English

Intervista e plotë e Presidentit Nishani dhënë për TV Klan

Intervista e plotë e Presidentit Nishani dhënë për TV Klan, në datën 27-08-2012


Gazetarja: Zoti President, një ndër vendimmarrjet tuaja të pas betimit në postin e Kreut të ri të Shtetit ishte dhe shkarkimi i Kryetarit të Shërbimit Informativ Shtetëror. Opozita pas këtij vendimi ju akuzoi ashpër dhe tha se po u shërbeni interesave të partisë në pushtet. Në fakt, pse e shkarkuat Kreun e Shërbimit Informativ Shtetëror?

Presidenti Nishani: Në rastin e lirimit nga detyra të Drejtorit të Shërbimit Informativ Shtetëror dhe emërimit të Drejtorit të ri, Presidenti i Republikës ka ushtruar tagrin e vet kushtetues, duke lejuar Kryeministrin e vendit të përmbushë të drejtat e tij ligjore. Ata, të cilët mendojnë që puna, apo detyra e Presidentit të Republikës është që të pengojë Kryeministrin e vendit të ushtrojë detyrat e tij kanë një keqkuptim të madh me sistemin. Unë besoj plotësisht në vlerat që kanë institucionet shqiptare, në çka ato kanë arritur gjatë këtyre viteve. Të mos harrojmë për asnjë çast që tashmë Shqipëria është vend anëtar i NATO-s dhe të gjitha institucionet e këtij vendi, e këtij shteti, duke filluar që nga Presidenti i Republikës duhet t’u shërbejnë dhe do t’u shërbejnë vetëm interesave të vendit, përcaktimeve kushtetuese, të drejtave dhe lirive themelore të qytetarit shqiptar, përparimit të vendit. Padiskutim që shqetësimet e opozitës janë pjesë e vëmendjes së pandërprerë të Presidentit të Republikës, por besoj që ato duhet të jenë gjithnjë të fokusuara gjithmonë në mënyrën se si funksionojnë institucionet. Dhe, Presidenti i Republikës do të ketë një vëmendje të pandërprerë në mënyrën e funksionimit ligjor të të gjitha institucioneve ku Presidenti i Republikës ka dhe do të ketë një zë të rëndësishëm.

Gazetarja: Është e vërtetë që është detyrim kushtetues zoti President, megjithatë opozita thotë që nuk ka patur konsultë me aleatin kryesor, Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Ju thjesht e firmosni shkarkimin e tij, nuk merrni informacion më tej?

Presidenti Nishani: Shqipëria dhe të gjitha institucionet e tjera kanë një marrëdhënie të shkëlqyer me partnerët e tyre. Padyshim që Shetet e Bashkuara të Amerikës si partneri strategjik dhe shumë i rëndësishëm i Shqipërisë mbetet në kontakt të vazhdueshëm dhe do të jetë në kontakt të vazhdueshëm. Por, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, përmes përfaqësuesve të tyre në Shqipëri, në Tiranë, kanë treguar gjithmonë qartë se marrëdhëniet ndërtohen me shtetin, marrëdhëniet ndërtohen me institucionet, marrëdhëniet ndërtohen mbi bazën, mënyrën se si funksionojnë këto institucione, të respektimit të Kushtetutës dhe të respektimit të ligjeve. Dhe, besoj që ky standard ka qenë, është dhe do të mbetet i pacënuar.

Gazetarja: Zoti President, ju jeni dhe Kryetari i Këshillit të Lartë të Drejtësisë. Po ju pyes lidhur me këtë funksion të rëndësishëm që ju keni. Sistemi i drejtësisë edhe sot vuan nga niveli i lartë i korrupsionit. A është fajtore KLD-ja për këtë nivel të lartë të korrupsionit?

