English

Arrestohet oficeri i policisë gjyqësore. Ndihmoi personin që kërkohej nga drejtësia aitaliane

Ka përfunduar me sukses operacioni policor “Konfirmimi i rremë” realizuar nga Drejtoria Kundër krimit Financiar në Departamentin kundër Krimit të Organizuar e Krimeve të Rënda në Policinë e Shtetit në bashkëpunim me njësinë e përbashkët hetimore Task Forcë pranë Prokurorisë së rrethit Gjyqësor Tiranë, për kapjen dhe arrestimin e shtetasve:

. Aleksandër Nikollë Kolmarku, 53 vjeç, me detyrë oficer i policisë gjyqësore pranë Prokurorisë së rrethit Gjyqësor Lezhë.
. Gjergj Nikola Tushaj, alias Gjokë Ndue Tushaj, vjeç 48, banues në Tiranë.

Arrestimi i këtyre shtetasve u bë i mundur në sajë të një hetimi intensiv disa mujor të kryer nga Sektori Kundër Korrupsionit në Policinë e Shtetit në bashkëpunim me njësinë Task Forcë, në kuadër të zbatimit të një letërporosie të autoriteteve policore italiane për shtetasin Gjergj Nikola Tushaj, (alias Gjokë Ndue Tushaj), i akuzuar nga autoritetet italiane për veprat penale rrëmbim personi, shfrytëzim prostitucioni dhe marrëdhënie seksuale me dhunë.

Nga tërësia e veprimeve hetimore të kryera, ka rezultuar se shtetasi Aleksandër Kolmarku, përmes shpërdorimit të detyrës dhe falsifikimit të dokumenteve, ka ndihmuar shtetasin Gjergj Tushaj (alias Gjokë Tushaj) që t’i shmanget përballjes me autoritetet italiane të drejtësisë.

Bazuar në materialet e grumbulluara nga strukturat e Policisë së Shtetit dhe të Prokurorisë në kuadër të këtij hetimi, nga Gjykata e Shkallës së parë në Tiranë ndaj këtyre shtetasve është caktuar masa e sigurisë “arrest me burg”.

Operacioni për arrestimin e tyre është zhvilluar nga strukturat e Policisë së Shtetit rreth orës 12.30’, të ditës së sotme njëkohësisht në qytetet e Tiranës dhe të Lezhës.

Materialet procedurale në ngarkim të tyre do t’i kalojnë për ndjekje të mëtejshme Prokurorisë së rrethit gjyqësor Tiranë nën akuzën e kryerjes së veprave penale “shpërdorim detyre” dhe “falsifikim dokumentesh” e kryer në bashkëpunim, parashikuar nga nenet 248, 186 dhe 25 të Kodit Penal.

KOMENTE