English

Jozefina Topalli takim me gazetarët gjermanë

Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli në datën 1 maj ka pritur në takim një grup gazetarësh të mediave më të njohura në Gjermani, të cilët po zhvillojnë një tur për të njohur Shqipërinë.

Gazetarët shprehën interesin e tyre mbi funksionimin e Parlamentit, historikun e tij, debatet, diskutimet apo punën mbi ligjet, e në mënyrë të veçantë të vështirësive që vendi ka kaluar gjatë periudhës së regjimit komunist.

Duke i’u përgjigjur interesit të gazetarëve, Kryetarja e Kuvendit i njohu ata me zhvillimet më të fundit në vend, angazhimin e përbashkët të forcave politike për të çuar përpara axhendën e integrimit në Bashkimin Europian, si objektivi kryesor kombëtar i vendit.

Shqiptarët, tha Kryetarja e Kuvendit, kanë lënë pas një periudhë të vështirë, kanë përjetuar një nga regjimet më të errëta diktatoriale që Europa ka njohur.

“Sot, ne jemi të lirë dhe po ndërtojmë të ardhmen tonë në demokraci. Sfida jonë është integrimi në Bashkimin Europian. Parlamenti ka kaluar vështirësitë e tij vitet e fundit, ku opozita bojkotoi dhe bllokoi procesin e reformave integruese, por sot ka një bashkëpunim të frutshëm për të ecur përpara, për të rikuperuar kohën e humbur. Ne jemi optimistë.” tha Kryetarja e Kuvendit.

Kryetarja Jozefina Topalli u ndal gjithashtu tek performanca ekonomike e vendit ndërsa vlerësoi prezencën e shumë kompanive gjermane këtu, si shenjë pozitive e besimit që ofron Shqipëria për investitorët e huaj.

KOMENTE