English

Shpata dhe përkrenarja e Skënderbeut vijnë në Shqipëri për 100-vjetor

Shpata dhe përkrenarja e Skënderbeut ndodhen në muzeun historik në Austri.

Por ato do të sillen në Shqipëri për t'u ekspozuar me rastin e 100-vjetorit të formimit të kombit shqiptar.

Këtë lajm e ka konfirmuar vetë Kryeministri Berisha gjatë takimit të tij me Zëvendëskancelarin dhe Ministrin e Jashtëm të Austrisë, Michael Spindelegger gjatë takimit të tyre në samitin e organizuar nëDubrovnik.

Gjithashtu, ministri i jashtëm i Austrisë bëri të ditur se Austria do të marrë pjesë në festimet e kësaj ngjarje historike, me përfaqësues të autoriteteve më të larta, si dëshmi e miqësisë dhe lidhjeve të ngushta midis të dy vendeve e popujve.

Zoti Spindelegger garantoi gjithashtu se Austria do ta mbështesë fuqishëm Shqipërinë në hapat e mëtejshme drejt integrimit evropian dhe marrjen e statusit të vendit kandidat.

Kryeministri Berisha e falënderoi përzemërsisht zëvendëskancelarin Spindelegger për të dy lajmet e mira; të ekspozimit në Shqipëri të përkrenares dhe shpatës së Skënderbeut, si edhe për përfaqësimin e Austrisë në festimet e këtij jubile, përmes autoriteteve më të larta.
Në mbyllje të takimit, Kryeministri Berisha e ftoi përzemërsisht atë në Shqipëri.

Spindelegger, duke e pritur me kënaqësi ftesën, i shprehu edhe një herë Kryeministrit, përgëzimet për arritjet e mëdha të Shqipërisë, gjatë kësaj periudhe.

KOMENTE