English

Presidenti Nishani garantoi Presidentin Van Rompuy se është i vendosur të luajë rolin e tij kushtetues

Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Bujar Nishani në kuadër të vizitës zyrtare triditore në Bruksel u prit në një takim nga Presidenti i Këshillit Evropian, Herman Van Rompuy.

Presidenti Nishani bëri një pasqyrë të detajuar të arritjeve në procesin e reformave, bazuar në 12 prioritetet e Komisionit Evropian duke theksuar se integrimi evropian është alternativë e vetme dhe gëzon mbështetjen e mbarë popullit shqiptar.

Presidenti Nishani garantoi Presidentin Van Rompuy se është i vendosur të luajë rolin e tij kushtetues për të kontribuar në reformimin e sistemit të drejtësisë me qëllim rritjen e efektivitetit në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar si edhe në nxitjen e një procesi gjithëpërfshirës ku të gjitha palët të ndiejnë përgjegjësinë për ecurinë e procesit dhe po ashtu të ndajnë frytet e suksesit.

Kreu i Shtetit vuri në dukje se anëtarësimi i Shqipërisë në NATO dhe liberalizimi i vizave për qytetarët shqiptarë janë shembuj pozitivë që provojnë se Shqipëria respekton me seriozitet rregullat dhe standardet e kërkuara.

Politika rajonale e Shqipërisë, e cila bazohet në parimin e marrëdhënieve të fqinjësisë së mirë dhe në mbështetje të paqes dhe stabilitetit në rajon zuri një vend të veçantë në prezantimin që Presidenti Nishani bëri për situatën në rajon.

Presidenti i Këshillit Evropian, Herman Van Rompuy e përgëzoi Presidentin Nishani për arritjet e Shqipërisë në proceset e reformave dhe theksoi se mbetet mbështetës i zgjerimit të Bashkimit Evropian në Ballkanin Perëndimor dhe veçanërisht për integrimin evropian të Shqipërisë.

Presidenti Van Rompuy e cilësoi Shqipërinë si një faktor kyç stabiliteti në rajon dhe inkurajoi që ajo të vazhdojë të luajë këtë rol.

Presidenti i Këshillit Evropian vuri në dukje se Shqipëria është e përgjegjshme në reformat dhe e qartë në perspektivën e saj.

Presidenti Van Rompuy vlerësoi lart angazhimin e Presidentit Nishani për angazhimin e tij për gjithëpërfshirjen e faktorëve politikë, institucionalë dhe shoqërisë civile në procesin e reformave.

Në përfundim të takimit, Presidenti i Komisionit Evropian, Van Rompuy dhe Presidenti Nishani dhanë deklarata shtypi.

KOMENTE