English

Përuruohet shkolla e re në Carrallukë të Malishevës

Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Ramë Buja ka përuruar sot objektin e ri të shkollës fillore dhe të mesme të ulët "Hilmi H. Hoti" në Carrallukë të Malishevës.

Para shumë qytetarëve, nxënësve dhe mësimdhënësve, ministri Buja u shpreh se "në momente kur përurohen objekte të tilla nuk ka mundësi të mos ketë emocion".

"Emocioni është i dyfishtë që bëjmë shkollë të re dhe kjo shkollë mban emrin e një bashkëluftëtari, njeriut që me traditë pati kombëtarinë e shqiptarinë. Babai i tij vuajti burgjeve për lirinë e Kosovës, djali u flijua për të dhe realizoi lirinë", tha ministri Buja dhe theksoi se e gjithë merita iu takon atyre që dhanë edhe jetën e tyre që ne të kemi mundësi sot të jetojmë lirinë dhe të festojmë dhe të bëjmë shkolla të reja.

"Kanë thënë se ta hapësh një shkollë, ke mbyllur një burg. Ndoshta më shumë se kaq. Të hapësh një shjkollë, është të hapësh portat e jetës përpara progresit dhe lëvizjes drejt botës së civilizuar. Dhe kjo po ndodhë në Kosovë", tha ministri i Arsimit dhe theksoi se Qeveria e Kosovës i jep prioritet arsimit, sepse duke bërë vajzat dhe djemtë tanë të ditur, i kemi portat e hapura gjithandej botës.

Kjo shkollë tanimë do të punojë vetëm në një ndërrim dhe ministri tha se kjo është mrekullia. "Synimi i Ministrisë së Arsimit dhe i Qeverisë së Kosovës është që të gjithë nxënësit e Kosovës të punojnë në shkollat e tyre me një ndërrim dhe ju e realizuar sot, të tjerët e kanë në rrugë për ta realizuar", tha ai.

Ministri Buja porositi nxënësit, mësimdhënësit, dhe të gjithë qytetarët që ta ruajnë këtë objekt i çmuar për Carrallukën.

Ndërsa, kryetari i Komunës së Malishevës, Isni Kilaj përmendi shumë shkolla që janë ndëruar në këtë Komunë, ndërsa drejtori i shkollës, Jup Hoti foli për historinë e pasur që ka shkolla në arsimimin e shumë brezave.

KOMENTE