English

Komisioni i ekonomisë miraton 2 projektligje

Sot janë shqyrtuar projektligjet “Për aderimin e Republikës së Shqipërisë në ndryshimet e neneve të marrëveshjes së Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN)”, si dhe “Për ratifikimin e instrumentit të angazhimit të Republikës së Shqipërisë në shtesën e burimeve të Shoqatës Ndërkombëtare për Zhvillim (IDA), plotësimi i gjashtëmbëdhjetë” nga Komisioni për Ekonominë dhe Financat.

Ndryshimet e neneve të marrëveshjes së Fondit Monetar Ndërkombëtar erdhën si pasojë e reformave institucionale të ndërmarra nga FMN dhe të miratuara nga Bordi i Guvernatorëve të këtij organizmi financiar në dhjetor të vitit 2010 nëpërmjet rezolutës nr.66-2 “Rishikimi i 14-të i përgjithshëm i kuotave dhe reforma e Bordit Ekzekutiv i Fondi Monetar Ndërkombëtar”.

Në bazë të udhëzimeve të departamentit juridik të FMN-së, përpara dhënies së pranimit për amendamentet përkatëse të neneve të marrëveshjes së FMN-së, çdo vend anëtar, përfshirë edhe Republikën e Shqipërisë, duhet të sigurojë plotësimin e tri kushteve që konsistojnë në: miratimin e akteve të nevojshme juridike në bazë të legjislacionit ndërkombëtar për pranimin e amendamenteve; pranimin e amendamenteve nga personi ose organi kompetent i vendit anëtar dhe komunikimin FMN-së të pranimit të këtyre amendamenteve.

Ndërkaq, Komisioni për Ekonominë diskutoi edhe për projektligjin “Për ratifikimin e instrumentit të angazhimit të Republikës së Shqipërisë në shtesën e burimeve të Shoqatës Ndërkombëtare për Zhvillim (IDA), plotësimi i gjashtëmbëdhjetë”.
Bordi i guvernatorëve të Shoqatës Ndërkombëtare për Zhvillim, ku Shqipëria është anëtarësuar që prej vitit 1991, me rezolutën nr.227, datë 26.4.2011 ka vendosur rritjen e burimeve të këtij institucioni financiar ndërkombëtar.
Vendeve anëtare u kërkohet të depozitojnë pranë IDA-s një instrument angazhimi për të konfirmuar pjesëmarrjen në plotësimin e gjashtëmbëdhjetë, si shtesë burimesh financiare dhe brenda 31 ditëve nga depozitimi i këtij instrumenti do të vijohet me kryerjen e pagesës. Plotësimi i 16-të ka një detyrim në shumën 1,205, 016 lekë, që do të mbulohet me fondet buxhetore të Ministrisë së Financave për vitin 2012.

Pas diskutimeve, anëtarët e komisionit i miratuan të dy projektligjet në fjalë dhe u shprehën dakord me kalimin e tyre në seancë plenare.

KOMENTE