English

Topalli-Chountis: Vendi i Shqipërisë është në Bashkimin Europian

Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli priti sot në një takim raporterin e Komisionit të Jashtëm në Parlamentin Europian, eurodeputetin Nicholaos Chountis.

Eurodeputeti Chountis ndodhet në Tiranë në kuadër të përgatitjeve të rezolutës së Parlamentit Europian për integrimin europian të Shqipërisë dhe pritet të zhvillojë takime me krerët më të lartë të shtetit, institucioneve si dhe partive politike.
Topalli-Chountis diskutuan lidhur me zhvillimet më të fundit në Shqipëri në funksion të plotësimit të rekomandimeve të Komisionit Europian, ku u vlerësua trendi pozitiv i ecurisë së reformave në këtë drejtim.
Çështja e imunitetit, ishte një ndër temat ku dy personalitetet u ndalën gjerësisht gjatë takimit. Kryetarja e Kuvendit tha se mazhoranca është e vendosur për të përdorur të gjitha mjetet që ofron ligji dhe Kushtetuta për të realizuar këtë nismë të rëndësishme, kërkesë kyçe në paketën e kërkesave të KE.
“Presim një reagim pozitiv nga opozita për kufizimin apo heqjen e imunitetit. Mazhoranca pranoi tërësisht draftin me kërkesat e opozitës në lidhje me çështjen e imuniteteve por opozita sërish refuzoi ta votojë atë. Heqja e imunitetit është shumë e rëndësishme, është një mjet që barazon qytetarët dhe pushtetarët para ligjit por është gjithashtu një mjet që i jep vet opozitës më shumë hapësira për të kontrolluar qeverinë, ministrat etj. Mosmiratimi i kësaj nisme nga opozita, sigurisht që do të ketë kosto politike për të. Shqiptarët duan një Shqipëri pa imunitete dhe pa privilegje për pushtetarët” tha Kryetarja e Kuvendit.

Lidhur me këtë çështje, eurodeputeti Chountis theksoi se e gjithë klasa politike duhet të dialogojë dhe të bashkëpunojë për heqjen e imunitetit, jo vetëm se është një kërkesë e KE por edhe se është një mënyrë e mirë për transparencën dhe luftën kundër korrupsionit.
“Nuk duhet të ketë dallime për këtë çështje. Nuk duhet të trajtohet si një çështje politike, nga e cila përfiton njëra apo tjetra palë, kjo është një çështje që prek së pari interesat e qytetarëve, ndaj duhet të ketë më shumë bashkëpunim dhe konsensus.” tha eurodeputeti Chountis.

Eurodeputeti Chountis rikonfirmoi mbështetjen e Parlamentit Europian për integrimin e shpejtë të Shqipërisë në Bashkimin Europian ndërsa vlerësoi përparimin që është shënuar kohët e fundit në finalizimin, siç tha ai, të shumë detyrave që Brukseli ka vënë ndaj vendit tonë.
“Askush nga vendet e BE nuk mund të mohojë progresin që Shqipëria ka shënuar. Është në përgjegjësinë e të gjithë palëve politike që të vijojnë ritmin e reformave që brenda këtij viti vendi të përfitojë statusin kandidat. Parlamenti Europian do të vijojë të mbështesë fuqishëm Shqipërinë, shumica e deputetëve në PE janë në favor të integrimit të tuaj. Ne urojmë që ju të përfitoni statusin këtë vit.” u shpreh eurodeputeti Chountis.


“Shqipëria ka kapërcyer periudhën e vështirë të bojkotit dhe bllokimit nga ana e opozitës. Sot situata është pozitive, janë hedhur hapa të rëndësishëm në kompletimin e shumë reformave, pjesë e rekomandimeve të KE. Parlamenti ka kaluar ligje të rëndësishme që kërkojnë 3/5 e votave, Avokatin e Popullit, është miratuar po me konsensus Reforma Zgjedhore dhe po punohet për realizimin e reformave të tjera të rëndësishme që afrojnë Shqipërinë me BE” tha Kryetarja e Kuvendit.
“Shqiptarët duan të marrin statusin e vendit kandidat dhe ne kemi bërë dhe vijojmë të bëjmë të gjitha përpjekjet për ta merituar atë. Kandidat në BE, do të ishte një moment i veçantë këtë vit, ku Shqipëria dhe shqiptarët festojnë 100-vjetorin e shpalljes së Pavarësisë” u shpreh Kryetarja Jozefina Topalli.
Kryetarja Jozefina Topalli dhe Eurodpeuteti Chountis disktuan gjithashtu edhe lidhur me performancën ekonomike në vend ku u vlerësua trendi pozitiv i rritjes ekonomike pavarësisht krizës financiare si dhe zhvillimi që po përjeton vendi falë investimeve të shumta në infrastrukturë, turizëm, energji, arsim, shëndetësi, bujqësi, etj.

KOMENTE