Presidenti Nishani: Të gjithë aktorët e shoqërisë kanë përgjegjësinë e tyre në tërësi në rregullimin e jetës politike, sociale, institucionale të vendit. Natyrisht që çdo institucion, në bazë të përcaktimit të detyrave dhe përgjegjësive në strukturën ligjore të vendit, ka detyrime, ka edhe përgjegjësi. Këshilli i Lartë i Drejtësisë ka një rol të rëndësishëm në aspektin, në mënyrën e funksionimit dhe respektimit të procedurave nga ana e sistemit gjyqësor, në atë se si realizohet marrja e të drejtës nga ana e qytetarit përpara gjykatës. Por, Këshilli i Lartë i Drejtësisë ka një moment të rëndësishëm, i cili më pas ndikon në të gjithë mënyrën e funksionimit të sistemit: ajo që ka të bëjë me vlerësimin dhe me promovimin e gjyqtarëve, e kam fjalën të Shkallës së Parë dhe të Apelit, pasi për ta ka përgjegjësi Këshilli i Lartë i Drejtësisë. Unë e kam përmendur edhe në mbledhjen e fundit të Këshillit të Lartë të Drejtësisë. Ne duhet ta nisimi përballjen e kësaj sfide, që është sfida e çdo qytetari, në radhë të parë duke rritur besimin e gjyqtarëve vet ndaj sistemit. Ç’dua të them me këtë! E kam fjalën që, nëse gjyqtarë të shumtë, të cilët janë brenda sistemit me një nivel të admirueshëm profesional, me një integritet moral dhe qytetar të atyre standardeve që u kërkojnë qytetarët tanë, të cilët e kanë lidhur kontributin e jetës së tyre me profesionin e tyre, me sistemin pjesë e të cilit ata janë, shohin që në pjesën e promovimit nuk promovohet ky model, pra i atyre që shërbejnë me dinjitet, me profesionalizëm, por promovohen persona, të cilët nuk e kanë këtë integritet …

Gazetarja: Kjo është përgjegjësi e Këshillit të Lartë të Drejtësisë?

Presidenti Nishani: Padyshim që është përgjegjësia e Këshillit të Lartë të Drejtësisë. Atëherë vetë këta gjyqtarë dekurajohen dhe kjo reflektohet menjëherë tek vetë sistemi, tek vet shërbimi që do të marrin pastaj qytetarët tek sistemi i drejtësisë. Kjo reflektohet pastaj në hapin e dytë që është mungesa e besimit që kanë qytetarët tek sistemi i drejtësisë, pasi mungesa e besimit reflektohet dhe përhapet si një virozë me shpejtësi. Ndaj, gjykoj që Këshilli i Lartë i Drejtësisë ka një mundësi shumë të madhe pikërisht për të kontribuar për të konsoliduar kontributin në radhë të parë të gjyqtarëve për sistemin, pjesë e të cilit ata janë, dhe, duke kontribuar për sistemin në mënyrë të drejtëpërdrejtë kanë kontribuar për drejtësinë për qytetarët.

Gazetarja: Si do ta bëni këtë zoti President? Është vetëm çështje vullneti, apo ka mungesë legjislacioni në këtë drejtim? Si promovohen gjyqtarët për nga merita e tyre?

Presidenti Nishani: Unë besoj që dhe vullneti dhe implementimi, apo zbatimi i legjislacionit kanë rëndësinë e tyre. Nuk mund të them që kemi boshllëk në legjislacion. Padyshim që vullneti është hapi i parë dhe ky duhet reflektuar nga të gjithë anëtarët e Këshillit të Lartë të Drejtësisë. Fatmirësisht, edhe në eksperiencën e mëparshme, ku kam marrë pjesë në kapacitetin e Ministrit të Drejtësisë në Këshillin e Lartë të Drejtësisë, por edhe tashmë si Kryetar i Këshillit të Lartë të Drejtësisë, kam gjetur midis anëtarëve të Këshillit të Lartë të Drejtësisë të shprehur një vullnet pozitiv për të ndërmarrë hapa të rëndësishëm në ato ç’ka ne kemi përmendur deri më tash. Por, do të jetë padyshim e nevojshme që e gjithë infrastruktura ligjore që ekziston dhe që nuk është e dobët, por është e mirë, të plotësohet me akte të tjera nënligjore dhe me vendime të tjera të Këshillit të Lartë të Drejtësisë, i cili ka mundësinë për të përmirësuar, apo për të kompletuar këtë set ligjor, apo set aktesh nënligjore, në mënyrë të tillë për ta bërë më transparent procesin e monitorimit, që Këshilli i Lartë i Drejtësisë ka në sistemin gjyqësor, procesin e vlerësimit që Këshilli i Lartë i Drejtësisë ka dhe procesin e gjykimit mbi gjyqtarët dhe punën e tyre që ka Këshilli i Lartë i Drejtësisë në kapacitetin e tij ligjor për të ushtruar.

