Warning: file_get_contents(): SSL operation failed with code 1. OpenSSL Error messages: error:1416F086:SSL routines:tls_process_server_certificate:certificate verify failed in /var/www/vhosts/lajme.gen.al/httpdocs/v2/site/controllers/genel.php on line 1153

Warning: file_get_contents(): Failed to enable crypto in /var/www/vhosts/lajme.gen.al/httpdocs/v2/site/controllers/genel.php on line 1153

Warning: file_get_contents(https://www.njoftime.net/service/xml-last-ads/): failed to open stream: operation failed in /var/www/vhosts/lajme.gen.al/httpdocs/v2/site/controllers/genel.php on line 1153
Berisha ndihet i kërcënuar nga Lobet Greke, për territorin e ujrave
English

Berisha ndihet i kërcënuar nga Lobet Greke, për territorin e ujrave

Një situatë jo e qetë po krijohet edhe më tej midis Shqipërisë dhe Greqisë përsa i përket çështjes së territorit të ujërave.
Thuhet se një marrëveshje e re po përshpejton të nënshkruhet midis dy palëve për ndryshimin e territorit të ujrave ndërkohë asgjë zyrtare përsëri nuk është bërë e ditur. Lidhur me këtë si dhe pas deklaratave të zyrtarëve më të lartë të shtetit shqiptar për të vijuar bisedimet me fqinjin tonë jugor për një marrëveshje të re, diplomati Dritan Hila denoncon procedurat që po ndiqen nga Ministria e Jashtme. Ish punonjësi i kësaj ministrie deklaron se grekët po përpiqen ta detyrojnë kryeministrin Berisha që të nënshkruajë marrëveshjen e re. Sipas tij, kreu i qeverisë është me shpatulla pas murit si pasojë e lëvizjeve të fundit të lobit grek duke kërcënuar qeverinë shqiptare.

1. Qeveria shqiptare është e vendosur për një marrëveshje të re për kufijtë detarë me Greqinë. Ashtu si në rastin e parë, ende nuk dihen cilët janë ekspertët që po diskutojnë me palën greke apo detaje të tjera. Përse një fshehtësi e tillë?

Ironi e fatit është se vëndi që ja dedikon tërësinë e vet territoriale Presidentit amerikan Woodrow Willson, dhe stilit të tij të quajtur “Diplomaci e hapur”, është bërë fans i kulisave diplomatike, kur historia ka treguar që asnjëherë nuk ka fituar nga kjo rrugë. Diplomacinë e fshehtë, një hap e ndan nga pazaret. Sa ju takon emrave të grupit të punës, ka lidhje me mentalitetin konspirativ të qeverisë.

2. Në media është publikuar vendimi i lëshuar zyrtarisht që më 4 korrik të 2011, ku autorizohet Ministria e Jashtme për të ngitur grupin ndërinstitucional për të filluar negociatat me Greqinë. Vendimi ndonëse i marrë një vit më parë, nuk figuron në asnjë Fletore Zyrtare. Si e cilësoni një veprim të tillë?

Minimalisht një veprim i tillë është mungesë respekti për shtetin dhe ligjin. Por nuk është as harresë dhe as neglizhencë. Është mefshtësi për t’i shpëtuar gjykimit të opinionit publik dhe për ta vënë para faktit të kryer si herën e parë. Pse duhet trajtuar në fshehtësi një marrëveshje e tillë, nëse nuk ke synime të mbrapshta? Pse duhet të fshihesh, ndërkohë që transparenca të ndihmon, sidomos kur je i dobët psikologjikisht?

3. Mediat greke theksojnë se marrëveshja për delimitimin e kufirit detar me Greqinë mund të kthehet në një pengesë serioze për avancimin e bisedimeve dypalëshe lidhur me projektin e gazsjellësit TAP. A mund te përdoret ky projekt si shkembim?

Nëse për gazësjellësin TAP, duhet të japim 300 kilometra katrorë det, atëhere kurrë mos u bëftë. Gazsjellësit shkojnë e vijnë. Ishte projekti AMBO dhe u harrua. Ishte mundësia të degëzohej “South stream”, pasi aktualisht është në Igumenicë, dhe nuk e kaluan këtej. Ka nja tre projekte të tjerë në sirtarë. Tashti del TAP. Nëse do falim territor për çdo gazsjellës, atëhere ku shkojmë? Sipas studimit të shërbimeve të inteligjencës amerikane, paraqitur Presidentit Obama me objekt “Si do jetë bota në vitin 2025”, parashikohej se rezervat e hidrokarbureve, do ta mbajnë motorin ekonomik të planetit në lëvizje deri në 2035-ën. Pra maksimumi edhe 30 vjet. Për kaq pak, të falim territor? Absurde. Kujtoj edhe diçka: ku ka det, nën tabanin e tij ka gaz apo naftë, të ardhura si pasojë e dekompozimit të jetës detare. Pra të falim territor, që të kalojë një gazësjellës që produktin do na e shesë me para, kur nga ky territor jo shumë vonë do dalin burimet e para!!! Aq më shumë kur tabani për të cilin diskutohet, dihet që ka rezerva hidrokarburesh. Greqia, nëse do të hedhë firma, ta fillonte me nënshkrimin e protokollit për njohjen e kufijve tokësorë; të bisedojë për traktatin e ujrave të brëndshme, dhe pastaj për detin. Duke ricituar raportin e shërbimeve amerikane, luftërat në shekullin që jemi, më shumë se për burime energjitike, do zhvillohen për ujërat. Më qartë se kaq?

