një kompanie shqiptare që zotëron rreth 70 përqind të këtij tregu. Çfarë do të bëjë qeveria për ta liberalizuar edhe këtë treg?
-
Kryeministri Berisha: Absolutisht, çdo kompani, e cila plotëson standardet e kërkuara për të hapur linja ajrore, është e mirëpritur të paraqesë kërkesën dhe nuk mund të pengohet nga shkaqe të tjera, përveç mosplotësimit të kushteve dhe ndër më kryesoret janë kushtet e sigurisë dhe ato financiare. Unë nuk kam dijeni se është paraqitur ndonjë kërkesë dhe është refuzuar në mënyrë të pamotivuar. Linja që thoni ju mbulon destinacionet dhe unë mund t’ju jap një shkak. Nuk është koha më e mirë e linjave të mëdha ajrore p.sh ishte Malevi, sot nuk fluturon. Mund të ketë edhe mungesë iniciativash nga linja të tjera, por ne si qeveria kemi bërë e bëjmë përpjekje të vazhdueshme që të garantojmë kalimin e linjave të tjera në aeroportin e Rinasit, pikërisht për të shtuar mundësitë e trafikut për qytetarët shqiptarë.
-
Pyetje: Zoti Kryeministër, një ditë më parë një nga mediat kosovare botoi një shkrim, sipas të cilit, shteti shqiptar bllokon qëllimisht projektin e financuar nga KfW për ndërtimin e linjës së interkonjeksionit Tiranë-Prishtinë. A mund të na shpjegoni arsyet e këtij bllokimi, tenderi i të cilit ka përfunduar një vit më parë, ndërkohë që po sipas kësaj gazete, që shkon edhe më tej, ky bllokim bëhet qëllimisht nga djali juaj, në bashkëpunim me biznesmenë serbë?
-
Kryeministri Berisha: Përsa i përket pjesës së dytë, djali im i ka dhënë përgjigje të qartë dhe e keni të botuar sot në gazetë.
Cili ishte realiteti tjetër? Kjo ishte një klithmë e radhës e mafies së dëshpëruar. Për Sali Berishën, mafia nuk ka atdhe. Atdhe i saj është shpella, ku ndan paratë e krimit. Mafia nuk ka fytyrë, por ka vetëm fytyrën e krimit. Mafia nuk ka moral, por vetëm trofetë që plaçkit. Në rastin konkret, janë përgjigjur sot qartësisht si Sipërmarrja e OST-së dhe Ministria e Financave. OST-ja ka informuar shqiptarët se oferta, për të cilën pretendon Edi Rama, është 30 përqind më e shtrenjtë, më e kushtueshme, se oferta për të cilën drejtuesi i OST-së mendon se duhet të fitojë. Po ashtu, Ministria e Financave të vendit ka informuar sot shqiptarët se nuk ka pranuar dhe nuk pranon një borxh prej 10 milionë dollarë më shumë, mbi shpatullat e shqiptarëve, për shkak të preferencave që tregojnë cilido qoftë, për një kompani e për të përjashtuar një tjetër. Ajo që di unë, është se ka pasur një ankesë në Departamentin përkatës në Këshillin e Ministrave. Departamenti ka bërë kontrollin, ka marrë vendimin dhe ia ka përcjellë autoritetit kontraktues. Po, ka një motiv politik që më është paraqitur. Punonjësit e kontrollit më informuan se u është thënë se, meqenëse firma është boshnjake dhe Bosnja nuk ka njohur Kosovën, ajo nuk mund të fitojë. Do të më falni, por kjo nuk përbënte një motiv për mua, sepse para se të nxirrej kjo arsye, firmës boshnjake i duhej thënë se për arsye se vendi yt nuk ka njohur Kosovën, nuk mund të marrësh pjesë në tender. Pra, firma e dytë, për të cilën OST-ja dhe drejtuesi i saj insiston të shpallet fituese, ka prurë një ofertë - të dyja në kushte të përafërta teknike - prej 27 milionë euro për territorin e Shqipërisë, kundrejt 36 milionë euro që është oferta e parë. Këtu çmimi lëviz me 1/3-ën dhe kush navigon në këtë 1/3, është punë tjetër. Por mafia nuk ka atdhe, nuk ka komb, nuk ka as banesë. Ka vetëm shtepa.
Kryeministri dhe qeveria e këtij vendi nuk është me ligj, autoritet kontaktues. Më parë ka qenë, por ligjet e reja e kanë përjashtuar si autoritet kontraktues. Natyrisht, qeveria, ministrat janë gardianë të interesit publik. Iniciator kryesor i kësaj linje [interkonjeksioni] është Sali Berisha dhe për këtë merrni dokumentet. Jam unë, ai që para 5 vitesh i ka kërkuar me insistim Bankës Gjermane të Zhvillimit, financimin e kësaj linje dhe u jam shumë mirënjohës. Kanë bërë studimin dhe i kam qëndruar mbrapa. Dëshirat i kam shumë të mëdha, por ligjet janë ligje. OST-ja, grupi i kontrollit që ka shkuar konstatuan se diferenca është rreth 30 përqind. Këto para vërtetë janë kredi e Bankës Gjermane të Zhvillimit, por ky është borxh, garancinë sovrane të të cilit e ka Ministria e Financave. Është kjo e fundit që firmos këtë marrëveshjeje dhe ajo nuk gjen dot asnjë motiv që me 30 përqind më shumë të pranojë të rëndojë taksapaguesit shqiptarë. Linja e interkonjeksionit do të bëhet, por mënyra e organizimit të tenderave, e vlerësimit të tyre është ligjore dhe kjo nuk mund të ketë rrugë tjetër. Sot dëgjova se u kujtua edhe ky të bëhet patriot, më së fundi dhe unë e mirëpres, por ra në grackë, i doli, notonte edhe ky tek 30 përqindëshi. Aty është pika e mjaltit. Nuk ka diskutim që linja do të bëhet, por rregullat nuk mund të thyhen se është një diferencë shumë e madhe.
-
Pyetje: Pyetja ka të bëjë me modelin e komunikimit të Kryeministrit Berisha, i cili deri dje komunikonte me kabinetin e tij ministror dhe sot me këshilltarët dhe gazetarët. Duke iu referuar modeleve te qeverisjeve atij socialist dhe tuiajin , është demonstrim respekti ndaj ministrave kjo mënyrë?

