English

Edmond Haxhinasto takon deputetë të Bundestagut gjerman

Zv.Kryeministri dhe Ministri i Punëve të Jashtme, z. Edmond Haxhinasto, priti dje në një takim një grup deputetësh të Bundestagut gjerman, anëtarë të Grupit parlamentar të miqësisë Gjermani-Evropë Juglindore, të kryesuar nga z. Peter Weiss.

Në takim u diskutua mbi marrëdhëniet shqiptaro-gjermane, ecurinë e procesit të integrimit evropian të Shqipërisë, zhvillimet politike në vend, si dhe situatën në rajon.

Ministri Haxhinasto shprehu kënaqësinë për nivelin e shkëlqyer të marrëdhënieve mes dy vendeve, si dhe progresin e arritur në këtë kuadër.

Ai vlerësoi mbështetjen e vazhdueshme të Gjermanisë për proceset integruese të Shqipërisë dhe rajonit.

Gjithashtu, Ministri Haxhinasto vlerësoi dinamikën e bashkëpunimit ndërparlamentar dhe rolin e rëndësishëm që diplomacia parlamentare luan në forcimin e marrëdhënieve mes dy vendeve.

Deputeti gjerman, z. Weiss, vlerësoi progresin e shënuar nga vendi ynë dhe inkurajoi vazhdimin e reformave në përmbushje të rekomandimeve për marrjen e statusit të vendit kandidat.

Ministri Haxhinasto informoi mbi zhvillimet politike, ecurinë e reformave në vend, zhvillimet ekonomike, në funksion të objektivit madhor: integrimit evropian të vendit.

Ai theksoi se ekziston mirëkuptimi i gjerë se përfundimi i reformës zgjedhore, asaj parlamentare dhe zgjedhja e presidentit me konsensusin më të gjerë të mundshëm, janë të domosdoshme për ecjen përpara në procesin e integrimit evropian.

Bashkëbiseduesit shkëmbyen mendime mbi zhvillimet e fundit në Kosovë dhe vende të tjera të rajonit.

Ministri Haxhinasto u ndal gjithashtu në politikën rajonale të Shqipërisë, prioritetet e Presidencës shqiptare të KiE, si dhe angazhimet tona në kuadër të organizatave të tjera ndërkombëtare, ç’ka u vlerësua nga deputeti gjerman.

KOMENTE