English

Berisha takon grupin studimor danez

Kryeministri Berisha priti sot një delegacion të shoqërisë daneze për politikën e jashtme, i cili po viziton Shqipërinë në një mision studimor.

Kryeministri i shprehu miqve kënaqësinë që priste një delegacion të tillë nga Danimarka dhe shprehu besimin se kjo vizitë do t'u japi atyre mundësinë që të njohin zhvillimet e Shqipërisë.

Në përgjigje të interesit të shprehur prej tyre kryeministri u bëri një ekspoze të zhvillimeve dhe reformave politike, ekonomike e sociale që ka ndërmarrë qeveria shqiptare në mënyrë të veçantë në dy mandatet e qeverisjes së mazhorancës aktuale. Kryeministri nënvizoi që Shqipëria nga vendi i tretë më i varfër në botë me ekonomi dhe infrastrukturë të shkatërruar sot është një vend me të ardhura të mesme të larta, me disa indekse të zhvillimit ekonomik e shoqëror të krahasueshme me vende të BE-së me një rrjet infrastrukturor në një fazë modernizimi të fuqishëm. Ai gjithashtu nënvizoi përmirësimin e klimës së biznesit dhe mbrojtjes së investimeve dhe politikën e taksave të ulta si themel i zhvillimeve pozitive në sektorë të ndryshëm të ekonomisë si turizmi, energjia, etj dhe theksoi se ndërhyrja e qeverisë për të ndihmuar biznesin ka qenë mburoja më e mirë ndaj krizës duke I lejuar Shqipërisë që të vazhdojë të mbajë rritje pozitive ekonomike.

Kryeministri theksoi se prioriteti kryesor i qeverisë shqiptare është integrimi në BE dhe se ajo e konsideron si një proces të bazuar në merita. Ai i njohu të pranishmit me politikën bllokuese të ndjekur nga opozita pas vitit 2009 por theksoi se pas ndëshkimit të kësaj politike nga vota e zgjedhjeve të vitit 2011 u bë e mundur miratimi i një sërë reformash konsensuale. Kryeministri siguroi se qeveria është ë vendosur të vazhdojë në rrugën ë integrimit evropian. Në këtë kontekst kryeministri nënvizoi rëndësinë e luftës kundër korrupsionit, luftë në të cilën merr rëndësi jo vetëm ndëshkimi por edhe rritja e transparencës në qeverisje.

Delegacioni danez në përfundim të takimit e falënderoi kryeministrin për ekspozenë e bërë dhe gadishmërinë për tju përgjigjur interesimit të tyre

KOMENTE