English

Krizat i gjeneron pakica dhe i vuan populli

Astrit Kosturi - Edhe në luftë të kishim qënë, nuk do të vinin kaq lajme tragjike e të trishta, kaq informata për humbje njerëzore dhe materiale.
Kjo është ana e dukshme (e padukshmja është e sofistikuar) e një krize të thellë, gjithëplanëshe dhe shkatërruese për shqiptarët dhe Shqipërinë, krizë shpirtërore dhe identiteti ekzistencial, për të gjithë ata që duan të jetojnë me mundin dhe djersën e tyre.
Ajo që është prezente dhe vrastare sot, është padrejtësia, që shumicën popullore e ka lënë në mes të një rruge të pashpresë, të zhytur në krizë që prej shumë vitesh dhe nën efektet e saj. Vetëm (pu)shteti nuk don t’a shoh e t’a ndjejë këtë realitet të trishtë, madje ka shumë “të drejtë” për këtë, sepse për vete e ka gjetur zgjidhjen: Sa herë i duhen para’ nxjerr në shitje pasurinë e shqiptarëve, sa herë ndjehet e pasigurt, fal dhe dorovit gjithë ata që kanë magjinë e fshehjes së këtij realiteti të zymtë, si dhe rrit referencat doganore dhe taksat deri në sajimin e tyre, shton tarifa të reja e të tjera mekanizma, që ngjajnë me duart e hajdutit në xhepat e qytetarit.
“Ekonomia jonë” do ta ndjente rënien e saj, apo krizën siç jemi mësuar të thuhet, kur të zvogëloheshin importet, të cilat janë burimi që mbush buxhetin e shtetit dhe kur populli të kundërshtonte pagesën e shumë taksave (që janë vetëm oreks i qeverisë), dhe që në të shumtën e rasteve, janë të padukshme, falë modelit të “dorës së fshehtë” të Adam Smithit.
Prej këtij deformimi të ekonomisë dhe tregut, si dhe për mungesë të një zëri të organizuar qytetar, krijohet iluzioni se vendi ynë nuk ka krizë, duke i lënë mundësi e shans kryeministrit dhe shpurës qeveritare, të mburren.
Realisht, qeveria nuk ka se si të ndjejë krizë ekonomike, përderisa ushqehet prej buxhetit, i cili nuk shter asnjëherë, përsa kohë ka popull që konsumon prej importeve, prej doganave të tyre, që padyshim i paguan konsumatori dhe me çmime gjithnjë në rritje.
Pra, kriza është sociale, është vuajtja e popullit nën këtë trysni “reformash”, por dhe kjo nuk do të ndjehet për sa kohë populli i thotë peqe – lepe qeverisë, që padyshim është kundër tij dhe shet e grabit pa fre’ pronën e shqiptarëve.
Të gjitha plagët e kësaj shoqërie, që aktualisht ka mbetur jashtë ndërmarrjeve dhe njësive të prodhimit, në papunësi dhe e zhveshur nga prona, bien në kurrizin e njerëzve hallexhinj, si një barrë e rëndë, kryesisht për shtresat e paprivilegjuara të shoqërisë.
Ndërsa ata që janë mercenarë e shtetaxhinj (lekaxhinj) të këtij regjimi, nuk shohin më larg se sa brenda oborreve ku kullosin dhe shtojnë përfitimet e pasuritë e tyre. Ata që kryesojnë dhe që na janë shfaqur si çudibërës prej listave me besnikë e servilë të padronëve të politikës (Berisha e Rama), flenë për vite me radhë në naivitetin e tyre dhe mbeten sylidhur përballë të papriturave dhe problemeve në rritje të shoqërisë shqiptare. Ka edhe dallkaukë prej tyre; dhe të tjerë në zinxhirin e llojit të tyre, që njohin vetëm emrat e lokaleve luksoze dhe llojet e verërave, duke u dalluar si mishëngrënës të përditshëm. Të tjerë, madje “profesorë” e “shkencëtarë” mbeten gjithnjë në sipërfaqe të dukurive politike dhe ekonomiko - financiare, duke u kthyer thjeshtë në shërbëtorë primitivë të kapitalit të huaj e vendas.
Dhe atyre, nuk ka se si t’u shkojë në mendje, njohja e natyrës së vërtetë të këtij pushtimi modern dhe të konsultohen me mençurinë popullore, për të gjetur rrugët dhe format më efikase të humbura tashmë!! A thua, se nuk e dinë (realisht shohin vetëm xhepin e tyre), se një grusht njerëzish, një pakicë me fuqi politike dhe ekonomike e kanë “privatizuar”edhe paranë, duke e përdorur këtë instrument themelor të tregut, për arritjen e fitimeve maksimale si në planin global, edhe në planin e brendshëm?!