Kryeministri Berisha: Komunikimi në mbledhjen e Këshillit te Ministrave është një komunikim pa diskutim me anëtarët e kabinetit, por edhe me qytetarët shqiptare, një komunikim do të thoja i detyrueshëm, por mund të ishte edhe ndryshe, sepse Kushtetuta detyron që mbledhja të mos jetë e hapur. Në pjesën e parë, unë dua ta njoh publikun me problemet madhore të axhendës së qeverisë. Ky është qëllimi. Natyrisht, dua të theksoj se në këto ekspoze ka prapë një defekt, që nuk mund të marr pyetje nga gazetaret dhe kjo më lëndon, sepse pyetjet janë rreze transparente, po t'i cilësojmë kështu.

Këtu jam me gazetaret dhe këshilltarët, me te cilët unë si kryeministër bëj punën e përditshme, në të gjitha orët e ditës. Jam me gazetaret në mënyrë që ata të mund të më pyesin për çdo gjë që do të donin që kryeministri i tyre të ishte shprehur apo duhej të shprehej dhe unë këtë e ndiej si një detyrim, meqë jam një person publik dhe ky duhet të jetë pozicioni im.

Pyetje: Kjo pyetje ka të bëjë me situatën në Maqedoni dhe në Veri të Kosovës. Nga analizat e ndryshme profesionale rikthen here pas here taktikat e ndryshimit të kufijve, Ju e gjykoni të mundshme precipitimin e situatës deri në këtë ide? Sipas jush Tirana zyrtare ka reaguar si duhet dhe ku duhet për këto zhvillime në territoret shqiptare?

Kryeministri Berisha: Ndjek me shumëe vëmendje zhvillimet në Maqedoni. Janë zhvillime absolutisht të dënueshme, në dëm të madh të përpjekjeve të këtij vendi dhe të reformave që bën ai, por, nga ana tjetër, dua të theksoj se sipas të gjitha informacioneve, autoritetet maqedonase, në të gjitha rastet kanë bërë përpjekje dhe bëjnë përpjekje për zbatimin e ligjit. Ne kemi kontakte me autoritetet maqedonase, me forcat politike aty. Është një krim i shëmtuar vrasja e peshkatarëve, por e shëmtuar dhe e papranueshme është impostimi ose projeksioni me akuza kolektive. Autorët duhet të gjenden, të vendosen para drejtësisë, të marrin përgjigjen më të merituar dhe këtu nuk ka asnjë qëndrim tjetër. Është absolutisht në të kundërt me interesin e shumicës që këto incidente, pa u sqaruar, por edhe pasi të sqarohen, nuk mund të bëhen shkak për të nxitur konfliktualitet të marrëdhënieve ndëretnike. Qëndrimi ynë si qeveri është qëndrimi i një qeverie të qartë: paqja dhe stabiliteti i Maqedonisë është interes jetik kombëtar i shqiptarëve dhe ne nuk ndryshojmë nga ky pozicion. Qëndrimi ynë është i qartë: kufijtë aktualë janë interesi më i mirë kombëtar i shqiptarëve.

