English

Wollfarth e cilëson një lajm të mirë, miratimin e kodit zgjedhor

Eugen Wollfarth Ambasadori i OSBE,akredituar në Tiranë ka vlerësuar duke e cilësuar një lajm shumë të mirë miratimin e kodit zgjedhor për Shqipërinë.

Në një intervistë të dhënë për Ora news ai ka dhënë komentet dhe opinionet e tij të para.
Intervista e mëposhtme jepet e plotë dhe është realizuar nga Ora News.


Z. Ambasador, një ditë më parë, komisioni për reformën zgjedhore arriti njëmarrëveshje për tri pikat që e kishin mbajtur deri në atë moment të bllokuar për mbylljen e kësaj reforme. Së pari, si e shihni ju arritjen e konsensusit mes dy palëve të mëdha dhe sa mendoni se do ta ndihmojë ky konsensus dhe përmbyllja e kësaj reforme Shqipërinë në procesin integrues drejt Bashkimit Evropian?

Ambasadori Wollfarth: Marrëveshja e komisionit të posaçëm parlamentar vjen në fund të një procesi të gjatë, të thellë dhe shumë të rëndësishëm negociatash, dhe është një hap i madh përpara. Jam shumë i kënaqur për këtë lajm. Tani mesa kuptoj duhet finalizuar dhe duhen kryer disa procedura të mëtejshme në Parlament, shpresojmë brenda javës së ardhshme në mënyrë që të merret më në fund një vendim zyrtar në seancë plenare. Është lajm shumë i mirë, një lajm shumë i rëndësishëm për këtë vend. Së pari është shumë i rëndësishëm për vetë Shqipërinë, sepse do të thotë që kur të zbatohet si duhet zgjedhjet e ardhshme do të jenë më të sigurta; do të jenë të lira, dhe do të kenë një shkallë më të madhe, shumë e rëndësishme kjo, ndershmërie. Mbi të gjitha, nëse gjithçka shkon mirë, fituesi është Shqipëria. Më pyetët gjithashtu për procesin e integrimit. E dini, nga pikëpamja e OSBE-së, do të ishte në rregull thjesht duke parë reformën e Kodit Zgjedhor, por kur e vendosni në kontekstin e integrimit evropian, edhe nga pikëpamja jonë gjithashtu do ta shihnim si një hap të rëndësishëm, por padyshim është e rëndësishme që dhe nga ana e OSBE-së të theksohet po aq nevoja për të ndërmarrë hapa të tjerë në pika të tjera të reformave. Më lejoni thjesht të përmend rregulloren e Kuvendit, ose në përgjithësi reformën parlamentare, apo reformën gjyqësore, dhe çështje të tjera me rëndësi të madhe brenda mandatit tonë si Prezenca e OSBE-së në Shqipëri, apo në aspektin e integrimit evropian. Perceptuam gjithashtu edhe mesazhe të rëndësishme që vijnë nga Brukseli, duke vënë re përparimin e arritur dje në këtë marrëveshje themelore për një Kod Zgjedhor të ri apo të ndryshuar, dhe këtë e shoh si një kompliment, siç e kam parë dhe më parë, për deputetët dhe ekspertët që punuan në atë komision. Është bërë punë shumë e rëndësishme, punë cilësore, punë intensive, dhe siç duket, në fund, punë e suksesshme. Prandaj në këtë aspekt jam shumë i kënaqur për këtë lajm të rëndësishëm.

A ishte arritja e kësaj marrëveshjeje edhe falë një imponimi dhe një ndërhyrjeje më të fortë të faktorit ndërkombëtar, siç është komentuar gjerë në media? Ndoshta në këtë rast një nga faktorët ndërkombëtarë më adapt dhe më afër gjithë procesit ka qenë OSBE/ODIHR.

