English

Shqipëria merr presidencën e Komitetit të Ministrave të Këshillit të Evropës

Zv.Kryeministri dhe Ministri i Punëve të Jashtme, z. Edmond Haxhinasto, mori sot simbolikisht gjatë Sesionit të 122-të Ministerial të Komitetit të Ministrave të Këshillit të Europës çelësin e drejtimit të këtij organi politik të organizatës. Për herë të parë pas 17 vjetësh anëtarësimi në KiE Shqipëria kryeson një organizatë mbarë evropiane të këtyre dimensioneve.

Në ceremoni morën përfaqësues të lartë të 47 vendeve anëtare të kësaj organizate, të cilët diskutuan mbi politikat e Këshillit të Europës ndaj rajoneve fqinje dhe kontributin e organizatës për këto demokraci të reja.

Duke hapur seancën, Sekretari britanik i Shtetit, William Hague, paraqiti arritjet dhe rezultatet e presidencës britanike të KiE, ku reforma e Gjykatës për të Drejtat e Njeriut përbënte një nga prioritetet kryesore të kësaj presidence.

Në përfundim të sesionit formal Zv.Kryeministri dhe Ministri i Punëve të Jashtme, z.Edmond Haxhinasto, mbajti një fjalë ku shpalosi prioritetet e presidencës shqiptare, që do të udhëhiqet nga motoja: Të bashkuar në diversitet. Dialogu ndërkulturor, edukimi i brezave te rinj me frymën e tolerancës dhe bashkëjetesës do të jenë në themel të prioriteteve të presidencës shqiptare.

Në cilësinë e tij si President i Komitetit të Ministrave, z. Haxhinasto informoi se periudha 6-mujore e kryesisë shqiptare do të përmbyllet në nëntor 2012 me organizimin e konferencës së nivelit të lartë mbi diversitetin në Evropë dhe dialogun ndërkulturor. Kjo ngjarje do të përkojë dhe me festimet e 100 vjetorit të Pavarësisë.

Në fjalën e tij, Zv.Kryeministri dhe Ministri i Punëve të Jashtme, z. Edmond Haxhinasto, theksoi se një prioritet tjetër i rëndësishëm i presidencës shqiptare do të jetë dimensioni i bashkëpunimit rajonal, ku një theks i veçantë do t’i vihet forcimit të standardeve të KiE në Kosovë. Kjo do të jetë një arritje jo vetëm për gjithë qytetarët e Kosovës, një arritje në rrugën e integrimeve euro-atlantike, por dhe një kontribut në drejtim të paqes e stabilitetit rajonal.

Në përfundim të takimit u zhvillua një ceremoni festive me pjesëmarrjen e delegacioneve të të gjitha vendeve anëtare, përfaqësuesve të lartë të Këshillit të Evropës dhe personaliteteve të tjera të larta nga vendi.

Zv.Kryeministri dhe Ministri i Punëve të Jashtme, z. Edmond Haxhinasto, duke iu referuar traditave bujare dhe miqësore të Shqipërisë, i dhuroi Sekretarit të Përgjithshëm të Këshillit të Evropës, z. Thobjorn Jagland, një kostum popullor tradicional shqiptar, që u vlerësua shumë nga të pranishmit. Nga ana e tij, z. Jagland, pasi shprehu mirënjohjen për këtë dhuratë me vlerë, nënvizoi rëndësinë e shkëmbimeve ndërkulturore mes vendeve të Evropës si ura lidhëse mes tyre. Më pas, z. Jagland i uroi Shqipërisë presidencë të suksesshme nën moton e saj “Të bashkuar në diversitet.”

Gjatë ceremonisë pjesëmarrësit u njohën me një pjesë të historisë shqiptare të paraqitur nëpërmjet disa objekteve të trashëgimisë kulturore shqiptare, si ikona dhe disa faqe nga Kodikët e Beratit. Kjo atmosferë festive, u shoqërua me muzikë shqiptare kënduar nga sopranoja Oriana Kurteshi, e shoqëruar në piano nga kompozitori Genc Tukiçi. Të pranishmit shijuan produktet karakteristike të kuzhinës shqiptare nga zona të ndryshme të Shqipërisë.

Në përfundim të aktiviteteve, Zv.Kryeministri dhe Ministri i Punëve të Jashtme dhe njëkohësisht Presidenti aktual i Komitetit të Ministrave të KiE, z.Edmond Haxhinasto zhvilloi një Konferencë për shtyp me Sekretarin e Përgjithshëm të KiE, z.Thorbjorn Jagland dhe Presidentin paraardhes, z.William Hague, ku siguroi se Shqipëria do të vazhdojë punën në përputhje me vijën e ndjekur më parë nga presidenca britanike duke promovuar edhe më tej vlerat e kësaj organizate.

Gjithashtu, z. Haxhinasto theksoi se Shqipëria mbështet afrimin e mëtejshëm të Këshillit të Evropës me Kosovën dhe ftoi këtë organizatë që të jetë më shumë e pranishme për të kontribuar në konsolidimin e standardeve të të drejtave të njeriut në Kosovë për të gjithë qytetarët e saj, pavarësisht përkatësisë etnike.

KOMENTE