Përsa u përket zhvillimeve në veri të Kosovës kemi të bëjmë me rikthim të praktikave tipike të kohës së Milloshevicit. Dy policë të shtrirë dhe të lidhur si armiq, një akt terrorist ndaj një qytetari dhe familjes së tij. Në Serbi ka një periudhë elektorale, por kjo, absolutisht, nuk mund t'i justifikojë këto qëndrime ataviste. Ndaj uroj dhe shpresoj që marrëveshja e arritur në Bruksel të zbatohet në interesin më të mirë të Prishtinës dhe Beogradit. Vlerësoj faktin që Beogradi hoqi dorë nga zgjedhjet lokale në veri të Mitrovicës. Problemet e shqiptarëve në Preshevë, Bujanovc dhe Medvegjë janë dhe ato në përputhje me të gjithë dokumentet ndërkombëtarë, në interesin e qeverisë shqiptare. Mendoj që këto komuna meritojnë dhe do të kenë një mbështetje më të madhe nga qeveria shqiptare, në interes të zhvillimit të tyre dhe qëndrimi ynë ndaj kufijve është shumë i qartë. Ne jemi per respektimin e plote të kufijve aktualë.

Pyetje: Ju thoni që presidenti ka bërë një propozim antikushtetues për çështjen e KLD, por megjithatë lini të kuptohet që nuk do të ketë një hetim nga parlamenti. Në se presidenti nuk e tërheq propozimin në KLD ose arrin të bëjë votat për njeriun e tij në KLD, ju do ta kontestoni në rrugë ligjore vendimin e KLD?

Kryeministri Berisha: Pyetja e ka vetë përgjigjen, do të ketë shumica një nisëm për zotin Topi? Jo nuk do të ketë. Unë jam përcaktuar shumë muaj më parë se ne nuk ndërmarrim ndonjë nisëm, për arsye se janë muajt e fundit. Ai regjistroi standardet më të papranueshme në atë institucion. Aty bëhen çdo ditë mbledhje partiçke, ndoshta kanë ftuar dhe edhe ndonjërin prej jush aty. Imagjinoni ju institucionin e parë të vendit të shndërruar në një partiçkë të vogël, duke u përpjekur të krijojë mbështetës në mënyra nga më të ndryshmet. E ka një thënie Viktor Hygo “nuk njihen më flamurë, as komandantë”. Presidenca është shndërruar në selinë e një partie të vogël, por ne vendosëm që të tolerojmë dhe e garantojmë zotin Topi se deri në ditën që t'i behet ceremonia e kalimit të pushtetit do të jetë i qetë, për sa i përket kësaj mazhorance. E kërkon rregulli.

Propozimi i nënkryetarit të Këshillit të Lartë të Drejtësisë, në përputhje me ligjin e KLD-së është kompetencë e Presidenti të Republikës dhe këtu nuk ka asgjë kundër. Si do e përdorë këtë kompetencë, nuk ka asgjë për t'u habitur, është e qartë se po e përdor duke thyer Kushtetutën, por ajo që po bëjmë ne është që po i qartësojmë qytetarët. Ty të kanë dhënë një të drejtë të dalësh në atë ballkon dhe të mbash një fjalë, por, në qoftë se hidhesh nga ballkoni në tokë, është puna jote. Si të abuzosh me të drejtat e tua. Pra, nuk kemi as edhe një nisëm, veçse deklarojmë se gjithçka është në kundërshtim me frymën dhe germën e Kushtetutës. Nëse do të hidhesh, hidhu.