Ambasadori Wollfarth: Faleminderit për mirësjelljen dhe që vini re rolin tonë, Klementina, dhe në këtë kontekst unë jam përpjekur vërtet që ta drejtoj vëmendjen e politikanëve, por edhe të opinionit publik, të votuesve, tek nevoja për të ecur përpara në vend. Edhe të tjerët kanë bërë të njëjtën gjë, partnerët nga BE-ja, partnerët nga SHBA-të, dhe nga një numër vendesh të tjera të përfaqësuara të gjitha këtu bashkë, përfshirë Këshillin e Evropës. Prandaj në këtë drejtim ishte gjithashtu një punë ekipi, që të përcillnim mesazhet e duhura për aktorët vendas këtu, për partnerët tanë shqiptarë, sesi të lëviznin. Një rol tejet të rëndësishëm që unë do të shihja brenda familjes së OSBE-së është roli i ODIHR-it në dhënien e këshillave eksperte bazuar në një përvojë të gjerë në atë që si duhet zhvilluar në realitet një Kod Zgjedhor që të jetë i përshtatshëm për të ardhmen e Shqipërisë, e cila këtë vit mbush 100 vjeç, vitin tjetër 101. Kështu që në fund është një punë ekipi, ndërsa OSBE-ja luan një rol shumë të rëndësishëm. Por më lejoni të ndalem edhe një herë tek ajo që thashë më parë: gjëja e parë dhe më e rëndësishme është që Shqipëria të veprojë dhe, duke parë atë që po ndodh në fund të këtij procesi të rëndësishëm në komisionin parlamentar, brenda Kuvendit të Shqipërisë, ky është një lajm shumë i mirë; është e dobishme dhe ndërtuese për të ardhmen e Shqipërisë, prandaj e kam mirëpritur shumë.

Z. Ambasador, i rikthehemi sërish reformës dhe arritjes së marrëveshjes për tri pika të rëndësishme. I marrim me radhë: së pari, përdorimi i teknologjisë në këto zgjedhje nëpërmjet një projekti pilot, do të realizohet përdorimi i teknologjisë në këto zgjedhje, qoftë në numërim qoftë në identifikimin e zgjedhësve. A shënon ky një hap përpara në procesin zgjedhor në Shqipëri dhe a mendoni se përdorimi i teknologjisë duhet të ishte bërë në total dhe jo vetëm nëpërmjet një projekti pilot?

Ambasadori Wollfarth: Sipas informacioneve që kemi, është vendosur që të bëhen projekte pilote dhe kjo përkon edhe me rekomandimet e OSBE/ODIHR-it që hapat të bëhen një nga një, duke fituar ndërkohë përvojë. Zbatimin e projekteve pilote e shoh si një hap të rëndësishëm përpara, por gjithashtu një hap të arsyeshëm. Është një hap ambicioz, por jo tepër ambicioz dhe do të lejojë në fitimin e përvojës, që do të çojë pastaj në një votim dhe numërim akoma më të sigurt. Mendoj se kjo është një arritje e madh në pasjen e një tabloje të qartë të rezultatit dhe gjithashtu në shmangien e votuesve jolegjitimë. Tepritë duhet të shmangen dhe është më mirë kur elementet shtesë futen gradualisht, duke u testuar se si funksionojnë. Një proces i ngjashëm shkrirës, në numërimin e votave, është po ashtu shumë i rëndësishëm. Jemi në dijeni që për arsye sigurie dhe fitimi eksperience do të bëhet edhe numërim me dorë, për të krahasuar se si numëruan makinat dhe si numëruan komisionerët. Kjo do të shërbejë edhe si përvojë në përgatitjen e zgjedhjeve të ardhshme dhe mendoj se ky është një hap i rëndësishëm, i mençur, i kujdesshëm dhe largpamës. Pra, edhe ky është një vendim i mirë.

