English

Presidenti Topi nderon kujtimin e studentëve në universitetin Aleksander Xhuvani

Sot në mesditë, në Ditën Kombëtare të Zisë, Presidenti i Republikës, Prof. Dr. Bamir Topi, i shoqëruar nga anëtarë të Kabinetit, udhëtoi drejt Elbasanit, për të shprehur nga afër ngushëllimet dhe solidaritetin njerëzor e institucional për studentet, të cilat humbën jetën në aksidentin tragjik rrugor të Qafës së Vishës në Himarë.

Në hyrje të Universitetit “Aleksandër Xhuvani”, në prani të studentëve, pedagogëve e qytetarëve të shumtë, të mbledhur në shenjë solidariteti e nderimi, Kryetari i Shtetit u prit nga Kryetari i Bashkisë së Elbasanit, Qazim Sejdini dhe Rektori, Liman Varoshi, të cilëve u shprehu ngushëllimet më të thella për ngjarjen e rëndë, duke theksuar njëkohësisht respektin njerëzor dhe përkrahjen e plotë institucionale në këtë moment të vështirë.

Në hollin e Universitetit, ku ishin vendosur fotot e njëmbëdhjetë vajzave të reja që humbën jetën në aksidentin rrugor dhe nën tingujt e muzikës funebre, Presidenti Topi bëri homazhe duke vendosur kururora me lule e duke u përulur me respekt e nderim të veçantë për studentet, të cilat humbën jetën tragjikisht dhe në mënyrë të parakohshme.

Për mediat e shumta të pranishme, Kreu i Shtetit u shpreh: “Natyrisht, jam shumë i pikëlluar të marr pjesë në këtë ceremoni homazh për disa vajza, të cilat ikën në moshën e tyre më të mirë, falë edhe një fati tragjik. Unë dëshiroj nga zemra të jap ngushëllimet më të sinqerta për familjet, për familjarët në përgjithësi, por edhe për shoqet dhe shokët, të cilat kaluan vitet e rinisë në këtë shkollë! Padyshim, fjalët në të tilla raste nuk dalin, sepse tek njeriu dominon dhimbja.

Unë edhe njëherë dëshiroj që të përsëris urimin tim që ngjarje të tilla të mos ndodhin më, por nga ana tjetër, në situata të tilla kaq të dhimbshme vëren edhe një virtyt të jashtëzakonshëm të popullit tonë, një solidaritet të paparë, gjë që shikohet kudo! Ju faleminderit!”

KOMENTE