English

Hamadoun Touré: Parku high-tech në Shqipëri do të jetë i sukseshëm pasi ka një popullsi inteligjente

Kryeministri Berisha zhvilloi sot një konferencë të përbashkët për shtyp me Sekretarin e Përgjithshëm të ITU (Unionit Ndërkombëtar të Telekomunikacionit) z. Hamadoun Touré, pas përfundimit të konferencës së parë rajonale për internetin me bandë të gjerë, e cila zhvilloi punimet në Tiranë dhe u organizua nga Ministria për Inovacionin dhe TIK, në bashkëpunim me Unionin Ndërkombëtar të Telekomunikacionit (ITU).
Në fjalën e tij kryministri Berisha ka theksuar:

"Shqipëria është një anëtare themeluese e Bashkimit Ndërkombëtar të Telekomunikacionit dhe unë dua të garantoj shqiptarët se kjo agjenci ka qëndruar gjithnjë në shërbim dhe në mbrojtje të interesave të tyre në këtë fushë. Raportet e tyre mbi situatën e telekomunikacionit kanë qenë të një rëndësie të veçante në ndërtimin e politikave në interes të qytetarëve shqiptarë. Pa këto raporte, kjo fushë nuk do të mund të ishte ne situatën pozitive që ndodhet sot. Ju jeni dëshmitarë, se pak vite më parë shqiptarët paguanin impulsin sa frëngu, pulën, pra paguanin çmime stratosferike, ndërsa sot shqiptarët paguajnë çmime normale ose disa herë më të ulëta se ato që ishin vite më parë. Sot shkalla e penetrimit të telefonisë mobile nga 38 % që ishte ne fund të vitit 2005, ka arritur në 187 % dhe tregu i këtyre sipërmarrjeve, tregu i komunikimeve është një nga tregjet më dinamike me një potencial të madh ndikimi në zhvillimin e këtij vendi në të gjitha fushat. Por me mbështetjen, ndihmën dhe inkurajimin e dr. Toure dhe agjencisë që ai kryeson ka qëndruar një nga faktorët dhe mbështetjet e fuqishme të qeverisë për realizimin e një ëndrre të vërtetë të të rinjve shqiptarë dhe shqiptarëve në tërësi, të Shqipërisë dixhitale."

Ndërsa Sekretari i Përgjithshëm të ITU (Unionit Ndërkombëtar të Telekomunikacionit) z. Hamadoun Touré ka theksuar.
"Vërtetë unë jam shumë i impresionuar nga vizioni i Shqipërisë dixhitale të viti 2020 që parashtroi kryeministri. Ne e dimë shumë mirë që për të zhvilluar këtë sektor kemi nevojë së pari për vizion, së dyti ju duhet të keni kornizën e duhur ligjore dhe rregullatorë për të ftuar sektorin privat që të investojë dhe së treti, ju duhet që qeveria të bëjë përgatitjet e duhura për ti konkretizuar këto gjëra, në mënyrë që të jenë të gatshme për të ardhmen.

Në vitin 2020 mendohet që do të jenë 50 bilion mjete elektronike të shpërndara. Kjo do të bëhet në një mënyrë të tillë që do të lehtësoje dhe përmirësoje jetën tonë. Dhe kjo do të jetë e mundshme, e arritshme dhe e sigurt.

Këto janë shtytësit kryesorë që ne diskutojmë si Union Ndërkombëtar i Telekomunikacionit dhe në forumin ndërkombëtar që diskuton sot në Shqipëri."

Ndërsa lidhur me pyetjen nëse do të ketë ndonjë sugjerim rreth veprimeve rregullatorë për nxitjen e penetrimit të mëtejshëm të lidhjeve Broadband në Shqipëri, zoti Touré u përgjigj:

"Së pari, dua të them dhe unë dy fjalë lidhur me këtë Parkun high-tech. Është një ide brilante dhe tregon për mënyrën se si një strategji kombëtare mund të evolojë. Kjo është ajo strategji që qëndron pas Luginës Silikon të SHBA-ve dhe kjo është një nga ato strategji që në vende të tilla si Koreja, Japonia ka funksionuar me sukses. Dhe pse mund të them që kjo aplikohet në një vend të vogël siç është Shqipëria, jo vetëm në sipërfaqe, por edhe në popullatë? Sepse ne ndodhemi në botën e komunikimit, kur roli i superfuqisë mbaron. Sepse çdo qytetar këtu është vetë një superfuqi, sepse është truri ai që përbën superfuqinë. Këtu pra nuk hyn as rraca dhe as roli sepse çdo njeri është i barabartë. Shqipëria ka një popullatë të re, një sistem të shumë të mirë arsimimi dhe njerëz të zgjuar dhe inteligjentë. Dhe kjo është një mundësi për të futur edhe sektorin privat dhe për ti dhënë atyre mundësi për novacion. Prandaj ne qëndrojmë pas rritjes së këtij projekti në Shqipëri. Dhe kjo më çon në pyetjen që ju bëtë për rritjen e Broadband në Shqipëri dhe përmirësimin e tij. Teknopark është një nga mënyrat për të shtuar jo vetëm hapësirën, por edhe veprimtarinë e kësaj fushë. Për Broadband-in ju keni nevojë për një sërë kushtesh, unë përmenda së pari vizionin dhe kornizën rregulluese ligjore. Keni nevojë për kapacitet në mënyrë që ta drejtoni sektorin drejt krijimit të vendeve të punës për brezin e ri. Dhe së fundi edhe vetë qeveria do të bëjë disa shërbime elektronike që do të nxisin në këtë drejtim dhe këto janë arsimimi elektronik, shëndetësia elektronike dhe të gjithë qytetarët duhet të kenë akses në kompjutera, laptop apo smartphone dhe këto të jenë të lidhur. Pra në se të gjitha kushtet po krijohen, rritja do të vijë gjithnjë e më e fuqishme. Kjo është formulë që ka dhënë fryte në vende të tjera dhe që mund ti adoptojë."

KOMENTE