Me konsensusin e arritur një ditë më parë është rënë dakord edhe për një KQZ të re, për një formatim qoftë në mënyrën e zgjedhjes së kryetarit, qoftë në anëtarët e tjerë. Së pari, a mendoni se kishte ardhur koha për të ndryshuar Komisionin Qendror të Zgjedhjeve dhe a besoni se fakti që Partia Socialiste dhe opozita në tërësi do të jetë më e përfshirë në të gjithë formatimin e KQZ-së do të rrisë besimin te ky institucion, qoftë për procese ankimore apo qoftë edhe për elemente të tjera gjatë periudhës zgjedhore dhe pas saj?

Ambasadori Wollfarth: Së pari, puna e KQZ-së është organizimi teknik i zgjedhjeve. Pra në themel, duhet të jetë një organ krejtësisht teknik. Ju përmendët elementin e besimit. Ai është jashtëzakonisht i rëndësishëm. Besimi zakonisht ekziston mes qenieve njerëzore dhe në demokraci është shumë normale që, pas një farë kohe, qoftë në zgjedhje apo në procese të tjera përzgjedhëse, të shihen fytyra të reja. Të vjetrit e kanë dhënë kontributin e tyre dhe të rinjtë vijnë me energji të reja dhe japin kontribut me këto energji të reja në një sistem të ri. Gjithashtu, duke parë se mandati i KQZ-së aktuale përfundon në të ardhmen e afërt, mendoj se ky vendim është një hap i mirë. Do të ndihmojë në rritjen e besimit te KQZ-ja dhe unë shpresoj që të gjitha kampet politike e përfaqësuara aty të vazhdojnë të japin kontribut konstruktiv, në mënyrë që ky organ teknik të ofrojë punë profesionale dhe të saktë për zgjedhje shumë të sigurta, shumë të ndershme dhe shumë të lira këtu në Shqipëri. Ndonjëherë fytyrat e reja sjellin ndryshimin.

Çështja tjetër i referohet hapjes së kutive të materialeve zgjedhore gjatë proceseve ankimore, që ka qenë një nga problemet më të mëdha në të gjitha proceset zgjedhore. Mundësia për të hapur kutitë e materialeve zgjedhore është parashikuar me ligj edhe në zgjedhjet e kaluara, por në fakt nuk ka ndodhur. A mendoni se në këtë moment, domethënë në zgjedhjet e ardhshme do të jetë e mundur që të aplikohet vërtet çfarë ishte parashikuar në ligj, pra hapja e kutive me kërkesën e vetëm dy anëtarëve të KQZ-së?

Edhe Kodi Zgjedhor është ligj dhe ju e dini se OSBE-ja është mbështetëse e shtetit të së drejtës. Prandaj, në qoftë se kjo është ajo që parashikohet në ligj, pra në projekt Kodin aktual, kjo gjë mund të ndodhë edhe praktikisht, dhe nëse kërkohet, duhet të ndodhë. Por kjo, në sytë e mi, mund të jetë pak tunduese. Cili duhet të jetë në fakt qëllimi i parë i zgjedhjeve? Që të jenë të lira, të ndershme dhe sigurisht që numërimi të jetë i saktë, duke dhënë një pamje fotografike të vullnetit që zgjedhësit kanë shprehur në ditën e zgjedhjeve. Duhet të jetë thjesht kjo fotografi precize dhe asgjë më shumë. Kështu pra, numërimi, numërimi i parë është e mira që të jetë i plotë dhe i saktë. Dhe në kushte ideale, nuk duhet të ketë asnjë lloj dyshimi. Rishikimi pastaj bëhet nëse, për arsye të kuptueshme, ka dyshime për korrektësinë e një procesi. Për këtë arsye, qëllimi i parë, nga i cili nuk duhet të shpërqendrohemi, duhet të jetë garantimi i një proces të sigurt, korrekt dhe të besueshëm. Analiza të tjera mund të jenë të dobishme për t`u përgatitur edhe për zgjedhjet e radhës, sepse kjo duhet të jetë një ambicie e vazhdueshme e çdo sistemi politik, pra nxjerrja e mësimeve dhe përmirësimi për herën tjetër. Pra, kur nevojiten përshtatje, kur vërehen mangësi, dhe po flas thjesht teorikisht tani, kjo mund të çojë edhe në përmirësime të mëtejshme. Por qëllimi i parë, kryesori dhe më i rëndësishmi është zhvillimi i zgjedhjeve korrekte, numërimit korrekt dhe përpilime të sakta që me herën e parë.

