English

Basha te fakulteti ekonomik - ekonomia ka nevojë për kreditim

Kryetari i Bashkisë së Tiranës Lulzim Basha ka marrë pjesë sot, si i ftuar nderi në ceremoninë e diplomimit të studentëve të Fakultetit Ekonomik të Universitetit të Tiranës. Zoti Basha i ka konsideruar studentët, një aset të çmuar për zhvillimin e Tiranës, sikundër ka shprehur gadishmërinë e tij, për të ndërmarrë hapa dhe vendime që do t’i ndihmojnë këta të rinj, për të hapur një biznes apo gjetur një vend pune. Një nga këto masa e cila ka nisur të japë dhe frutet e saj, është shndërrimi i Bashkisë në një urë lidhëse, mes punëkërkuesve dhe punëdhënësve në qytetin e Tiranës.

“Bashkia mund të bëjë diçka dhe po bën diçka duke stacionuar personel të specializuar pranë Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë dhe institucioneve të tjera, konfederatave të biznesit, që duke bërë shkëmbimin e të dhënave që vijnë pikërisht nga bota akademike, universitetet, të dhënat, CV-të tuaja, me vendet e punës që hapen në qytet dhe këtë e pamë të institucionalizuar edhe më mirë në panairin “Studio dhe puno”, që u zhvillua pikërisht në ambientet e Pallatit të Kongreseve, para disa javësh. Rezultatet: 250 të punësuar në muajt qershor – korrik dhe gusht dhe 3000 vende pune të ofruara nga panairi “Puno dhe studio”. Këtu ka vend për përmirësime të mëtejshme dhe njëri prej këtyre duhet të jetë përdorimi maksimal i teknologjisë së informacionit, për të shkëmbyer informacionin midis kërkesës dhe ofertës në vendin e punës” – u shpreh Kreu i Bashkisë Lulzim Basha.

Kryetari i Bashkisë së Tiranës, një mbështetës i politikës së taksave të ulta ka sjellë në vëmendje dhe sukesin e iniciativës së tij, për heqjen dhe reduktimin e 60 taksave dhe tarifave vendore si dhe krijimin e sportelit unik për lejet dhe licencat. Ky vendim çoi në harkun kohor të një viti, në një rritje të bizneseve të reja dhe shtim të vendeve të punës.

Kur ndërmorrëm këto hapa, shumëkush u tregua skeptik apo indiferent por cilat janë rezultatet, jo sipas Bashkisë por sipas shërbimit qendror të taksave dhe Institutit të Statistikave. Në një vit tejet të vështirë për ekonominë botërore, edhe më dramatik për rajonin, në qytetin e Tiranës, vetëm gjatë 12 muajve u krijuan 6880 vende pune më shumë se sa viti paraardhës dhe 5 000 kompani të vogla dhe të mesme u hapën dhe u regjistruan në këtë qytet. Kjo masë funksionoi dhe dha rezultatet e dëshiruara”- theksoi z. Basha.

Duke iu referuar debatit të fundit për taksat, zoti Basha është shprehur kundër kthimit tek socializmi pa taksa,ndërsa ka theksuar domosdoshmërinë e kreditimit të ekonomisë.

“Nuk besoj se është realiste, të flasësh për një ekonomi pa taksa. Nuk ka nevojë ekonomia jonë për një mungesë të tillë realizmi. Taksa e sheshtë, taksa e ulët funksion. Ekonomia ka nevojë për kreditim dhe ne duhet të mendojmë rrugë të reja inovative, për të hapur grushtin e mbledhur me të padrejtë të disa prej bankave të nivelit të dytë dhe për të stimuluar ekonominë nëpërmjet kreditimit të ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme dhe bizneset që do të hapen së shpejti edhe nga ju në sallë dhe kolegët tuaj anembanë Shqipërisë.

Unë kam një plan për këtë në qytetin e Tiranës dhe meqënëse prapa meje ndodhen jo vetëm profesorë por edhe anëtarë të Këshillit Bashkiak, përfitoj nga rasti që këtu para jush të përsëris atë pikë kryesore të planit, që është krijimi në buxhetin e vitit të ardhshëm i një fondi garancish, tërësisht nga paratë e taksapaguesve të qytetit të Tiranës prej 2 milionë eurosh, për të kredituar ndërmarrje të vogla dhe te mesme që hapen nga qytetarë të Tiranës, nën moshën 35 vjeçare. Nuk është shumë por është një fillim i cili shpresoj se do të mbështetet dhe nga qeveria edhe nga fonde të tjera.

Ekonomia ka nevojë për kreditim, bankat janë plot me likuiditet, të ulemi së bashku dhe të gjejme çelësin e vërtetë, për të rritur mirëqënien dhe të mos rrezikojmë t’u kthehemi rrugëve të mbyllura dhe pa krye, të socializmit pa taksa” – theksoi Kryebashkiaku Basha.

KOMENTE