English

Jozefina Topalli takim me Zv.Ministrin e Jashtëm të Australisë, Richard Marles

Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli priti sot në një takim Zv/Ministrin e Jashtëm të Australisë, Richard Marles dhe delegacionin që e shoqëronte.

Duke shprehur mirëseardhjen, Kryetarja e Kuvendit dhe Zv./Ministri Marles ndanë të njëjtin mendim se kjo vizitë është një pikënisje për forcimin e marrëdhënieve midis dy vendeve si dhe nxitjen e nënshkrimit të memorandumeve e marrëveshjeve të bashkëpunimit.

“Së pari, dua t’iu them se Shqipëria është një vend shumë i bukur. Është hera e parë që vij këtu dhe impresioni është shumë pozitiv. Duke lexuar mbi të kaluarën tuaj të vështirë, jam i bindur dhe konfirmoj se ju keni lënë pas gjurmët e errëta të regjimit komunist që keni përjetuar dhe jeni në rrugën e përparimit të shpejtë.” u shpreh z. Marles. Ai tha se në Australi jeton dhe një komunitet shqiptar, i cili në vlerësimin e tij ka ndikuar në njohjen e traditave dhe kulturës shqiptare atje.

Kryetarja Jozefina Topalli njohu z.Marles me arritjet dhe reformat e suksesshme që Shqipëria ka shënuar në vitet e fundit, investimet në infrastrukturë, turizëm, dixhitalizim, e veçanërisht në fushën e ekonomisë ku dhe shprehu interesin për nxitjen e investimeve australiane në vendin tonë.

“Ne jemi në rrugën e transformimit. Shqipëria, një vend i rrethuar nga kriza, falë filozofisë së suksesshme të reformave nuk ra në recension dhe është i vetmi vend në Europë që vijon prej disa vitesh resht të shënojë rritje ekonomike. Potencialet dhe resurset shqiptare janë një mundësi reale për shndërrimin e investimeve në histori suksesi, falë dhe klimës së favorshme që qeveria shqiptare ofron në mbështetje të investitorëve të huaj” u shpreh Kryetarja e Kuvendit.

Duke vlerësuar ekspozenë e bërë nga Kryetarja e Kuvendit për performancën ekonomike të Shqipërisë, Zv/Ministri Marles tha se: “Ju keni një histori të mirë ekonomike për t’ia treguar vendeve të Europës por edhe më gjerë. Keni shumë për të thënë mbi këtë sukses dhe ky është një oportunitet për të cilin edhe investitorët australianë duhet të inkurajohen.”

Kryetarja e Kuvendit shprehu mirënjohjen për mbështetjen që Australia ka dhënë ndaj anëtarësimit të Shqipërisë në NATO duke theksuar se vendi tani është i orientuar drejt integrimit europian.

“Anëtarësimi i Shqipërisë në NATO ka qenë një proces i merituar, Shqipëria ka një kontribut të rëndësishëm në misionet e sigurisë që Aleanca ka në vende të ndryshme të botës, dhe është në të njëjtën anë të tryezës me Australinë për rolin e saj të rëndësishëm në këto misione.” tha Zv/Ministri i Jashtëm, Marles.

KOMENTE