English

Xhungla shqiptare, nuk ka zgjidhje pa çmontim në themel, të sistemit të korruptuar

Astrit Kosturi.- Nuk ka mbetur njeri në këtë vend pa e përdorur fjalën xhungël, dhe kush nuk e njeh kuptimin e saktë të kësaj fjale (ju kërkoj ndjesë, por jo gjithçka mund t’a dimë), le të përfytyrojë, një koshere bletësh ku ariu ka futur putrat e tij të buta e të rënda dhe mizat gumëzhijnë të acaruara e të ç’orientuara, duke thumbuar njëra tjetrën, ose një qafë mali me shkëmbinj të thepisur e një shteg ku kalojnë kopetë e egra, të trembura nga një egërsirë e madhe dhe që nga turravrapi i tyre, shkelin të dobëtin që rrëzohet, dhe njëra pas tjetrës, e tërë kopeja përfundon në greminë.
Në këtë kuptim (dhe fare e pakuptimtë), jeta e shqiptarëve sot është vënë në rrezik, që kurse ndiqnim gjurmët e premtuara të “demokracisë”, gjurmë që i humbëm, dhe tani nuk dimë kë të dëgjojmë dhe kë të besojmë. Veçse, jemi në ikje ku të mundim, duke u dyndur drejtë qëndrave të mëdha të betonta, për të mbetur në qorrsokakun e ndjellë prej mashtrimit politik: të zhveshur nga puna e prona, nga morali dhe ndjenjat njerëzore. Kush e ka kapur fillin e oktapodit, end dhe rend t’a përfundojë këtë grackë të madhe, ku bien çdo ditë e çdo natë viktimat dhe të papërshtshmit e regjimit, në heshtjen e tyre mistike, pa klithma e pa zë...!
Kush nuk e shikon realisht dhe me objektivitet situatën në Shqipëri, ose nuk don t’a shikojë sepse ka interesa përfitimi dhe është pjesë e problemit, ose nuk i ka mbetur asnjë ndjenjë humane për të logjikuar e arsyetuar si Njeri.
Për mbarë shoqërinë shqiptare, janë të njëjtat probleme e sfida, që në pritje të zgjidhjes së tyre, ato gjithnjë shtohen e janë në rritje. Pa përjashtim, të gjithë kanë të njëjtat halle e zhgënjime, pavarësisht e fatkeqësisht, nga ndarja e popullit si në stadium, në socialistë e demokratë, tamam si të ishin të sëmurë prej tifos sportive. “Udhëheqjet” e tyre, e kanë humbur tashmë moralin për të drejtuar shoqërinë, për shkak të interesave të paskrupullta dhe lojës së tyre, në shahun e djallëzive e hileve në kurriz të një populli të tërë.
Gjithë kjo makineri demagogjike, mbahet më këmbë mbi themelet e pista, ku luan paraja e nxjerrë prej grabitjes masive të pasurisë shqiptare të grumbulluar në dekada, prej rrëmbimit të pasurive natyrore, mbi dhe nëntokësore, si dhe zhvatjes sistematike të qytetarëve nëpërmjet rryshfeteve dhe korropsionit galopant.
Në Shqipëri ndërtohen rrugë të asfalta dhe bashkë me to edhe planet kundër shqiptarëve dhe të shpërbërjes si komb, por edhe gjithë arteriet korruptive në të njëjtën kohë, dhe në funksion të mafias grabitëse e plaçkitëse. Shqipëria është bërë vendi i pasigurisë dhe i frikës, i stresit dhe i bezdisë pa pushim e ndërrim turni, është bërë vendi ku goditen e vriten të pafajshmit, të aftët e ndershëm dhe gjithë shtresat e paprivilegjuara të shoqërisë. Jeta është bërë biznes, dhe brenda kësaj “burse” njeriu është bërë malli më i përçmuar dhe skarco, prej mashtruesve dhe sekserëve që kanë pushtuar vendin e shqiponjave, ku arsimimi dhe shëndeti i njeriut blihet me para’, ku shërbimet e huaja janë bërë zotër të shtëpisë, ku mbillet urrejtja e frika, ndarja e përçarja masive.
Kemi të bëjmë me një shoqëri të tërë, të mbetur në udhëkryq dhe në depresion të pamatshëm, që e ka humbur orientimin politik dhe kohezionin social, në ektremet e saj të paimagjinueshme.