Zoti ambasador, me justifikimin se nuk ishte parashikuar në sugjerimet e OSBE/ODIHR-it, Partia Demokratike refuzoi të merrej në shqyrtim kërkesa e partive të vogla për çështjen e sistemit, pavarësisht se nëpërmjet deklaratave publike nga ana e Partisë Socialiste ishte shprehur gatishmëria që në komision të kërkohej ndryshimi i sistemit për të respektuar aleatët e saj. Pra, në përfundim të komisionit, 26 partitë e vogla nuk morën një përgjigje nga ana e Komisionit për çështjen e ndryshimit të sistemit. Ka pasur kritika edhe në adresë të OSBE-së lidhur me këtë çështje qoftë nga partitë e vogla, qoftë nga shoqëria civile se nuk ka bërë aq sa duhet për çështjen e sistemit. A mendoni se sistemi duhet të ishte futur në punën e Komisionit dhe cila duhet të jetë rruga që duhet ndjekur tashmë që të plotësohet kjo kërkesë e partive të vogla, të cilat sot janë shprehur mjaft kritike, duhet ta themi, një ditë pas përmbylljes së punës së komisionit?

Komisioni Zgjedhor punoi mbi bazën e mandatit të tij, d.m.th. detyra e tij ishte që të punonte për reformën e Kodit Zgjedhor dhe pikërisht kjo është ajo që ai ka bërë. Diskutimi apo konsiderimi i sistemeve të ndryshme zgjedhore është pastaj çështje tjetër, e cila nuk lidhet me zhvillimin nga ana teknike e zgjedhjeve. Ajo lidhet me rregullat themelore, pra me mënyrat se si krijohet një sistem politik dhe në këtë pikë, demokracitë, ose më mirë demokracitë e konsoliduara në botë japin shembuj të ndryshëm. Ka për shembull sisteme të udhëhequra nga shumica si Mbretëria e Bashkuar, ose sisteme shumë të sofistikuara që japin një tablo shumë të ekuilibruar si sistemi gjerman. Është edhe sistemi spanjoll, i cili për momentin është modeli kryesor për Shqipërinë. Pra, sistemi është diçka që zgjidhet dhe diçka për të cilën edhe unë kam komentuar më parë, duke theksuar një gamë të gjerë opsionesh. Gjithsesi, ai është një diskutim i ndarë nga ai për Kodin Zgjedhor, edhe pse sigurisht lidhet me zgjedhjet, por është pjesë më vete, shumë më pak teknike dhe shumë politike, i cili mund të çojë në rezultate shumë të ndryshme. Për vendimmarrjen, është shumë e rëndësishme që të ketë shumica të qarta. Partitë kanë një rol shumë të rëndësishëm në parlament. Ato kanë gjithashtu edhe funksionin e integrimit të njerëzve. Madje edhe mes mbështetësve të tyre mund të ketë opinione të ndryshme, megjithëse mund të kenë opinione të përqendruara që çojnë në diskutime më të përqendruara. Dhe ky është një element që është shumë i rëndësishëm edhe për përbërjen e parlamentit, pra për të mos pasur më shumë parti të vogla sesa duhet. Nëse do të kishit këto partitë e vogla që krijohen me anëtarë të partive ekzistuese, si Gjermania në vitet 1920, atëherë vendi nuk ka stabilitetin afatgjatë që i duhet për prosperitet apo për një zhvillim të shëndoshë demokratik apo për zhvillimin e një sundimi më të fortë të shtetit të së drejtës. Pra, ndërkohë që ekziston interesi për të pasur një tablo precize, ka interes edhe për qëndrueshmëri. Kjo duhet të ekuilibrohet bazuar në traditën e vendit. Për mua, nëse më pyesni, siç në fakt më pyetët, elementi më i rëndësishëm ndaj të cilit unë do të drejtoja vëmendjen është ruajtja e qëndrueshmërisë së Shqipërisë. Parti të ndryshme në parlament, jo edhe shumë të vogla, por duke përfshirë edhe të voglat, kjo është shumë e rëndësishme për siguritë dhe garancitë, duke mos e ndryshuar shumë shpesh sistemin, duke e diskutuar atë në mënyrë të shëndoshë dhe kontributet deri tani kanë qenë shumë të mira, por unë e shoh këtë si një proces të vazhdueshëm, shumë të rëndësishëm që duhet diskutuar në një rreth më të gjerë, duke përfshirë edhe shoqërinë civile. Është e dukshme se nuk ka pasivitet, por nuk ka sigurisht as mbajtje të njërës apo tjetrës anë. Por nëse doni të më shihni si mbështetësin e njërës palë, unë jam për një Shqipëri të qëndrueshme, unë jam për një Shqipëri demokratike, për një Shqipëri që udhëhiqet nga shteti i së drejtës dhe rikrijimi i një parlamenti funksional, gjë që është shumë e rëndësishme, me anëtarë që janë të organizuar në parti. Pra, kjo është vërtet shumë e rëndësishme dhe duhet të shohim një shkallë shumë të gjerë konsensusi në këtë pikë.