Sot, është në natyrën bashkëkohore të krizës, krijimi dhe sajimi i reçensioneve financiare, si një instrument i pakicës (sa herë asaj i duhet, për të shtuar pasuritë dhe fitimet), duke u shoqëruar me “aksesorë” politikë, mediatikë e publicitarë, që kultivojnë frikën dhe pasigurinë tek publiku i gjërë.
Në krye të kësaj grabitjeje me emrin krizë (dhe që në fakt është krizë sociale, krizë popullore) janë oligarkitë financiare, janë bankat e bankierët. Këto kanë vite që mbledhin pasuri e konfiskojnë kapitale të patundshme, përkundrejt kredive – gracka që japin, të shoqëruara me kriza të prodhuara po prej tyre. Edhe brenda vendit, qytetarët humbasin shtëpitë dhe garancitë disafish më të mëdha se kreditë e marra, për shkak të krizës që i ka nxjerrë në rrugë, apo ngecjes së të ardhurave të pritshme. Ky devijim i bankave nga qëllimi klasik, si investitore dhe zhvilluese të rajoneve, nuk është i rastësishëm, por është rruga më e lehtë që rrit kapitalet dhe përfitimet e oligarkive financiare.
Kjo makineri e stërmadhe, e shtrirë në çdo rrugicë e lagje, që grabit me anë të butonave dhe gishtave që godasin pareshtur tastierat e kompiuterave, gllabëron pa pushim e pa limit popuj e territore dhe ka tendencën e zgjerimeve dhe të bashkimeve nën sigla e flamuj globalë.
Pra, globalizmi është si dikur internacionalizmi, por me qëllime dhe raporte krejtësisht të përmbysura e kokëposhtë, në dëm të interesave popullore.
Evropa zgjerohet, sepse duhet të shkarkojë valvulën e krizës tek popujt e tjerë të varfër e të vegjël, për t’u bashkuar më tej edhe jashtë kufijve të saj, ndërsa politikanët tanë ulërasin për të shkuar për atje, vetëm se janë mashtrues e manipulatorë, vetëm se duan pushtet e pasuri. Pra, kjo është loja e pakicës supermiliardere për t’u bashkuar e fuqizuar në kurriz të popujve dhe jo integrimi apo komunikimi; e leverdia reciproke e popujve, siç pretendonte internacionalja komuniste.
Kjo tashmë, është bërë e qartë dhe e dukshme, në politikat financiare që ndiqen, prej Bankës Qëndrore Europiane, që në koherencë të plotë me krerët bossa të shteteve të fuqishme, kanë rënë dakord se “rruga e vetme që të dalim jashtë kësaj krize është të kemi më shumë europë”. Kjo do të thotë, që sovraniteti të transferohet në kancelaritë e financave botërore, si një mekanizëm super kombëtar, ku popujt dalin jashtë loje dhe sovraniteti i tyre mbetet fallso e tallës. Prandaj kudo në botë, kundërshtohet globalizmi dhe lindin mekanizma mbrojtës për ekonomitë, financat e qytetarëve dhe interesat e shteteve të tyre, ndërsa Shqipëria e shqiptarët mbeten të manipuluar. Shqiptarëve, kur u kërkohet vota, u thuhet se politika dhe gjithë lukunia e tyre do të bëhen copë e thërrime për interes të integrimit dhe futjes në familjen europiane, ndërsa ngecjet dhe dështimet e njëpasnjëshme këtu, justifikohen me krizën dhe situatën e keqe kudo në botë!! Atëhere, gjithçka është e kuptueshme dhe mashtrimi është i dukshëm!
Në këtë mënyrë nuk ka nevojë të lëvizin kufinjtë, nuk ka nevojë të ndryshojë hapësira gjeografike, por lihen në liri të plotë kapitali, mallrat dhe shërbimet, që fitimet e korporatave të jenë në nivele të kënaqshëm për ata që pronësojnë burimet kryesore të kombeve (mjetet e prodhimit; resurset; dhe bankat), ndërsa puna jo vetëm liri nuk ka, por mbetet e “burgosur” dhe shkon aq larg sa mbetet një ëndërr e humbur.
Shqipëria, përse nuk u dashka të dyshojë dhe të mendojë me dyshim, përballë politikave të tilla ekspansioniste?!...