4. Në Shqipëri është hedhur ideja që bashkë me ndryshimet kushtetuese, të hidhet për referendum edhe çështja e marrëveshjes me Greqinë. Si diplomat me një karrierë të gjatë, sa e mundur është një praktikë e tillë dhe a është zgjidhja më e mirë e mundshme?

Kjo është një temë që as duhet hapur. Nuk përdoret për taktika politike të ditës, çështje kardinale si territori! Partia Socialiste ka një kapital shumë të çmuar nacionalist. Le t’ia lërë të djathtës shitjen e vendit se e ka specialitet. Por gjithsesi jemi jashtë kontekstit, pasi të tilla referendume, historikisht i bëjnë vetëm fuqi pushtuese për të ligjëruar pushtimin. Si rasti i francezëve kur pushtuan Alsaz Lorenën pas Luftës së Parë Botërore dhe bënë referendum për ta sanksionuar. Por rezultati nuk u njoh nga popullsia dhe ishte prelud i luftës që erdhi. Nuk mund të votohet për tjetërsimin e diçkaje që ta kanë dhënë në përdorim, me detyrimin ta dorëzosh aq sa e more.

5. Në rast se do të nënshkruhet sërish një marrëveshje e re, a ka mundësi që të rrëzohet sërish?

Nuk duhet të bëhet marrëveshja nga kjo qeveri e cila nuk ka besimin e publikut të ridiskutojë këtë çështje. Grekët po përpiqen ta detyrojnë Berishën ta bëjë marrëveshjen. Po të shikohen lëvizjet e fundit të lobit grek, kuptohet kërcënimi. Dhe Berisha është me shpatulla pas murit. Nëse MPJ dhe gjyqësori do funksiononte si në vëndet e zhvilluara, dhe ligji i karrierës do zbatohej pavarësisht nga politika, qeveritarët shqiptarë nuk do merrnin përsipër kostot e negociatave me partnerët. Berisha po vuan fajet e tij.

6. Në opinionin publik është krijuar ideja se Shqipëria ndjek një politikë servile me Greqinë për shkak të interesave ekonomike, emigrantët, tregtia etj. Kur kanë kaluar 20 vjet nga ndryshimi i sistemit dhe tashmë që Greqia nuk është më aq e fuqishme në sferën ekonomike, përse duhet të vijojë të ndiqet e njëjta politikë?

Sikur ekonomikisht të ishim si në vitin ’92 dhe Greqia ajo që ishte, të tilla çështje nuk diskutohen. Jo më sot, që duke folur me termat e ‘Realpolitikës” bismarkiane, Greqia nuk mund të kërcënojë askënd. Japonia përplaset me Kinën për disa ishuj të pabanuar siç dhe Turqia është gati të bëjë luftë me Greqinë për ishullin e shkretë të Imnias. Kroacia me pafundësi bregdeti, nuk i lëshon Sllovenisë një dalje në det. Rusia është e predispozuar të ndezë kriza botërore për pronësinë e akujve të Arktikut. Serbia, Austria, Hungaria, kanë luftuar dëshpërimisht me mijëra vjet të kenë dalje në det. Ndërsa ne japim sipërfaqe ujore e cila është jetësore nga pikëpamja gjeostrategjike dhe ekonomike! Do ti ofroj lexuesit një mundësi për gjykim: Jared Diamond, është ndër ambjentalistët më të mëdhenj bashkëkohorë, biolog, fiziolog, historian i antropologjisë, profesor i Universitetit të Kembrixhit dhe autor i shumë librave. Në më të fundmin, “Kolaps, si shoqëritë zgjedhin të jetojnë apo vdesin”, shpjegon korelacionin e njeriut me ambjentin. Për ta lidhur me rastin tonë, po e vendos sa është duke ndodhur tek ne, në matricën e tij shkencore: Ashtu si katërmijë vjet më parë, jemi një tribu tashmë shtatë milionshe që flasim gjuhën shqipe, ku kundërshtarët na kanë tkurrur vazhdimish, duke na lënë tokat më jo produktive. Sot, territori që zotërojmë është shumë i varfër, por si rezultat i teknologjive janë zbuluar burime jetese, të cilat ashtu si në të shkuarën fqinjët tanë duan ti marrin, megjithëse ne jemi shumë frymë për kaq pak tokë. Mitrovica, deti në jug, çdo milimetër i kësaj toke na duhet për mbijetesën tonë dhe fëmijëve tanë. Kryetari i tribusë sonë mendon vetëm për familjen e tij. Ne do ta lëmë të bëjë punët e tij, duke shitur të ardhmen tonë? I mbetet lexuesit përgjigja.

KOMENTE