English

Noka: Task-Forca për masa të menjëhershme ndaj ndotjes akustike

Ministri i Brendshëm Z. Flamur Noka, mori pjesë në takimin e organizuar nga Ministria e Brendshme lidhur me zbërthimin e Aktit Normativ për “Krijimin e Task-Forcës e marrjen e masave të menjëhershme ndaj subjekteve që gjenerojnë zhurmë tej normave të lejuara në qendrat urbane dhe zonat turistike e bregdetare” dhe ”Për marrjen e masave suplementare për përballimin e situatave emergjente që mund të krijohen nga zjarret në terretorin e vendit”. Gjatë fjalës së tij z. Noka theksoi se fakti që Shqipëria është shndërruar në një atraksion të vërtetë turistik, i bën përgjegjësitë tona edhe më të mëdha, edhe më thelbësore, për garantimin e vazhdueshëm të sigurisë, përmirësimin e cilësisë së jetës, si për turistët dhe pushuesit, ashtu edhe për të gjithë qytetarët. Thënë më qartë duhet të reflektojë jo vetëm siguri për çdo turist e pushues, por edhe standarde të larta në mbrojtje të mjedisit dhe shërbime sa më cilësore.

“Në këtë kuadër, Akti Normativ, i miratuar tashmë nga Këshilli i Ministrave mbi ‘Krijimin e Task-Forcës për marrjen e masave të menjëhershme ndaj subjekteve që gjenerojnë zhurmë tej normave të lejuara në qendrat urbane dhe zonat turistike e bregdetare, është në vazhdën e detyrave të caktuara nga Këshilli i Ministrave dhe Vendimit të Këshillit të Ministrave nr. 587, datë 07.07.2010, për ‘Për monitorimin dhe kontrollin e nivelit të zhurmave në qendrat urbane e turistike’. Tashmë, është e qartë se nuk mund të ketë asnjë pretendim për mangësi ligjore, e për rrjedhojë asnjë justifikim për moszbatimin e plotë të tij. Është e domosdoshme të merren të gjitha masat për t’u krijuar qytetarëve një jetesë krejtësisht normale, si në zonat rezidenciale, bregdetare, turistike apo edhe në çdo cep të territorit”.

Duke nënvizuar rolin e institucionit të prefektit që i ngarkon Akti Normativ, si përfaqësues të qeverisë në zonat përkatëse, ministri Noka nënvizoi se “nuk shmangen nga përgjegjësia drejtuesit e tjerë vendorë, të cilët duhet të kontribuojnë për zgjidhjen e këtij problemi shqetësues për banorët, turistët dhe pushuesit. Po kështu edhe strukturat e Policisë së Shtetit kanë detyra dhe përgjegjësi esenciale për zbatimin e plotë të ligjit. Ndotja akustike, gjenerimi i zhurmave nuk ndan asnjë vlerë të përbashkët me shoqëritë e zhvilluara dhe të emancipuara ku ne duam të integrohemi dhe do të integrohemi së shpejti. Ne s’mund të lejojmë që investimet e shumta të bëra në sektorin e turizmit të keqpërdoren nga pronarë të papërgjegjshëm apo nëpunës të korruptuar të administratës së shtetit. Nëse ata do të anashkalojnë zbatimin e ligjit, duhet të dinë mirë se ligji nuk ka për t’i anshkaluar aspak ata”.

Ndërsa lidhur me marrjen e masave suplementare për përballimin e situatave emergjente që mund të krijohen nga zjarret në terretorin e vendit z. Noka kërkoi që të gjithë prefektët e qarqeve të marrin masa të menjëhershme për zbatimin e udhëzimit të Ministrisë së Brendshme, lidhur rivlerësimin e rrezikut të zjarreve në territoret e tyre, rifreskimin e planeve të emergjencave dhe marrjen e masave përgatitore për të valë eventuale të nxehti.

“Përfitoj nga rasti për t’ u bërë apel drejtuesve të njësive të qeverisjes vendore dhe strukturave përkatëse që të intensifikojnë më tej punën përgatitore, të bashkëpunojnë me prefektet e qarqeve, drejtoritë e Policisë, strukturat e Emergjencës dhe të Shërbimit të zjarrfikësve, si dhe me Shërbimin pyjor dhe KMR. Pavarësisht masave që ka marrë Ministria e Brendshme për ndërhyrje të mjeteve ajrore për shuarjen e zjarreve, askush nuk duhet të neglizhojë përpjekjet për të përsosur veprimet operacionale të bashkërenduara në tokë”, tha Ministri Noka.

Në këtë takim morën pjesë edhe Ministri i Shëndetësisë z. Vangjel Tavo, zv. ministri i Brendshëm, z. Ferdinand Poni, zv. ministri i Mjedisit, z. Taulant Bino, Shefi i Shtabit të Përgjithshëm, z. Xhemal Gjunkshi, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Hysni Burgaj, Drejtori i Përgjithshëm Emergjencave Civile, z.Alfred Olli, si edhe prefektët e qarqeve, etj..

Zv.Ministri i Brendshëm z. Poni bëri prezent Udhëzimin e Ministrit të Brendshëm, ndërkohë që Drejtori i Përgjithshëm Emergjencave Civile, z. Alfred Olli prezantoi Planin e Masave për përballimin e zjarreve të mundshme gjatë kësaj periudhe.

KOMENTE