Përfundimisht, gjendemi me shpresa gati të fikura prej ngecjes në baltovinën politike, por njëherazi edhe në pragun e kurajove të mëdha, që lindin situatave të tilla si kjo.
Kjo përmbledhje e shkurtër më sipër, dhe të tjera që mund të rreshtohen pafund, përbëjnë sinoptikën e sotme, situatën e zymtë, por të vërtetë në Shqipëri, pavarësisht përcjelljes së deformuar, madje si standart e luks, nëpërmjet mediave të pushtetit dhe zëdhënësve të tyre, prej këtyre manipulatorëve të paguar mirë ose të graduar në poste e detyra të larta.
Kështu, do t’a raportonte situatën e sotme politike e morale dhe atë social – ekonomike në Shqipëri, gjithëkush që sot, gjendet poshtë shkarkimeve fiziologjike të këtij pushteti dhe shpurës së tij. Kështu do ta raportonte gjithëkush, që nuk bën pjesë në një nga oborret famëkeqe të politikës, dhe që ka vendosur të konkurojë me vlerat dhe djersën e ballit të tij. Gjithëkush që ka dashuri të madhe për njerëzit dhe vendin e tij, duke mos i fshehur plagët dhe dhimbjet e këtij vendi, as përpara popullit të vet dhe as përpara të ashuquajturëve miq, që në realitet janë bërë miqtë e pushtetit dhe të padronëve të tij. Çdo qëndrim tjetër, që përpiqet të fsheh realitetin, qoftë edhe nga “meraku” për të mos nxjerrë sekretet e shtëpisë, është i dëmshëm dhe i shërben agravimit të mëtejshëm të plagëve tona. Qëndrimet e kundërta përballë këtij realiteti, lindin prej interesave që komandojnë e financojnë këtë situatë të dhimbshme dhe dramatike. Kot nuk thonë, që flet kolltuku a krevati, apo siç e thoshte Marksi me fjalë të tjera, se të qënët përcakton ndërgjegjen!...
Prandaj, përveç gjuhës që gatuhet në kuzhinat dhe anekset e tjera të kolltukut me pushtet, ka dhe një gjuhë që lind prej vuajtjes, një gulç që del prej shpirtërave të munduar të një populli të tërë, që tani për tani injorohet e shpërfillet me urrejtje patollogjike.
Ndryshimet e viteve ’90, kërkonin pluralizmin dhe sistemin e shumë partive, ndërsa udhëheqja e kohës e pranoi këtë, por për t’a dirigjuar sipas këshillave dhe rekomandimeve të gjithë atyre, që prej vitesh kishin synuar gllabërimin e Shqipërisë dhe kishin punuar me të gjitha mënyrat, për përmbysjen e jetës shoqërore të shqiptarëve. Gjithashtu, këto ndryshime erdhën në një kohë kur thuajse gjithë popullësia e këtij vendi nuk ia kishte idenë dhe ishte e papërgatitur për këtë llojë demokracie liberale, që në thelb ka neodiktaturën. Pra, njëra nga ëndrrat që u shfrytëzua dhe mbi të cilën u ushqye dhe u nxit përmbysja e sistemit socialist e monopartiak, ishte “pluralizmi”.
Ky term, demagogjik në thelbin e tij, pretendonte të ofronte një sistem vlerash ku, në kushte krejtësisht tëbarabarta, do të lindnin, mbijetonin e konkuronin idetë, platformat politike, politikat ekonomike, strukturat organizative politike ose jo të tilla, brenda apo jashtë sistemit, mjafton që të konkuronin paqësisht!
Realiteti vërtetoi katërcipërisht manipulimin dhe mashtrimin që iu bë popujve të lindjes nga kuzhinat ku përpunohet propaganda e klasës që kontrollon gjithçka për interesat e veta. Por, ndërsa në vendet e lindjes lindën forca të reja të përgjegjshme, që kanë marrë situatën në dorë, në Shqipëri mbetet të mbretërojë mashtrimi dhe fallsiteti i politikës monopoliste. Në Shqipëri nuk mund të bëhet fjalë më, as për pluralizëm e barazi brenda sistemit, bile as brenda llojit të tyre.