Gazetarja: Megjithatë zoti President, edhe lidhur me funksionin tuaj si Kryetar i Këshillit të Lartë të Drejtësisë, opozita ka, le të themi, akuzat e veta. i referohet mënyrës se si u zgjodh Nënkryetari i Këshillit të Lartë të Drejtësisë. Ai është një propozim i Kuvendit në fakt. Ju kujtoj edhe problematikën që ka pasur zëvendësimi i Nënkryetarit të Këshillit të Lartë të Drejtësisë. Pse Çefa Nënkryetar?

Presidenti Nishani: Zoti Çefa erdhi si përfaqësues i Kuvendit të Shqipërisë në Këshillin e Lartë të Drejtësisë. Eksperienca dhe tërë praktika e mëparshme e të gjitha viteve të shkuara në Këshillin e Lartë të Drejtësisë ka treguar se vendi, apo pozicioni i Nënkryetarit gjithmonë është ushtruar nga përfaqësuesi i Kuvendit të Shqipërisë në Këshillin e Lartë të Drejtësisë. Kjo dhe në respekt të parimit të balancimit të pushteteve brenda Këshillit të Lartë të Drejtësisë. Kryetari i Këshillit të Lartë të Drejtësisë është Presidenti i Republikës, pra, Institucioni i Presidentit të Republikës përfaqësohet me Kryetarin në Këshillin e Lartë të Drejtësisë. Komuniteti i gjyqtarëve, Konferenca Kombëtare e Gjyqësorit përfaqësohet me shumicën vendimmarrëse në Këshillin e Lartë të Drejtësisë. Qeveria përfaqësohet me Ministrin e Drejtësisë në Këshillin e Lartë të Drejtësisë. Dhe, Parlamenti ka ligjërisht tre përfaqësuesit e tij. Praktika e të gjithë kohërave për sa ka funksionuar Këshilli i Lartë i Drejtësisë ka qenë i tillë që posti i Nënkryetarit, pra dhe në respektim të balancimit të pushteteve i ëshë ofruar përfaqësuesit të Parlamentit, Kuvendit të Shqipërisë. Së dyti, zoti Çefa nuk u emërua nga Presidenti i Republikës. U zgjodh, u votua në mënyrë unanime nga të gjithë anëtarët e Këshillit të Lartë të Drejtësisë. Unë kam besimin e plotë që zoti Çefa do të dijë të administrojë në mënyrë profesionale, pasi kjo është detyra e Nënkryetarit, pjesa e administrimit të Këshillit të Lartë të Drejtësisë, të gjithë punën që, anëtarët e Këshillit të Lartë të Drejtësisë në vendimmarrjen e tyre të jenë të kompletuar në tërë informacionin, në tërë procedurat, që atyre do t’u duhen për një vendimmarrje sa më të drejtë dhe sa më të plotë.

Gazetarja: Zoti President, a është pengesë imuniteti për korrupsionin në drejtësi?