Pyetje: Kjo pyetje ka të bëjë me presidentin e ardhshëm. Kur ka mbetur vetëm një muaj nga fillimi i procedurës për zgjedhjen e presidentit, a ka Kryeministri Berisha apo Kryetari i Partisë Demokratike, një emër në kokë ose një listë emrash ku mund përzgjedhë mes tyre nga mazhoranca dhe ky proces votimi për presidentin do të ketë konsultime me LSI-në për emrin e maxhorannës, pra, të PD-së apo do të merrni nga zoti Meta një emër prej tij?

Kryeministri Berisha : A ka Sali Berisha ndër mend ndonjë emër? Një grup i tërë personalitetesh të shquara të PD-së mund të ulen në atë karrige dhe garantoj se e përmbushin atë detyrë, me dinjitet. Se cili do të jetë ai, do të jenë forumet dhe kryetari i partisë që do ta përcaktojnë. Pa diskutim që do të ketë konsultime me koalicionin, konsultime mund të bëhen edhe me opozitën dhe nuk e përjashtoj këtë fakt, sepse është një proces unik. Nuk mund të them se nuk do të jetë kushtetues, do të jetë patjetër i tillë, por kjo konsultimet nuk i përjashton. Në qoftë se them se do të ketë konsultime, unë nuk them hajde dëgjo atë që them unë. Aty secili do të shprehë mendimin e tij, konsultimet janë të hapura, por presidenti do të jetë një nga personalitetet e shquara të Partisë Demokratike. Tani po bëhen diskutime që të jetë pa parti, që të jetë as i majtë e as i djathë. Por kjo teori u përmbys që në zgjedhje. Ai që e reklamoi këtë, e harroi dhe nuk e përdor më këtë fjalë. Presidenti duhet të jetë politik, sepse ai nuk është post bamirësie, ai është post përfaqësimi dhe nuk ka diskutim që është post politik. Është e vërtetë që nuk ka pushtet ekzekutiv, por është e vërtetë që ka pushtet të fuqishëm në sistemin e drejtësisë. Është e vërtetë që ka të gjitha nderet e kombit, është e vërtetë që ka një seri funksionesh. Prandaj, ai duhet të jetë njeri me integritet të lart, me fibër politike, duhet të jetë patriot, atdhetar, duhet të jetë njëri me mbështetje, në mënyrë që vendi të ketë një president të suksesshëm.

Pyetje: Folët vetëm për kandidatin e PD ose të maxhorancës, ndërkohë që Kushtetuta parashikon edhe një kandidat konsensual. A e shikoni mundësinë që në një moment të caktuar të uleni edhe me opozitën për të diskutuar për këtë çështje?

Kryeministri Berisha: Opozita e beri provën, nuk ja kërkova unë, e bëri vetë dhe kur erdhi puna, në fund nuk ja mbajti të votonin. Unë e mirëprita. Solli Vishën, e zgjodhi sipas kritereve që e gjykoi vetë, por çfarë ndodhi në fund? Ata thanë të votohet pa firmë, por kjo nuk mund të ndodhte. Çdo njeri mund të ketë një vulë dosido dhe të prishë votimin. - Jo, se do tu vini bishta votave - thanë. Atëherë vendosëm për butonat. Ju lutem, a ju kujtohet ju, kur katër muaj më parë nuk preknin butonat, sepse dukeshin? Thanë që nuk është sistem i fshehtë. Atëherë, Kryetarja e Parlamentit me OSBE-në vendosi sistem të ri me një gropë të thellë që futet gjysma e dorës edhe grusht. Ata thanë jo, nuk votojmë dhe cili ishte rezultati? Na i vodhi votat - thanë. Opozita ka një problem të lindur me votat. Ajo ka frikë nga vota, sa nga asnjë gjë tjetër. E morën burrin e botës, e propozuan, e ulën në tavolinë dhe ne fund nuk votuan. Se cili do të jetë qëndrimi i tyre pas kësaj “vjedhje” që ju bë votave me votimin më të fshehtë, unë nuk e di, por prapë ne mbetemi në hapur.

Ndërhyrje e gazetarit: në se opozita do të vazhdojë me këtë qëndrim a mund ta njollosi procesin gjatë zgjedhjes së presidentit?

