English

Berisha: sezoni turistik i këtij viti i suksesshëm

Shqipëria priti gjatë 7 muajve të parë të vitit, rreth 277 mijë turistë të huaj, më shumë, se sa një vit më parë.

Fuqizimi i turizmit shënoi krijimin e 190 mijë vendeve të reja të punës për qytetarët shqiptarë, të shtrira nga Velipoja në Ksamil.

Investimet e qeverisë në sektorin e turizmit shënojnë këtë vit më shumë se 220 milionë euro.

1 shtatori do të shënojë zbatimin më rigoroz të ligjit mbi ndërtimet e paligjshme në bregdet, nga Ksamili deri në Velipojë.

Këto ishin pikat kryesore ku kryeministri Berisha u përqendrua sot në fjalën e tij mbajtur në mbledhjen e Këshillit të Ministrave, tek sezoni turistik i këtij viti, i cili ka shënuar një rritje të ndjeshme të numrit të turistëve krahasuar me një vit më parë. Kryeministri iu drejtua me një falënderim të gjithë shtetasve të huaj dhe atyre shqiptarë, të cilët zgjodhën Shqipërinë për të kaluar pushimet e tyre. “Me vendimin e tyre fisnik, ata bënë që sezoni turistik i deritanishëm të jetë sezoni më i paprecedent në historinë vendit. Me këtë vendim ata bënë që Shqipëria të presë turistë të huaj, rreth 277 mijë më shumë gjatë 7 muajve të parë të viti, se sa një vit më parë dhe kjo është një nga rritjet më të ndjeshme.“ u shpreh Kryeministri.

Kryeministri bëri të ditur se ky vit fuqizoi së tepërmi turizmin, degë kryesore e ekonomisë shqiptare, i cili shënoi krijimin e 190 mijë vendeve të reja të punës për qytetarët shqiptarë, të shtrira nga Velipoja në Ksamil.

Kryeministri u shpreh se investimet e qeverisë në sektorin e turizmit, të cilat shënojnë më shumë se 220 milionë euro këtë vit kanë dhënë frytet e tyre, duke shndërruar zona të tëra turistike, në perla të vërteta për turistët. Në këtë kontekst, kryeministri përmendi investimet në rrugë të tilla si autostrada Levan-Vlorë apo Levan- Dams, ndërtimin e Terminalit të ri të pasagjerëve në Durrës, si dhe ndërtimin e rindërtimin e rrugëve, në të gjitha vendet turistike të trashëgimisë kulturore.

Gjithashtu, kryeministri bëri me dije se investimet në turizmin malor i kanë dhënë atij një zhvillim të vrullshëm, duke nxjerrë në pah zona të mrekullueshme, të pa eksploruara më parë që nxisin së tepërmi kërshërinë dhe interesin e vizitorëve, në mënyrë të veçante atyre të huaj, duke bërë që turizmi të shtrihet në të gjithë territorin e vendit dhe të mos kufizohet vetëm në atë bregdetar. “Investime janë bërë dhe po bëhen drejt të gjitha zonave malore, nga maja e Çajupit deri rreth Bjeshkëve të Nemuna, drejt Valbonës, Shishtavecit, Prespës, Voskopojës, pra ka një hapje të potencialeve malore të vendit. Kurrë ndonjëherë malet e Shqipërisë nuk kanë pritur kaq shumë vizitorë sa këtë verë, nuk kanë njohur një numër kaq të madh vizitorësh, sa këtë verë.” tha kryeministri.

Duke vlerësuar punën e mirë të bërë në tërësi nga autoritete lokale, Kryeministri tha se ka ende shumë për të bërë, në drejtim të përmirësimit dhe të përsosjes së sistemit të turizmit, në vend, por kjo nuk justifikon përpjekjet e kryetarit të PS i cili përmes kasnecëve të tij kërkon të hedhë baltë mbi faktet reale që dëshmojnë zhvillimin e këtij sektori të fuqishëm. “Unë shfrytëzoj rastrin ti them zotit Rama se kasnecë të tij që hedhin baltë duke cituar qytete, nuk i bëjnë nder PS, sepse ato qytete administrohen nga qeveritarë vendorë, të cilat janë larg të qenurit të përsosur, por nuk mund të mohosh kurrë në atë shkallë nihilizmi që ata dëshmojnë për mikpritjen dhe mbarëvajtjen e sistemit turistik.” tha kryeministri

Më tej, nga mbledhja e Këshillit të Ministrave, kryeministri Berisha iu drejtua me një mesazh të gjithë ndërtuesve të paligjshëm në bregdetin e vendit, të cilët me ndërtime pa kritere po dëmtojnë imazhin e bregdetit, duke bërë të ditur se 1 shtatori do të shënojë zbatimin më rigoroz të ligjit nga Ksamili deri në Velipojë. “Unë jam këtu sot për tu dërguar një mesazh të gjithë atyre që marrin përsipër të rrënojnë brigjet e vendit, unë ju jap fjalën e nderit se 1 shtatori do të shënojë zbatimin më rigoroz të ligjit nga Ksamili deri në Velipojë. Të babëzitur që ndërtoni në rërë tregoni se morali juaj është inekzistent ,në një kohë kur ke një sipërfaqe të pafundme ku mund të ndërtosh.”

KOMENTE