Presidenti Nishani: Padyshim që është. Natyrisht që nuk mund të them që, nëse nuk do të ketë imunitet nuk do të kemi korrupsion, por nuk do të kemi pengesa artificiale për të vepruar dhe për ta goditur, për ta hetuar dhe për ta dënuar korrupsionin. Por, unë besoj që mbi të gjitha ka vend për çështjet parimore. Në fund të fundit, heqja, kufizimi i imunitetit për zyrtarët është mesazhi më i mirë që i jepet shoqërisë, u jepet qytetarëve shqiptarë për sa i përket ruajtjes së konceptit të barazisë përpara ligjit.

Gazetarja: A po bën mirë mazhoranca që po ndërmerr iniciativën për një referendum popullor për çështjen e imunitetit në mungesë të konsensusit të opozitës. Ka ende debat për çështjen e imunitetit. Duhet zgjidhur në Parlament apo me referendum popullor?

Presidenti Nishani: Kjo është një çështje që i takon debatit politik të partive politike. Natyrisht që konsensusi do të jetë gjëja më e mirë që mund të arrijnë forcat politike. Në parim çështja e votimit nga qytetarët, në popull, është ushtrimi i një demokracie të drejtpërdrejtë, por në rastin konkret të referendumit Presidenti është pjesë e vendimmarrjes. Është paraparë nga Kushtetuta momenti kur Presidenti duhet të veprojë dhe të shfaqet me vendimin e tij, që do të jenë pas gjykimit që vjen nga Gjykata Kushtetuese, kështu që në çdo rast momenti i Presidentit dhe vetë hyrja në vendimmarrje do të jetë në çastin që ka parashikuar dhe parasheh Kushtetuta e vendit.

Gazetarja: Ju do të shkoni në një linjë me vendimin e Gjykatës Kushtetuese?

Presidenti Nishani: Gjithmonë Presidenti i Republikës është mirë të mos le të themi të paragjykojë apo të japë mesazhe të parakohshme përsa kohë në Kushtetutën e vendit është paraparë momenti kur Presidenti i Republikës duhet të ndërhyjë dhe duhet të ushtrojë kompetencat e tij. Unë i siguroj qytetarët shqiptarë që do të ushtroj të gjitha kompetencat e mia të parapara në Kushtetutë në momentin e duhur dhe në momentin e përcaktuar nga Kushtetuta e vendit.

Gazetarja: Zoti President, në të shkuarën pa pasur diskutime të ashpra mes Institucionit të Presidentit dhe Kuvendit lidhur me dekretet e Presidentit për emërimet e anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese apo në Gjykatën e Lartë. Si do ta zgjidhni këtë konflikt me Kuvendin nëse do të ketë?

Presidenti Nishani: Së pari Presidenti i Republikës duhet të përmbushë ato detyrime dhe kërkesa që parasheh vendimi i Gjykatës Kushtetutës në këtë proces, që parasheh Kushtetuta në frymën e saj. Do të parapëlqeja dhe do të ofroja të gjitha konsultat paraprake me grupet parlamentare në përcaktimin e kritereve për të profilizuar kandidaturat, që duhet t’i ofrohen Kuvendit për nivelet e këtyre gjykatave kaq të larta dhe kaq të rëndësishme për sistemin gjyqësor dhe nga pikëpamja procedurale Presidenti është i detyruar për të ndjekur ato hapa që janë të qarta qoftë në Kushtetutë, por edhe në vendimet e Gjykatës Kushtetuese. Jam i prirur dhe nëvizoj faktin që për mua do të jetë shumë e mirëpritur çështja e konsultimeve paraprake të kritereve dhe të profileve që Presidenti i Republikës duhet të ketë parasysh në përzgjedhjen e kandidaturave që duhet t’i ofrojë më pas Kuvendit të Shqipërisë.

Gazetarja: Zoti President, po i rikthehem edhe njëherë marrëdhënieve tuaja me opozitën. Opozita ju ka akuzuar ashpër dhe ju ngarkon ju me përgjegjësi edhe për zgjedhjen e Kryetarit të ri të Shërbimit Ushtarak. A keni përgjegjësi ju? A keni dorë?