Kryeministri Berisha: Aq sa çe njollosi procesin që shkoi. Shqiptarët e panë që ky ishte procesi më transparent që mund të bëhej. Ju e patë, shkoi dhe kapi fletët e votimit dhe kush e bëri këtë , e beri kryetari i grupit, i cili merr urdhra vetëm nga kryetari i partisë dhe nga askush tjetër sepse e panë që do të dilnin jo me këpucë, por me çizme të kuqe nga ky votim. Tani kanë kërkuar një gjë dhe do tu plotësohet. Në komisionin e rregullores së parlamentit kanë sjellës së fundi një amendament, i cili thotë se për presidentin e republikës do të votohet me zarf. Që të jemi realist atë marrëveshje e ka përcaktuar rregullorja e Parlamentit Evropian. Bashkëpunëtorët e mi më njoftuan se ata pretendojnë se kjo është në rregulloren e PE. Nuk ka diskutim që e pranoj. Çfarëdo që të jetë në rregulloren e PE ne kemi firmosur në parlament, kemi votuar dhe do ta pranojmë. Do të sjellim nesër modalitetet e këtij votimi, u thashë që vetëm maska po kërkuan të mos pranojnë, ndërsa po kërkuan gjë tjetër të gjitha të pranohen. Urojmë që të sjellin dokumentin që e pranon, në praktikën e Parlamenti Evropian dhe ne pa diskutim që do ta pranojmë.

Pyetje: Fill pas vizitës tuaj në Afganistan, pati një seri sulmesh aty. Cili ishte mendimi juaj i parë për prezencën e Shqipërisë në Afganistan?

Kryeministri Berisha: Lidhur me Afganistanin, dua tu them vizita ishte për mua jashtëzakonisht impresionuese. Edhe njëherë gjej rastin të shpreh mirënjohjen më te thelle, komandantit të ISAF, gjeneralit Xhon Allen, ti shpreh mirënjohjen më të thellë, qeverisë turke dhe komandës së ushtrisë turke, komandës së ushtrisë amerikane, të ushtrisë italiane, sepse pa ndihmën e tyre të madhe nuk do të mund të realizoja një vizitë të plotë si ajo që realizova. Gjëja e parë që të vjen ndër mend është kur takon dhe njihesh me situatën është se ata burra dhe gra që janë aty janë heronj të vërtet, se ata përpiqen, rrezikojnë, sakrifikojnë absolutisht, jo vetëm për paqen dhe stabilitetin në Afganistan , por edhe ne Shqipëri, në SHBA, në Gjermani, në Britani, në Itali dhe kudo. Natyrisht NATO dhe forcat e sigurisë afgane kanë situatën në dorë dhe inisiativa ushtarake të organizuara në shkallë të gjerë si talebanët, Al Kaeda dhe të tjerë, aty nuk ndërmarrin dot, por ndërmarrin veprime të tjera, akte terroriste , veprime guerile, me te cilat dëmtojnë padiskutim. Kanë shkaktuar humbje të konsiderueshme në jetë të ushtarëve, të punonjësve. Në këtë aspekt këto grupe janë një rrezik i madh për paqen botërore, ndaj dhe dominimi i tyre, lufta kundër tyre është e një rëndësie shumë të madhe. Aty ka edhe një problem te dytë po kaq të rëndësishëm, problemi i dytë tmerrësisht i rëndë është droga ndaj dhe duhet të kemi parasysh se forcat e NATO-s me ne krye SHBA-të dhe forcat e sigurisë afgane me punën e tyre japin një ndihmese të jashtëzakonshme për të zvogëluar në maksimum vërshimin e lumenjve të drogës, të cilat do të vërshonin drejt Evropës, po të mos ishte NATO aty. Mbjella e drogës ishte një fenomen shumë i përhapur dhe talebanët, në tërësi, burimet e tyre financiare i krijonin me drogë. Vendet aleate të NATO-s dhe partnerët e saj në Afganistan kanë bërë një punë të shkëlqyer në ndërtimin e infrastrukturës dhe në shumë drejtime të tjera. Mund tu them vetëm një fakt, para 5-6 viteve ka patur gjithsej 1 milion nxënës, sot ka 8 milion nxënës. Ushtarakët shqiptarë janë heronj të vërtetë, kanë krijuar emrin më të mirë mes forcave aleate, janë të vendosur në Kabul me mision përgatitjen, stërvitjen dhe monitorimin e forcave afgane të sigurisë dhe të policisë afgane, janë vendosur në Herat në siguri të plotë të aeroportit dhe Gjenerali i Brigadës Garibaldi më foli me fjalët më të mira për ta, janë dy kompani që operonin me njësite italiane në një bashkëpunim të shkëlqyer. Trupat tona janë të vendosur në Kandahar, në kufirin midis Pakistanit dhe Afganistanit, në zonën e doganës dhe të zonave përreth, kufi, të cilin Presidenti Obama e ka quajtur zonën më të rrezikshme në botë për sa i përket sigurisë. Trupat e vendosur aty janë në mision luftarak dhe kryejnë në mënyrë të shkëlqyer detyrat. Misioni i tyre, si atyre që janë në kufi me fluksin që vjen nga zonat përreth, Vezikistanit dhe ato zona që janë jo të kontrolluara mirë të Pakistanit dhe të tjerët janë në një rrezik të padiskutueshëm, por i gjeta gjakftohtë të vendosur, të vetëdijshëm për misionin e tyre fisnik dhe krenar me përfaqësimin dinjitoz që i bëjnë vendit dhe kombit të tyre. Pra unë u përcjell dhe një përshëndetje të përzemërt secilit prej tyre, familjeve të tyre dhe shpreh krenarinë time dhe të shqiptarëve për misionin dhe mënyrën se si ata përmbushin këtë mision. Lidhur me largimin tim për se nuk isha të dielën aty, unë mund tu them se të dielën këtu ishte festa e Pashkëve dhe unë duhet të isha kwtu . Po të mos ishte Pashkë do të kisha qëndruar edhe të dielën atje, sepse vizita do të kishte zhvillime të tjera. Unë shkova në të gjitha vendet ku ishin trupat shqiptare, por u ktheva të nesërmen të festoja Pashkët në Tiranë

