English

Berisha: Edi Rama është lule në pikturë, se ç’është në matematikë

Kryeministri Berisha, në vijim të informimit mbi performancën ekonomike, analizoi sot, në mbledhjen e qeverisë, të dhënat për regjistrimin e bizneseve në qarkun e Tiranës dhe punësimin.

Duke sjellë të dhënat e fundit për këto dy tregues, sipas të cilave, numri i bizneseve të vogla të regjistruara vetëm në qarkun Tiranës është rritur me 5988 biznese dhe numri i të punësuarve është rritur me 8 589 persona, Kryeministri Berisha hodhi poshtë deklaratat e opozitës për falimentim të biznesit të vogël, duke i konsideruar ato deklarata “ziliqare e keqdashëse”, të pambështetura në fakte. Kryeministri tha se dinamika e bizneseve flet për gjallëri të ekonomisë shqiptare dhe përgënjeshtron zotin Rama, i cili “zotëron dy mekanizma: pazarin dhe trillimin.”

Lidhur me këtë çështje, Kryeministri Berisha tha:

“Unë do t’i lejoj vetes të qartësoj qytetarët shqiptarë se një propagandë nxirosëse, e ligë, ziliqare e keqdashëse në pafundësi po bëhet këto kohë, në drejtim të jetës ekonomike të vendit dhe ekonomisë në tërësi. Unë kam këtu, të dhënat që faktojnë në mënyrën më të pakundërshtueshme, gjallërinë, vitalitetin e ekonomisë sonë. Në mbledhjen e kaluar, ju njoha me rritjen e shitjeve të përgjithshme me 25.6 përqind, që deklarohet nga vetë tregtarët e biznesmenët. Mund të jenë më shumë, por të deklaruara janë 25.6 përqind.

Le të shohim dinamikën e bizneseve. Është shumë fatkeqe propaganda e zotit Rama. Ky zotëri ka vetëm dy mekanizma, që ia thotë mendja se do ta afrojnë me pushtetin. I pari është pazari e vetëm pazari: më jep, të jap. Por unë nuk mundem, nuk jam njeri i pazareve. Unë jam njeriu i parimeve që besoj e që u përmbahem. Ndaj i bëj edhe një herë thirrje zotit Rama, të heqë dorë nga logjika e pazareve, se bëhet figura më e keqe. Një herë thotë, dal nga parlamenti për ligjin e Gjykatës Administrative, nëse nuk më jep këtë,një herë tjetër thotë unë nuk e bëj këtë, po nuk më dhe këtë. Politika nuk është pazar. Politika është moral, është tërësi principesh e alternativash që mbrohen nga ata që i besojnë. Zoti Rama beson vetëm në forcën e pazarit. Mu kujtua diçka. Ditën kur u zgjodh kryetar i Partisë Socialiste, njëri nga dy ekonomistët kryesorë të PS-së i thotë tjetrit se nuk e kuptonte se çfarë e deshi ai [zoti Rama] këtë detyre. Përgjigja e tjetrit ishte ajo që kujt nuk mund t’i shkojë ndërmend: Ai mori bankën më të madhe të Ballkanit. Ndaj edhe koncepti i tij për partinë është pazari.

Koncepti i dytë është tragjik: të trillojë gjërat më të paqena. Dëgjoi se në Greqi kanë falimentuar 60 mijë biznese, të nesërmen deklaroi se në Shqipëri kanë falimentuar 30 mijë biznese. Por, për këtë, le t’u referohemi fakteve. Po jap situatën për Tiranën si qytet, rrethina, komuna rreth saj dhe qark. Vitin e kaluar, Tirana ka pasur të regjistruar me aktivitet, 52 636 biznese. Këtë vit ka 58 624 biznese. Si njeri i rrethuar nga njerëz që nuk kanë absolutisht koncept tjetër për biznesin, veçse ta vjelin e ta mjelin, del e thotë sa janë çregjistruar. Zotëri, në qoftë se kanë qenë të regjistruara 52 636 mijë biznese e sot janë të regjistruara 58 624 mijë biznese, shtesa është 5988 biznese. Pra, në këto 8 muaj, në qarkun e Tiranës bizneset janë rritur me 5988 apo rreth 6 mijë biznese, ose me 10 apo 12 përqind. Pra, janë rritur me rritje dyshifrore. Për këtë të shkojnë të marrin bizneset që janë regjistruar. Sigurisht, që biznese çregjistrohen çdo ditë, për një apo tjetër arsye, por numërohen bizneset që janë në aktivitet dhe ato janë 58 624, kundrejt 52 636 biznese, një vit më parë. Të ndalemi tek të punësuarit. Janë rritur me 8 589 të punësuar, afër 9 mijë të punësuar. Ata mund të jenë edhe më shumë, por kaq janë evidentuar. Dhe këto, sepse modeli ynë ekonomik funksionon. Vërtet kanë falimentuar biznese të vogla dhe unë di vende të tjera si Greqia që ka thënë se i kanë falimentuar deri më sot mbi 50 mijë biznese të vogla, ndërsa këtu ka rritje të bizneseve të vogla. Vetëm në qarkun e Tiranës, janë shtuar me rreth 6 mijë. Zoti Rama deklaron se bizneset e vogla paguajnë 2.6 herë më shumë se në kohën e tij. Sërish i rikujtoj zotërisë se nuk është normale. Në kohën e tij, ato paguanin 1 milionë 470 mijë lekë, sot paguajnë 670 mijë lekë, pra, 60 përqind të shumës që paguanin, ose dy herë më pak. Sido që ta rregullojë matematikën, zoti Rama mbetet në historinë e këtij vendi më i dobëti shqiptar në këtë shkencë themelore të njeriut e njerëzimit. Është lule në pikturë, se ç’është në matematikë.”

KOMENTE