Pra, duhet të ndryshojë sistemi?

U takon shqiptarëve ta vendosin, por nëse e prekin sistemin, ata duhet ta zhvillojnë atë për më mirë. Për revolucion nuk ka nevojë, kurse evolucioni është normal për ta mbajtur vendin të qëndrueshëm. Shqipëria është e tillë, por bërja e saj edhe më të qëndrueshme është sfidë, por megjithatë kjo është para së gjithash një çështje për të cilin duhet të vendosin shqiptarët, jo vetëm elita, por shoqëria shqiptare dhe unë ju dhashë kështu vetëm kllapat brenda të cilave ju mund të punoni. Pra, një sistem i udhëhequr nga shumica, dhe nuk e kam fjalën për shumicën qeverisëse apo një koalicion qeverisës, por që vendet në parlament t`u jepen partive që marrin numrin më të madh të votave në një sistem të caktuar. Ky është sistemi maxhoritar, kurse një sistem tjetër është ai ku vendet në parlament ndahen në bazë të përqindjes së votave që një parti ka marrë në gjithë vendin. Ky është ndryshimi. Por risku me këtë të dytin, po të jemi plotësisht të sinqertë, është se vendimmarrja më pas është jashtëzakonisht e vështirë.

Në sytë e Ambasadorit të OSBE-së në Tiranë, a po shkon Shqipëria drejt zgjedhjeve më të mira në 2013-ën?

Me këtë reformë të kodit zgjedhor, i cili është ende draft deri në miratimin e tij në seancë plenare dhe deri në hyrjen e tij në fuqi me publikimin ne fletoren zyrtare, unë pres që zgjedhjet e vitit të ardhshëm të jenë më të mira, por faktor vendimtar është faktori njerëzor. Vënia në jetë e Kodit, rritja e besimit, duke ardhur në të gjitha nivelet, si zgjedhës, si komisionierë, si politikanë me një sjellje të ndershme dhe duke respektuar rregullat e lojës. Pra, edhe një herë, faktori njerëzor është shumë i rëndësishëm dhe ODIHR-i në rekomandimet e tij më të fundit pas zgjedhjeve të 2009-ës dhe 2011-ës e konsideroi vullnetin politik jo më kot si faktorin më të rëndësishëm për arsye që qëndrojnë. Pra, kjo është sërish ajo që nevojitet edhe me një kod shumë të përmirësuar.

KOMENTE