Pyetje: Gjatë takimit që patët së fundi me Partitë Popullore Evropiane, cili është garancia apo mbështetja që keni marrë nga ky grupim për sa i takon integrimit të vendit?

Kryeministri Berisha: Në Bruksel ishte një konferencë e organizuar nga grupi i PPE dhe Presidenti i saj Jozef Doll me një pjesëmarrje shumë të gjerë, siç e patë ju të përfaqësuesve të të gjitha agjencive, ambasadave, grupeve parlamentare dhe në fokus ishin zhvillimet në Shqipëri. Pa diskutim që organizmi i saj kishte si qëllim një dëshmi tw interesit të PE-së për zhvillimet në Shqipëri, por dua të theksoj se këto janë tërësisht të varura nga reformat që ne do të bëjmë. Deri tani unë vlerësoj ecurinë e tyre, pavarësisht nga disa momente që janë jashtëzakonisht të panevojshme sepse po të marrim parasysh zhvillimet e fundit, si u soll zoti Edi Rama, sikur tia kisha dhënë unë Vishën atij. Ndërkohë që unë mirëprita publikisht nismën e opozitës për të konkurruar. Natyrisht në betejë, ai që tërhiqet nuk fiton kurrë. Janë disa rregulla. Ai u tërhoq dhe një javë rresht në 5 editoriale, pasi i ka lënë dhe ciu-ciut, nga rreshti parë, në të fundit kishte tw pwrswritur fjalën vjedhje. Por çfarë vjedhje ishte ajo? Një votë me dorë të fshehur thellë në butonin e votimit.

Pyetje: Z. Kryeministër në çfarë fazë është projekti Trans-Adriatik, i cili është cilësuar si një projekt madhor për Shqipërinë?

Kryeministri Berisha: TAP-i, i cili është projekti më i madh në Evropë i kësaj kohe, është në shqyrtim e sipër. Projekti ka fizibilitetin e shkallës më të lartë, kjo është e vërteta. Disa zemër thyerje të krijuara nga vendimi i parë duket se do të jenë kalimtare, pasi TAP-it, i intereson të njëjtat vende që i interesonte edhe tek projekti i përjashtuar. Projekti i përjashtuar ishte Greqi-Itali dhe Shqipëria merrte një degë, nga Igumenica në drejtim të Vlorës. Përsëri TAP është projekt kryesisht i këtyre dy vendeve, Greqi-Itali dhe Shqipërisë. Kështu që gjithnjë e më shumë klima për TAP po ngrohet, natyrisht është një proces jo i përfunduar, një proces kompleks, por është vendimmarrja më e rëndësishme në fushën e energjisë pasi sjell drejt Evropës një burim të madh gazi që nuk ka ekzistuar. Qeveria përpiqet më te gjitha mjetet e veta dhe një gjë është e sigurt, që ne do të bëjmë gjithçka për të përmbushur çdo detyrim që rrjedh nga kalimi i këtij projekti nëpër Shqipëri.

