English

Kuvendi i Kosovës miraton ligjet që i japin fund mbikqyrjes së pavarësisë

Deputetët e Kuvendit të Kosovës, në mbledhjen e sotme të kryesuar nga kryetari i Kuvendit, dr. Jakup Krasniqi, (një pjesë të mbledhjes e kryesoi nënkryetari i parë dhe anëtari i Kryesisë së Kuvendit, Xhavit Haliti), shqyrtuan Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e ligjeve që kanë të bëjnë me përfundimin e mbikëqyrjes ndërkombëtare të Pavarësisë së Kosovës.
Si zakonisht, edhe mbledhja e sotme filloi me dy pikat e përhershme të mbledhjeve plenare: Deklarime jashtë rendit të ditës dhe pyetje parlamentare.

Gjatë deklarimit jashtë rendit të ditës, deputetët: Xhavit Haliti, Halit Krasniqi, Vjosë Osmani, Petar Miletiq, Hykmete Bajrami dhe Mursel Halili, ngritën një varg çështjesh e shqetësimesh të qytetarëve, ndërkaq, pyetjes së deputetes Teutë Haxhiu, se kur do të fillojë ndërtimi i tri hyrje - daljeve për në qytetin e Gjakovës, iu përgjigj kryeministri i Qeverisë së Kosovës, Hashim Thaçi. Ai me këtë rast e njoftoi deputeten se, ashtu siç ka premtuar, ky projekt do të realizohet. "Lidhur me këtë, jemi në koordinim të ngushtë me autoritetet komunale", tha kryeministri Thaçi, dhe shtoi se pas përfundimit të projektit do të fillohet me implementimin e tij.

Lidhur me shqetësimin e ngritur nga deputeti Petar Miletiq, për siç tha ai, moszbardhjen e incidenteve dhe dhunës kundër disa pjesëtarëve të komunitetit serb, u përgjigj ministri i Ministrisë së Punëve të Brendshme, Bajram Rexhepi. Ai, duke vënë në pah pakënaqësinë e tij për sukses të kufizuar lidhur me këtë çështje, po ashtu tha se për sukses të plotë duhet bashkëpunim i ngushtë në mes të komunitetit dhe Policisë së Kosovës. Ministri foli edhe për masat e marra nga ana e Ministrisë për shuarjen e zjarrit në disa nga pyjet e Kosovës. " Ne, iu kemi drejtuar KFOR-it dhe shteteve të tjera, por përgjigja ka qenë negative", tha ministri Rexhepi.

Pas përfundimit të këtyre pikave të rendit të ditës, mbledhja vazhdoi me shqyrtimin e Projektligjit për ndryshimin dhe plotësimin e ligjeve që kanë të bëjnë me përfundimin e mbikëqyrjes ndërkombëtare të Pavarësisë së Kosovës. Këtë Projektligj, para deputetëve e paraqiti dhe e arsyetoi kryetari i Komisionit Ad-hoc, Arsim Bajrami. Duke e konsideruar këtë projektligj si të rëndësisë së veçantë, Bajrami, fillimisht falënderoi anëtarët e komisionit për kontributin e dhënë gjatë procesit të amendamentimit të këtij projektligji. Me këtë projektligj, tha ai, Kosova po fiton të drejtën për të qeverisur veten. Ai, po ashtu falënderoi shefin e ICO-së Piter Fait, Ambasadën Amerikane në Prishtinë, USAID-in dhe spektrin politik në Kosovë për kontributin e dhënë në procesin shte- formues të Kosovës. Tutje, Bajrami njoftoi se projektligji përmban 47 amendamente, për të cilat kërkoi përkrahjen e tyre nga deputetët.

Gjatë procesit të shqyrtimit të projektligjit, (ku disa nga amendamentet ishin të propozuara nga deputetët: Albulena Haxhiu, Hydajet hyseni, Visar Ymeri, Glauk Konjufca dhe Liburn Aliu, e që nuk kishin mbështetjen e komisionit), nuk pati shumë debate, deri në shqyrtimin e amendamentit 32, i cili nxiti edhe reagimin e kryeministrit të Qeverisë së Kosovës, Hashim Thaçi. Kjo dispozitë ligjore rregullon pozitën e komuniteteve fetare, ndërkaq, kryeministri i vendit u fokusua për rëndësinë e miratimit të projektligjit në tërësi, duke mos vënë theksin mbi amendamente të caktuara. "Jemi në fazën finale në përmbushjen e obligimeve për heqjen e pavarësisë së mbikëqyrur", tha kryeministri. Gjendemi para një realiteti që duhet ta kalojmë së bashku, tha në vijim ai, dhe shtoi se amendamentet e propozuara nga komisioni, Qeveria i mbështetë në tersi. Të njëjtën gjë kërkoi edhe nga deputetët, dhe njoftoi se në një takim me përfaqësuesit e të gjitha partive politike, janë dakorduar që ky proces të përkrahet edhe në Kuvend.

Pas kësaj, deputetët vazhduan me shqyrtimin e amendamenteve, ku vetëm 3 amendamente 32, 33 dhe 37 nuk arritën të sigurojnë shumicën e nevojshme sipas nenit 81 të Kushtetutë, amendamentet e tjera u miratuan nga deputetët.

KOMENTE