Presidenti Nishani: Të Policisë Ushtarake?

Gazetarja: Të Policisë Ushtarake?

Presidenti Nishani: Policia Ushtarake është pjesë e administratës publike. Procedura e emërimit të kreut të këtij institucioni nuk ka asnjë lidhje me Presidentin e Republikës apo me Institucionin e Presidentit në tërësi. Është një çështje që nuk kalon në asnjë rast nga Presidenti i Republikës.

Gazetarja: Po në ndonjë mënyrë apo ndonjë tjetër, nisur edhe nga Kushtetuta, ju jeni edhe Komandant i Forcave të Armatosura. Në këtë cilësi, a mundet që jut ë ndikonit për mosemërimin e këtij personi, i cili në një mënyrë apo në një tjetër, është akuzuar nga opozita se ka bërë trafik armësh?

Presidenti Nishani: Edhe njëherë, detyrat dhe kompetencat e Presidentit të Republikës janë qartazi të përcaktuara në Kushtetutën e vendit, ashtu siç janë të përcaktuara edhe detyrat, të drejtat dhe procedurat për institucionet e tjera në ligjet përkatëse të vendit. Në rastin konkret nuk ka asnjë lidhje emërimi i kreut të atij institucioni publik me Presidentin e Republikës apo me kompetencat e tij as për ta emëruar dhe as për ta penguar një emërim të tillë.

Gazetarja: Zoti Presidenti, ka kaluar vetëm një muaj nga betimi juaj në këtë detyrë dhe marrëdhëniet tuaja me opozitën janë shumë të tensionuara. Si e garantoni, çfarë garancish i jepni ju opozitës se do të jeni Presidenti mbi palët, që nuk do të jeni “noter” i partisë në pushtet apo ministër i partisë në pushtet, siç ju akuzon opozita se po funksiononi?

Presidenti Nishani: Unë nuk kam asnjë tension me opozitën, përkundrazi kam respektin maksimal për opozitën politike. E shoh atë si një nga vlerat më të rëndësishme të demokracisë në vend. Si një nga kontribuesit e rëndësishëm të konsolidimit të shoqërisë dhe të çuarjes përpara të vlerave të shoqërisë, por nga tjetër unë dua të garantoj qytetarët e vendit tim që Presidenti i Republikës nuk do të bjerë pre e asnjë platforme politike apo taktike elektorale të partive politike, por gjithmonë do të jetë në përmbushje të misionit të tij, të detyrës së tij. Presidenti i Republikës duhet të funksionojë me të gjitha kapacitetet që parasheh Kushtetuta e vendit, që parasheh Institucioni i Presidentit të Republikës. Është i detyruar të përmbushë misionit e tij, detyrat e tij. Presidenti i Republikës duhet të qëndrojë tërësisht jashtë palëve të partive politike. Politika shqiptare duhet të mësohet me modelin e një Presidenti, i cili nuk është pjesë as e mazhorancës dhe as pjesë e opozitës, por besoj që qytetarët shqiptarë kërkojnë dhe do të jenë të prirur që të kenë një President të vendit, i cili do të jetë tërësisht jashtë ndikimit të partive politike, por edhe të mos tentojë që të kërkojë në drejtim apo në adresë të partive politike, cilatdo qofshin ato. Unë besoj që Presidenti i Republikës në Shqipëri i ka aq mirë të përcaktuara detyrat dhe të drejtat e tij sa mundet që të ruajë profiling e përfaqësimin, të simbolit të Kreut të Shtetit. Dhe ne besojmë që duhet të shkojmë drejt asaj culture politike që Kreun e Shtetit ta shohim si një pozicion jot ë një personi të caktuar, por të përfaqësimit të atyre vlerave që duhet të mbartë në tërësi struktura e shtetit në respekt dhe vetëm në respekt të Kushtetutës dhe të ligjeve të vendit.

