English

Grupi Drejtues Ndërkombëtar për Kosovën, takim për përfundimin e proçesit mbikqyrës

Grupi Drejtues Ndërkombëtar për Kosovën, do të mblidhet sot në Vjenë, për të diskutuar veprimet e fundit para përfundimit të mbikqyrjes së Pavarësisë së Kosovës.
Takimi do të vendosë që data 12 shtator të jetë data e fundit e mbylljes së këtij proçesi, që do të thotë që Kosova duhet të përfundojë miratimin e ligjeve dhe ato nene të Kushtetutës që kanë të bëjnë me përgjegjësitë e mbikëqyrësit të pavarësisë.
Parlamenti i Kosovës, miratoi javën e kaluar projektligjin për këto ndryshime.

Grupi Drejtues Ndërkombëtar për Kosovën, në takimin e 24 janarit të këtij viti, kishte shprehur vullnetin politik që brenda vitit 2012 të përmbyllet mbikëqyrja e pavarësisë.

Pas atij takimi, më 31 janar, Parlamenti i Kosovës miratoi një rezolutë, me të cilën zotohej se do t’i përmbushë të gjitha detyrimet që dalin nga plani i krye negociatorit të Kombeve të Bashkuara, Martti Ahtisaari, në bazë të të cilit është shpallur pavarësia e Kosovës.

Përmbyllja e mbikëqyrjes pritet të ndodhë, pavarësisht se plani i zotit Ahtisaari, nuk është zbatuar në tërësi, për shkak të refuzimit të serbëve në veriun e Kosovës. Shefi i grupit ndërkombëtar, Pieter Faith, tha më herët gjatë pranverës së mbikëqyrja e pavarësisë do të përfundojë brenda vitit dhe zgjidhja përfundimtare e çështjes së veriut të Kosovës, do të mbetet në duart e mekanizmave të tjerë vendas e ndërkombëtarë.

Kosova fitoi pavarësinë në shkurt të vitit 2008, ndërsa një numër shtetesh që e kanë njohur atë, përfshirë Shtetet e Bashkuara dhe vendet kryesore të Bashkimit Evropian, themeluan grupin drejtues ndërkombëtarë për Kosovën dhe vunë zotin Pieter Faith, në postin e mbikqyrësit të pavarësisë, e cila vazhdon të kundërshtohet ashpër nga Serbia.

KOMENTE