Warning: file_get_contents(): SSL operation failed with code 1. OpenSSL Error messages: error:1416F086:SSL routines:tls_process_server_certificate:certificate verify failed in /var/www/vhosts/lajme.gen.al/httpdocs/v2/site/controllers/genel.php on line 1153

Warning: file_get_contents(): Failed to enable crypto in /var/www/vhosts/lajme.gen.al/httpdocs/v2/site/controllers/genel.php on line 1153

Warning: file_get_contents(https://www.njoftime.net/service/xml-last-ads/): failed to open stream: operation failed in /var/www/vhosts/lajme.gen.al/httpdocs/v2/site/controllers/genel.php on line 1153
Presidenti Topi, mesazhi i tij me rastin e largimit për të gjithë shqiptarët
English

Presidenti Topi, mesazhi i tij me rastin e largimit për të gjithë shqiptarët

Më poshtë do të gjeni të plotë mesazhin e Presidentit Topi i cili i drejtohet të gjithë shqiptarëve me rastin e largimit të tij nga detyra si President i vendit, duke ja lënë vendin Presidentit të ri të zgjedhur nga parlamenti zotit Bujar Nishani.

Gjatë pesë viteve të fundit kam pasur nderin dhe privilegjin e veçantë të shërbej si President i Republikës. Në ushtrimin e kësaj detyre jam përpjekur me të gjitha forcat dhe energjitë për të mbajtur premtimin e dhënë në betimin tim, për të qenë Presidenti i të gjithë shqiptarëve, dhe për të vepruar me ndershmëri dhe mbi vlera qytetare.

Gjatë mandatit tim jam ndeshur me pritshmëri më të mëdha nga publiku, me kërkesa të shumëllojshme dhe shpesh kundërshtuese, me kritika të drejta e të padrejta, me fushata denigruese apo etiketime të njëanshme. Me ndërgjegje zgjodha të lë mënjanë modelet e konfliktit formal dhe të dëgjoj e trajtoj me të gjithë seriozitetin e duhur të gjitha mendimet, kërkesat dhe kritikat racionale, duke ofruar zgjidhje kushtetuese për gjithçka që përbën interes qytetar, publik e shtetëror.

Kam bindjen e thellë se shumë gjëra mund të ishin bërë më mirë nëse politika vendimmarrëse do ta përdorte pushtetin e saj të madh në mënyrë konstruktive dhe institucionale, nëse interesat e saj do të gjenin më shumë përputhje me interesat tuaja qytetare dhe nëse klasa jonë politike do të dëshmonte më shumë maturi, përgjegjësi dhe aftësi për të sjellë ndryshimet e premtuara.

Shqipëria e vitit 2012 meritonte shumë më tepër progres dhe vlera evropiane, dhe kam bindjen se me këtë përcaktim gjej mbështetjen e shumicës absolute të qytetarëve të këtij vendi. Në përfundim të mandatit kushtetues të Kryetarit të Shtetit më lejoni t’u them se ndihem krenar që pata fatin t’u përfaqësoj; që në emrin tuaj përfaqësova Shqipërinë në ngjarjen historike të anëtarësimit në NATO; që presidenca ime ishte dhe mbetet një presidencë me sjellje qytetare, tolerante dhe gjithëpërfshirëse; një Institucion, nga i cili nuk lindën konflikte por u zgjidhën konflikte, nga i cili nuk pati politikë partiake, por sjellje e vendime institucionale, nga i cili asnjë qytetar nuk u ndie i fyer, i përjashtuar apo i harruar, por gjithsecili gjeti një derë të hapur për shqetësimet, mendimet dhe nevojën e madhe të bashkëpunimit në të mirë të interesave publike e kombëtare; që me gjithë problemet e trashëguara të tranzicionit, pesë vitet e mia presidenciale u dhanë më shumë jetë, pavarësi e forcë veprimi institucioneve kushtetuese dhe grupeve të shoqërisë civile, medias së pavarur dhe logjikës institucionale të trajtimit të problemeve; që zyra e Kryetarit të Shtetit ishte dhe mbetet një partnere e fortë, aktive, e mbështetur, e referuar dhe e besuar e Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe vendeve të Bashkimit Evropian, shteteve mike dhe çdo institucioni ndërkombëtar të interesuar apo të investuar në përparimin e demokracisë shqiptare; që në këto vite isha aktor modest dhe dëshmitar aktiv në përgatitjen, jetësimin dhe lobimin e shtetit të lirë, të pavarur dhe evropian të Kosovës, si dhe të forcimit të pozitës kushtetuese dhe politike të shqiptarëve kudo ata ndodhen.

Gjej rastin të falënderoj në veçanti familjen time që më ka qëndruar pranë, si dhe publikisht të falenderoj për mbështetjen dhe bashkëpunimin shumëvjeçar stafin tim politik presidencial, politikanët e arsyeshëm, të gjithë trupat drejtuese e përbërëse të institucioneve kushtetuese, miqtë e shumtë në organizatat e shoqërisë civile, kolegët e botës akademike, gazetarët dhe median, intelektualët e shumtë, forcat e armatosura, partnerët tanë ndërkombëtarë, shtetarët dhe diplomatët miq të Shqipërisë!

Nderimi e mirënjohja e thellë u shkon të gjithë qytetarëve shqiptarë që pata fatin të takoj në çdo bashki e komunë të Shqipërisë, në Kosovë, Maqedoni, Mal të Zi dhe në grupet e shumta të diasporës në vende të ndryshme të botës. Ndjenja e përfaqësimit të tyre përbën krenarinë më të madhe jetësore dhe përgjegjësinë më të madhe të çdo politikani e zyrtari shtetëror.

Vëllezër e motra!

Shqipëria e ka zgjedhur tashmë Presidentin e ri. Unë e uroj publikisht Presidentin për sukses e mbarësi, dhe ftoj të gjithë qytetarët, aktorët politikë dhe institucionet të jenë në mbështetje të vullnetit për përmbushjen e detyrave të tij kushtetuese!

Shqipëria ka nevojë për stabilitet demokratik, për unitet dhe ikje nga ndasitë politike përjashtuese, për dialog e bashkëpunim, për reforma dhe forcim të institucioneve kushtetuese, për politika të urta, të mira dhe qytetare dhe, në këtë rrugë, ka nevojë për kontributin dhe fjalën e gjithsecilit, për më shumë mirëqenie dhe demokraci cilësore e funksionale.

I ndërgjegjshëm për këto nevoja dhe vlera demokratike mbetem, në mbështetje të plotë të rotacionit demokratik, energjive dhe prurjeve të reja në krye të shtetit, në institucione, në parti politike dhe në sistemin politik përfaqësues.

Shqipëria dhe qytetarët e saj meritojnë më shumë. Postet politike e shtetërore shkojnë e vijnë, por qytetarët dhe shteti, interesat e tyre publike e kombëtare, janë e mbeten aty si pasuria më e madhe, burimi më i madh frymëzues, arsyeja më e madhe për ta kuptuar shërbimin ndaj tyre si privilegj dhe fat.

Zoti e bekoftë Shqipërinë dhe shqiptarët!

KOMENTE