Pyetje:-Ju rrugën e Elbasanit e keni konsideruar veprën e dytë më të rëndësishme në vend pas rrugës së Kombit, do të përfundojë kjo rrugë brenda afateve?

Kryeministri Berisha: Rruga po ecën shkëlqyer. Puna ka filluar. Inaugurimi zyrtar është çështje ditësh dhe tuneli është i Pavarësisë. Do të bëjmë një konfesion kwtu. Nëse nuk kishim të gatshëm projektin e parlamentit, këtë e kishim të gatshëm, por problemi ishte se a do të mundin që kompanitë ta finalizonin në 100 vjetor apo jo, kjo kishte pikëpyetje. Tuneli do të hapet në 100 vjetor dhe e konsideroj këtë vepër më të madhen që mund të bëhej. Natyrisht firma ka marrë porosi për të bërë projektin e ndërtimit të parlamentit.

Pyetje: Votimi më i fundit në parlament për zgjedhjen e anëtarit të KLD-së tregoi që brenda mazhorancës kishte rrjedhje votash. A ka krisje të marrëdhënieve mes PD dhe aleatit të saj LSI ?

Kryeministri Berisha: Do të kërkoja njerëzisht të mësosh një gjë. Fitorja e ngushtë apo e gjerë, e madhe apo e vogël është diamant. Në qoftë se, diamanti do të shndërrohej në eter vetëm fitore mund të ishte. Kështu që ajo ishte një fitore. A mundet që fitorja të alterojë marrëdhënie?! Fitorja vetëm përmirëson marrëdhënie. Kështu që të garantoj se koalicioni nuk ka asnjë problem, kurse ajo ishte fitore. E kemi në himn ne “nga lufta vetëm ai largohet’. Ai u largua, iku, firmosi vetë kapitullimin, z. Rama.

Pyetje: Në 19:30 Presidenti Topi ka një konferencë për shtyp ndoshta nga deklaratat që ju keni bërë. A keni një mesazh?

Kryeministri Berisha: As edhe një mesazh. No comment

Pyetje: Kanë kaluar afatet për Artan Zenelin pse nuk po e shqyrton mazhoranca këtë propozim?

Kryeministri Berisha: Kandidatura e z. Zenelaj, për të cilin unë nuk mund të bëj qoftë edhe një vërejtje të vetme, as pozitive as negative, për kandidatin, sepse do jenë procedurat parlamentare që flasin. Ajo ka ardhur në kundërshtim me normën kushtetuese të vendosur nga Gjykata Kushtetuese. Nuk ka asgjë personale me kandidatin. Jo. Por z. Topi mendon se karrigia e presidentit qëndron dhe mbi gjykatën e kushtetutën. Në e bëmë një lëshim për forca mazhore, sepse po të linim KLSH pa kryetar, si ekzekutiv do të bënim një veprim shumë të gabuar, sepse ai institucion kryesish kontrollon ekzekutivin.

Pyetje: Fakti që në të gjitha daljet tuaja publike përmendni partiçkat, që mund të ndërtohen dhe duke iu referuar ligjit elektoral i cili edhe partiçkave me një plus apo me një minus ju jep vlerën e diamantit. A është kjo një lloj kujdesjeje ndaj 2013 dhe për presidentin që PD është e vendosur ta marrë, është ky një shqetësim i arsyeshëm për fitoren ose jo në 2013?

Kryeministri Berisha: Absolutisht jo. Sepse unë përballë kam Edi Ramën, satelitët e tij nuk më lëndojnë, përkundrazi në këtë sistem elektoral del qartë se ku rrëmojnë, por një gjë është se pluralizmi është pluralizëm. Unë mbetem i përcaktuar për respektim të të gjithë spektrit të tij. Nuk kam asnjë lidhje këto. Natyrisht nuk ka ditë më të zezë për atë institucion sesa shndërrimin e tij në një partiçkë, sepse njeriu ka integritetin, ka dinjitetin, ka kurajon. Jep dorëheqjen dhe deklaron se unë do të ndërtoj partinë dhe do të ndjek karrierën politike, por nuk i bën atij institucioni atë që i bëri z. Topi. Z. Topi ka plotësisht të drejtë të përkujdeset për të ardhmen e tij politike, normale si çdo politikan, por nuk ka kurrë të drejtë të shndërrojë presidencën e vendit, KLD-në, në parti politike. Ko nuk ka ndodhur kurrë, përveçse në rekordin e tij.

KOMENTE