English

Kryeministri Berisha, vizitë në Holocaust Memorial Museum

Një nga momentet mbresëlënëse të aktiviteteve të kryeministrit Berisha në SHBA, ishte edhe vizita e tij në Holocaust Memorial Museum, Washington DC, ku së bashku me bashkëshorten zonjën Liri Berisha ishte i ftuar në ceremoninë e prezantimit të filmit dokumentar “Besa”, me producente Johanna Neumann, një eveniment që zhvillohet për herë të parë në Uashington dhe vjen si akt vlerësues për kombin dhe virtytet fisnike të shqiptarëve, në kuadër të 100 vjetorit të pavarësisë.

Zonja Neumann është një nga të mbijetuarat e Holokaustit, e cila u ndihmua nga një familje shqiptare për ti shpëtuar terrorit nazist. Aktualisht zonja Neumann është punonjëse në Muzeun e Holokaustit, duke u shndërruar në këtë mënyrë në një ambasadore të promovimit të imazhit të Shqipërisë dhe të virtyteve të çmuara të shqiptarëve, besës dhe mikpritjes, të cilat u shpëtuan jetën rreth 2000 hebrenjve që u strehuan dhe u mbrojtën nga shumë familje të thjeshta shqiptare, jo vetëm në Shqipëri, por edhe në trojet shqiptare në rajon.

Në këtë ceremoni merrnin pjesë mbi 500 të pranishëm, zyrtarë të lartë qeveritarë, senatorë, kongresmenë, pjesëtare të trupit diplomatik, të ftuar dhe miq, shqiptarë të diasporës. Midis të pranishmëve merrnin pjesë edhe Zëvendës Ndihmës Sekretari i Shtetit Philip Reeker, kongresmeni Eliot Engel, ambasadori amerikan në Shqipëri Alenxander Arvizu, Ambasadori i Izraelit në SHBA etj.

Dokumentari i Neumann sjell historinë e jashtëzakonshme të mikpritjes, strehimit dhe mbrojtjes së një familjeje hebreje në Shqipëri dhe përmes saj, historinë e një kombi që hapi dyert e shpëtoi nga shfarosja qindra familjeje hebreje, gjatë Luftës së Dytë Botërore. Ky dokumentar është një prodhim i bazuar në materiale, fakte dhe dokumente arkivorë dhe dëshmitë e të mbijetuarve të Holokaustit, të cilët kaluan përmes Shqipërisë ose jetojnin në Shqipëri dhe u morën në mbrojtje, u strehuan dhe u ruajtën nga familje të thjeshta shqiptare, emrat e të cilëve sot lartësohen në piedestalin e nderit në institucionin Yad Vashem në Jeruzalem ku ndodhen të gdhendur emrat e të gjithë “ Të drejtët mes kombeve” që kanë shpëtuar hebrenjtë gjatë Luftës së Dytë Botërore.

Gjatë kësaj ceremonie e mori fjalën edhe Zëvendës Ndihmës Sekretari i Shtetit Philip Reeker, i cili përshëndeti evenimentin në emër të Sekretares se Shtetit Hilary Clinton, si dhe u përcolli të gjithë familjeve shqiptare që shpëtuan hebrenjtë përshëndetjet më të përzemërta nga Sekretarja Clinton dhe vlerësimet më të larta për këtë akt sa human dhe unik në histori.

Kryeministri Berisha i dorëzoi zonjës Neumann çmimin e mirënjohjes akorduar nga Kryetari i Bashkisë së Tiranës, zoti Lulzim Basha me motivacionin : “Zonjës Neumann, në shenjë mirënjohje për punën dhe kontributin e saj të çmuar në promovimin e virtyteve fisnike të Shqiptarëve si dhe të Besës Shqiptare për mbrojtjen dhe shpëtimin e jetëve të gjithë hebrenjve që jetuan në Shqipëri ose kërkuan strehim në Shqipëri gjatë Holokaustit”.

KOMENTE