Gazetarja: Zoti President, dua t’ju pyes për Prokurorin e Përgjithshëm. A ka ndonjë dyshim se kur i përfundon, të paktën nga ana ligjore, mandati i Kryeprokurorit të Përgjithshëm? Një dyshim që është hedhur në fakt për shkak të ndryshimeve kushtetuese të vitit 2008, të cilat kufizuan mandantin e Prokurorit të Përgjithshëm deri në pesë vjet. Kur i përfundon mandate Prokurorit të Përgjithshëm? I përfundon në nëntor? Vitin tjetër? Kur?

Presidenti Nishani: Unë besoj që Shqipëria tashmë ka një legjislacion të konsoliduar. Ka edhe mekanizma, të cilat kontrollojnë zbatimin e legjislacionit apo kushtetueshmërinë e legjislacionit apo edhe të vendimeve të institucioneve të vendit. Ndaj që në momentin kur Presidenti i Republikës do të ketë në agjendë mandatin e Kryeprokurorit, padyshim edhe në konsultë me këshilltarët e tij dhe me specialistë, do të ndërmarrë të gjitha hapat e duhura. Për momentin ne kemi një Prokurore të Përgjithshme në detyrë, e cila do të mbështetet deri ditën e fundit të detyrës së saj nga Presidenti i Republikës në përmbushje të detyrave dhe përgjegjësive të saj ligjore dhe kushtetuese.

Gazetarja: Do të riemëroni Ina Ramën apo do të ketë një emër të ri?

Presidenti Nishani: Edhe kjo është një çështje e një kohe të caktuar, por unë e kam shprehur vazhdimisht publikisht që Institucioni i Prokurorisë në tërësi, Prokuroria shqiptare ka nevojë për një rritje shumë të madhe të profilit të saj professional, për një rritje të forcës dhe të integritetit të gjithë pjesëtarëve të Prokurorisë në luftën ndaj kriminaliteti, veçanërisht në luftën kundër korrupsionit. Personalisht e shoh Institucionin e Prokurorisë në një moment, që i duhet të ridimensionojë shumë fort profilin profesional, angazhimin dhe kurajën e saj.

Gazetarja: Zoti president, vetëm një orë më parë, Grupi Parlamentar i Partisë Socialiste bëri publike që ju ka drejtuar një letër, në të cilën ju kërkon të ndërhyni për disa çështje kryesore, ndër të tjera edhe për marrëveshjen e ujërave me Greqinë. Grupi Parlamentar i Partisë Socialiste pretendon se po bëhen negociata në hije lidhur me këtë marrëveshje mes qeverisë shqiptare dhe qeverisë greke dhe ndërkohë opozita nuk është në dijeni. Ju kërkon që ju të ndërhyni. A e keni marrë këtë letër?

Presidenti Nishani: Në lidhje me letrën, deri në këto momente kur ne bisedojmë së bashku, nuk ka mbërritur në Zyrën e Presidentit apo në Institucionin e Presidentit të Republikës një letër e tillë, pro natyrisht me të mbërritur, do të trajtohet me tërë seriozitetin që meriton dhe Grupi Parlamentar i Partisë Socialiste do të marrë padyshim përgjigjen korrekte nga ana e Presidentit të Republikës për të gjitha çështjet që do të ketë parashtruar në atë letër. Por kjo mbetet për momentin kur Presidenti ta shohë dhe të njihet me letrën zyrtarisht.

Përsa i takon çështjes së marrëveshjes për ujërat, unë jam informuar dhe nga autoritet e qeverisë shqiptare që nuk ka asnjë negociatë, asnjë nisje bisedimesh, asnjë procedurë të hapur rreth kësaj çështjeje. Gjithsesi, edhe njëherë, në respekt të plotë që meriton opozita, me mbërritjen e letrës, për të cilën thashë që nuk ka mbërritur ende, ajo do të ketë padyshim përgjigjen e saj.