Mjafton të evidentojmë faktin që partitë e vogla, edhe pse kanë programe të njëjta me të mëdhatë, nuk kanë asnjë shans të rriten, për shkak të konkurencës ekstremisht të pabarabartë dhe fallcitetin, tashmë të zbuluar të “pluralizmit”.
Në këtë luftë të paprinciptë, dy partitë e mëdha kanë në dispozicion gjithçka për të konkuruar me njëra tjetrën, duke betonuar ligjërisht sistemin dy partiak (në fakt, njëpartiak), duke filluar nga pushtetie sistemi ligjor në shërbim të tyre, paratë e taksapaguesve, mediat satelite e deri tek strukturat e dhunës!
Partitë e tjera, që tashmë njihen si parti të vogla, tashmë janë shëndërruar në emra kryetarësh, që përpiqen të gjejnë streh e miqësi tek të mëdhenjtë, dhe sa herë vijnë fushatat turren të zënë radhë tek PS-ja apo PD-ja, vetëm për interesat e tyre. Të shëndërruara kështu, në imazhe logosh dhe emrash të përveçëm, rreken të japin opsione e garanci, për të tërhequr pas vetes sa më shumë njerëz, ndërkohë që e kanë humbur moralin dhe të drejtën për të drejtuar.
Xhungla shqiptare, nuk ka zgjidhje pa çmontim në themel të sistemit të korruptuar dhe të mbytur në llum e plagë. Dhe këtë e bën vetëm shoqëria shqiptare, populli, i cili me referendum zgjedh formën e regjimit, pra, llojin e sistemit dhe mbi këtë bazë ndërton shtetin dhe qeverisjen e tij popullore. Të gjitha të tjerat, si përpjekje të shtetit për të ndërtuar sistemim që duam, janë vetëm utopi dhe ëndërra pa të ardhme për shumicën popullore. Ky nuk është një rast shqiptar, por ndodh sa herë, që shoqërinë e kanë shoqëruar fenomene dhe shqetësime të tillatë tilla, që nuk riparohen ndryshe. Në të tilla raste, kjo e fundit duhet të braktisë partitë, por jo politikën, për të mbjellë idetë, synimet dhe qëllimet e saj, për të prodhuar politikë e mekanizma të tillë funksionalë dhe të kontrollueshëm në çdo kohë, që ajo (politika) të mos mundet më t’a mashtrojë, manipulojë e zhgënjejë shoqërinë dhe individin!
Dikush mendon me të drejtë, se partitë e shumta e përçanë dhe e çorroditën sovranin popull, madje edhe të huajt të “merakosur” së tepërmi, vendosin veton kundër partive të vogla, që ato të mos jenë pengesë e telashe, nëpër këmbët e qeverisë. Ndoshta, populli i mërzitur dhe fatkeqësisht i ç’ orientuar politikisht përballë kësaj anarshie, kërkon ujdinë e dy partive të mëdha, deri edhe shkrirjen e tyre (edhe pse politikisht janë dhe do të bëhen haptazi një), duke i prerë rrugën, daljes së ideve të reja progresiste për korrigjime të domosdoshme për të mbërritur tek Drejtësia Popullore, si dhe krijimin e kushteve që Shqipëria të bëhet monarki, me mbret Sali Berishën dhe pasardhës të birin e tij, në vend që të gjykohen nga gjyqi i popullit bashkë me të gjithë antishqiptarët e tjerë.
Deri sa të arrijmë në përmbushjen e kauzës popullore për Drejtësi e Barazi shoqërore, për Dinjitet Njerëzor e Kombëtar, do të na duhet të kuptojmë, se njerëzit duhet të grupohen tek partia që gjejnë vetëveten, aty të njihen dhe të bashkëpunojnë midis tyre, të ndihmojnë reciprokisht njëri – tjetrin dhe të kenë frymë shoqërore e solidariteti, për të krijuar besimin, se tashmë nuk janë të vetëm e të pafuqishëm por, bashkë me shokë e shoqe, përbëjnë një forcë që mund të ndryshojë diçka e më pas gjithçka.
Kjo është emergjente, kjo është detyra numër një, më atdhetare dhe jetike për shoqërinë e sotme, për njeriun shqiptar që është zhgënjyer sistemtikisht prej partive të cilat janë ndërtuar vetëm për interesa të ngushta klanore.

KOMENTE