English

Vendime të rëndësishme në fushën e arsimit miratohen nga Këshilli i Ministrave

Këshilli i Ministrave miratoi sot, vendimet “Për dhënien e lejes për hapjen e ciklit parashkollor në institucionin arsimor jopublik “Shkolla Franceze e Tiranës” dhe “Për dhënien e lejes për hapjen e ciklit fillor në institucionin arsimor jopublik “Shkolla Franceze e Tiranës.

Kryeministri Berisha, duke prezantuar këto vendime, i vlerësoi ato një hap i ri dhe i nevojshëm për konsolidimin e kulturës dhe traditës së frankofonisë në vendin tonë.

Shkolla Franceze e Tiranës është institucion i edukimit parauniversitar. Mësimdhënia do të jetë në gjuhën shqipe dhe atë frënge.

Këshilli i Ministrave miratoi sot kuotat e pranimeve në institucionet publike të arsimit të lartë për studimet e ciklit të parë, me kohë të pjesshme, e të edukimit në distancë, në vitin akademik 2012-2013.

Vendimi parashikon që kuotat e pranimeve në këto institucione të jenë 10 045 kuota, duke u rritur me 695 kuota më shumë se viti i kaluar akademik.

Për aplikantët nga Republika e Kosovës, nga Republika e Maqedonisë, nga Republika e Malit të Zi, nga Prefektura e Preshevës, Bujanovcit dhe Medvegjës janë parashikuar 400 kuota në vitin akademik 2012-2013.

Për ish të përndjekurit politikë, për të verbërit, komunitetin rom dhe ballkano-egjiptian janë planifikuar të jepen kuota të veçanta pranimi, në programe të ndryshme studimi të ciklit të parë me kohë të pjesshme dhe të edukimit në distancë.

Në shpërndarjen e kuotave të pranimit në vendim janë reflektuar të gjitha propozimet e institucioneve publike të arsimit të lartë.

KOMENTE