Gazetarja: Zoti President, a keni një apel për forcat politike, nisur nga fakti se në tetor do të jepet vendimi për statusin e Shqipërisë dhe nëse do të jetë një përgjigje negative, kjo do të ndodh për herë të tretë. A keni ndonjë apel të fundit, që i ndërthur të gjitha palët politike që të muden të zgjidhin të gjitha çështjet kryesore si ajo e imunitetit, ndoshta me referendum apo në Parlament. Kjo u takon forcave politike. A keni një apel për t’ua drejtuar?

Presidenti Nishani: Në tërësi çështja e integrimit evropian dhe në veçanti hapi që kemi përpara, ai i marrjes së statusit të vendit kandidat, është një e drejtë që u takon qytetarëve të Shqipërisë. Që i takon vendit tonë. Në plotësim të kësaj të drejte të patjetërsueshme për qytetarët shqiptarë, partitë politike dhe institucionet e vendit e kanë për detyrë dhe përgjegjësi në kuadër të përgjegjshmërisë institucionale që të angazhohen dhe të japin të gjithë kontributin e tyre maksimal që qytetarët shqiptarë të marrin atë që meritojnë. Ndaj janë përfaqësues të këtyre institucioneve. Ndaj kanë marrë mandatet përkatëse për të ushtruar të gjithë përgjegjshmërinë dhe përgjegjësitë e tyre dhe për të kontribuar në realizimin e të drejtave të qytetarëve shqiptarë. Unë besoj plotësisht që kjo kohë që ka mbetur deri në momentin kur Komisioni Evropian dhe vendet anëtare të Bashkimit Evropian do të kenë një vendim në lidhje me statusin e vendit kandidat për Shqipërinë, është një kohë që ende ka nevojë për contribute. Është një kohë që ende mund të përmbushet me angazhime ndaj nëse e quaj që është një e drejtë që u takon qytetarëve shqiptarë po me atë forcë e shoh si një detyrim që kanë partitë politike dhe institucionet e shtetit shqiptar për të përmbushur përgjegjësinë e tyre dhe për të kontribuar në realizimin e këtyre hapave.

Gazetarja: Zoti President, ju për herë të parë do të vizitoni Kosovën, pse vizita juaj e parë në Kosovë? Pse Kosovën? Pse vizita juaj e parë në Kosovë?

Presidenti Nishani: Në radhë të parë ka të bëjë me çështjen e vlerësimit apo të respektit të bashkëkombasve tanë që jetojnë në Kosovë. Së dyti, po aq e rëndësishme është një vizitë, e cila do të shprehë të gjithë rmirënjohjen dhe nderimin për përpjekjet e bëra për shumë e shumë vite dhe kohë nga qytetarët e Kosovës për arritjen e standardeve të lirisë. Për kontributet që ata tashmë po japin si një realitetet e reja, por shumë të rëndësishme në tërë rajonin në kontekstin e paqes, të stabilitetit, të bashkëpunimit dhe të zhvillimit. Të gjitha vendet e rajonit, ashtu siç janë realitete konkrete, ashtu janë kontribues dhe duhet të jenë kontribues. Dhe Kosova është një nga nga kontribueset e rëndësishme sot në rajonin e Ballkanit ndaj për mua do të jetë një moment për të shprehur të gjithë nderimin dhe vlerësimin tim në emër të qytetarëve të Republikës së Shqipërisë ndaj këtyre përpjekjeve, ndaj këtyre arritjeve dhe ndaj këtyre kontributeve që qytetarët e Kosovës, institucionet e Kosovës, vetë Republika e Kosovës kanë arritur dhe po japin në tërë këtë sens bashkëpunimi, i cili në fund të fundit është rruga e vetme. Është rruga e vetme për çdo vend, për çdo shoqëri dhe për çdo komb për të ecur në të.

Gazetarja: Zoti President, ju falenderoj që mundësuat një intervistë për Televizonin Kombëtar Klan!

KOMENTE