English

Edmond Haxhinasto merr pjesë në Sesionin e Kёshillit tё Pёrhershёm tё OSBE-sё

Zv. Kryeministri dhe Ministri i Punëve të Jashtme, z. Edmond Haxhinasto niset drejt Vjenës, ku do të marrë pjesë në Sesionin e Kёshillit tё Pёrhershёm tё OSBE-sё, që do zhvillohet në datën 14 qershor 2012. Gjatë këtij takimi, Ministri Haxhinasto, në cilësinë e Kryetarit të Komitetit të Ministrave të Këshillit të Evropës, do të mbajë një fjalë për delegacionet pjesëmarrëse të Kёshillit tё Pёrhershёm, duke parashtruar prioritetet e Kryesisë Shqiptare të KiE-së.

Gjithashtu, Zv.Kryeministri dhe Ministri i Punëve të Jashtme, z. Haxhinasto pritet të shprehë qëndrimin e tij mbi çështjen e forcimit të bashkëpunimit dhe partneritetit ndërmjet KiE-së dhe OSBE-së, si dhe të ndihmës që këto dy organizata mund të ofrojnë për fqinjët dhe partnerët në rajonin e Mesdheut, në drejtim të përballimit me sfidat aktuale dhe afatgjata të tranzicionit të tyre demokratik.

Gjatë qëndrimit në Vjenë, z. Haxhinasto do të takohet me Sekretarin e Përgjithshëm të OSBE-së, z. Lamberto Zannier. Më tej, zv.kryeministri dhe Ministri i Punëve të Jashtme, z. Haxhinasto do të zhvillojë një takim të veçantë me Zv.Kancelarin dhe Ministrin e Punëve të Jashtme të Austrisë, z. Michael Spindelegger, me të cilin do të trajtojë çështje të marrëdhënieve dypalëshe.

Zv.Kryeministri dhe Ministri i Punëve të Jashtme, z. Haxhinasto do të marrë pjesë edhe në Koncertin e organizuar nga Misioni ynë në OSBE, në kuadrin e 100 vjetorit tё Pavarёsisё sё Shqipёrisё.

KOMENTE