Pikërisht, dyshime të tilla janë pjesë e demokracisë dhe kërkojnë të funksionojë ajo me të gjithë elementët e saj, me të gjitha instrumentet mbrojtës, që populli duhet të ketë dhe me emergjencë, duhet të krijojë. T’i ketë dhe t’i krijojë, si instrumenta kundërshtues të këtij realiteti, si një domosdoshmëri që lind nga nevoja për mbijetesë dhe, jo prej kërpudhave që kultivon borgjezia me aristokracinë e vet, por si “antitrupa”që vetë shoqëria duhet të prodhojë në të tilla situata.
Terma të tillë duken të ezauruar dhe të dalë mode, por shoqëria njerëzore ka ligjësitë e veta dhe do të kalojë nëpër ato shina e ligjësi që nuk i ndryshon as “privatizimi” i parasë në mënyrë globale, por vetë shoqëria kur ndjen nevojën e ndryshimit real.
Kjo heshtje e dy faorcave të mëdha politike (PS e PD), që më shumë është servilizëm për të ruajtur ose për të ardhur në pushtet, ka ardhur për shkak të deformimit të ligjeve ekonomike dhe sidomos mësimeve të së kaluarës komuniste, të cilën lidershipi politik i Tiranës e ka përdorur si mace të zezë, për të trembur çdo reformim real të individit dhe shoqërisë, duke e reduktuar gjithçka vetëm në shërbim të lobingjeve të rrotacionit politik.
Zbulimi dhe analiza e plagëve të shoqërisë aktuale shqiptare, na çon tek deformimi i raporteve të sotme mes individit dhe shoqërisë, mes individualizmit ekstrem, që na mban peng dhe kolektivizmit dogmatik, që i përket të kaluarës së afërt.
E gjithë historia moderne njerëzore ka provuar, se vetëm prodhimi i kolektivizon dhe i bën solidarë njerëzit, i detyron ata që të bëhen bashkë edhe kur janë të ndarë, për të diskutuar e gjetur zgjidhje.
Të shohësh me dyshim, për të mbrojtur interesat e tua, kjo nuk është as mosbesim dhe as prapambetje, por mençuri dhe zotësi për të mbajtur jetën në siguri... është principi bazë i një demokracie të shëndoshë.
Në këtë mënyrë, janë zëvendësuar format e luftërave klasike, me ato moderne, por me qëllimin e pandryshuar të gllabërimit të tregjeve, grabitjes së pasurive dhe shfrytëzimit të krahut të punës, me çmimin sa më qesharake.
Thënë ndryshe, strategjia e “tokës së zezë”, që u aplikua në Shqipëri pas viteve ’90, në emër të një lufte fantazmë kundër komunizmit, bëri që individi të çoroditej dhe të ndihej i traumatizuar deri në ekstrem në një koracë egocentrizmi deri në patologji, ndërkohë që shoqëria, e mbetur pa prona publike, pa kapitale të përbashkëta, që mund të shërbenin për edukimin, shëndetin dhe prosperitetin e saj, pa idealitetin e çdo shoqërie normale për vetëpërmbushjen e saj, aktualisht ndodhet në një udhëkryq gati të pashpresë.
Demokracia nuk është një grupim sektesh për të fituar më i forti, siç konceptohet ajo në këtë vend, ku bipartitizmi frenetik dhe i pajisur me të gjithë arsenalin e armëve të mundshme, i ka zënë të gjitha shtigjet e një konkurrence të lirë e të ndershme!
Demokracia nuk mund të jetë një grupim që di të instalojë me shpejtësi një kapitalizëm politik, më të egër se ai i shekullit të 19-të në Europë dhe Amerikë, duke krijuar për fat të keq, si klasë borgjeze, një elitë mafioze, që shquhet vetëm për djallëzinë, si meritë.
Evropës (vendeve që vendosin veton) i duhet zhveshja e vendeve nga sovraniteti i tyre dhe t’a transferojnë atje ku u lipset pë interesat e të fuqive të mëdha. Pavarësisht nëse e kuptojmë apo jo, ky qëllim i tyre arrihet vetëm në kohë krizash, prandaj dhe janë të interesuar të riciklohen e të nxiten krizat e tilla, siç kalon edhe Shqipëria.
Kjo tirani moderne dhe aspak demokraci, nuk ka përse të lakmohet dhe të pritet me kaq shumë eufori (përjashto politikanët dhe elitën mafioze që ka uzurpuar gjithçka), nuk ka përse të varen shpresat tek detyrat që ata japin, më shumë se sa tek shfrytëzimi i energjive tona intelektuale dhe i resurseve tona të shumëta, për të dalë nga bataku ku kemi rënë.

KOMENTE