English

Fqinjët e Shqipërisë

Ministri i Arsimit dhe Shkencës, zoti Myqerem Tafaj, mori pjesë dje në konfererncën ndërkombëtare “Fqinjët e Shqipërisë” të organizuar në Tiranë nga Programi i Universitetit Columbia për Ndërtimin e Paqes dhe të Drejtave në Institutin për Studimin e të Drejtave të Njeriut dhe nga Qendra për Studimet Strategjike dhe Ndërkombëtare (CSIS) në Washington. Kjo konferencë mbështetet nga Bashkia e Tiranës dhe Fondacioni Vëllezërit Rockfeller, në bashkëpunim me Institutin e Studimeve Bashkëkohore ne Tirane.
Në fjalën e tij ministri Tafaj, falënderoi organizatorët dhe theksoi se tema e arsimit e përzgjedhur në këtë seancë të konferencës është ndër më të rëndësishmet, pasi arsimimi është rruga më e sigurtë për integrimin e shqiptarëve brenda tyre dhe, më tej, integrimin e tyre në familjen europiane. Kjo nënkupton, nënvizoi ministri Tafaj njehsimin e sistemeve arsimore, të kurrikulave, programeve e teksteve të shkollave si dhe të kurrikulave të përgatitjes së mësuesve. Abetarja e përbashkët është vetëm fillimi. Do të vijojmë me tekstet e tjera të përbashkëta dhe në mënyrë të veçantë ato të gjuhës shqipe dhe historisë së shqiptarve.
Më tej, Ministri Tafaj, u përqendrua tek tematika e zhvillimit të arsimit të lartë në hapësirën shqiptare në rajon. Ai nënvizoi se harta e arsimit të lartë shqiptar ka ndryshuar thellësisht. Ajo është zgjeruar dhe numri i studentëve që studiojnë sot në të gjitha trevat shqiptare është rreth 220-230 mijë, ku Tirana është qendra më e madhe universitare me rreth 100 mijë studentë, e më pas vijnë Prishtina dhe Tetova si qyteti më i ri universitar shqiptar në rajon, ndërkohë që përpara vitit 2000, nuk kishte asnjë student në këtë qytet.
Ministri Tafaj, theksoi se bashkëpunimi në fushën e arsimit të lartë duhet thelluar dhe ai duhet të jetë substancial e jo sipërfaqësor. Hapësira europiane e arsimit të lartë na krijon mundësi reale për projekte të përbashkëta, shumë më ambiciose në arsimin e lartë dhe kërkimin shkencor. Bashkëpunimi në kërkimin shkencor fillon në rradhë të parë me Albanologjinë, çka do të thotë që ne duhet të zhvillojmë më shumë projekte të përbashkëta për gjuhën, historinë dhe kulturën shqiptare dhe më pas të vazhdojmë me fushat e tjera të shkencës.
Intensifikimi i kërkimit shkencor, është parësor për përgatitjen e personelit akademik të mjaftueshëm për të përballuar mësimdhënien dhe kërkimin shkencor në sistemin e arsimit të lartë. Për të përballuar këtë numër studentësh që përmendëm më lart duhen mbi 20 mijë pedagogë dhe kërkues shkencor, ndërkohë që sot nuk kemi më shumë se 15 mijë. Sidoqoftë ky investim që është bërë në arsimin e lartë do të sjellë edhe një rritje të shpejtë të numrit të pedagogëve dhe kërkuesve shkencor. Qeveria shqiptare po zbaton dy programe për rritjen e burimeve njërëzore. Fondi i Ekselencës, i cili mbështet studimet universitare në 15 universitetet më të mira të botës dhe studimet e doktoratës. Ai është i hapur edhe për shqiptarët jashtë Shqipërisë. Programi Brain Gain i cili mbështet të rinjtë shqiptarë të shkolluar jashtë vendit, që dëshirojnë të kthehen në vend, për të kontribuar në arsimin e lartë, kërkimin shkencor, administratën publike dhe sektorët e tjerë.

KOMENTE