English

Ndryshime të reja në Kodin e Punës, 48 orë punë në javë, 63 ditë leje pas lindjes, pagim i festave

Këshilli Kombëtar i Punës miratoi me konsensus në mbledhjen e djeshme ndryshimet në Kodin e Punës, i treti ky në harkun e 16 viteve që nga miratimi i tij në fillim të viteve ‘90.
Sipas Ministrit të Punës, Çështjeve Sociale dhe Shanseve të Barabarta, njëherësh edhe Kryetar i Këshillit Kombëtar të Punës, z.Spiro Ksera, “nevoja e rishikimit të Kodit të Punës lindi si pasojë e evoluimit të shoqërisë shqiptare veçanërisht në fushën e marrëdhënieve të punës me ritme shumë të shpejta nga 2003 – vit kur janë bërë edhe ndryshimet e fundit, evidentimit të problemeve që kanë lindur me zbatimin në praktikë të Kodit ekzistues, dhe në mënyrë të veçantë bazuar në aspiratën për anëtarësimin e vendit në BE, proces që kërkon para së gjithash përafrimin e Ligjit themeltar të punës me Direktivat e BE”.

Ministri Ksera vuri në dukje se ndryshimet krijojnë të drejta më të mëdha për punëmarrësit, por edhe punëdhënësit dhe i japin një frymëmarrje të re marrëdhënieve të punës në tregun shqiptar dhe konsolidojnë dhe ngrejnë në një shkallë më të lartë frymën e bashkëpunimit tripalësh.

Më tej Ministri u ndal në disa nga ndryshimet më të rëndësishme të Kodit të Punës, në të cilin janë prekur 90 nene, si parashikimin për herë të parë të rregullave për telepunën, një dukuri kjo e re në vendin tonë, rritja e mbrojtjes për gratë shtatzëna dhe nënat e reja nëpërmjet rritjes së periudhës së detyrueshme të lejes së paslindjes nga 42 në 63 ditë, ndalimin e punës së natës për gratë shtatzëna dhe me fëmijë në gji, mbrojten nga diskriminimi në punë dhe barazinë në pagesë pa diskriminim, mbrojtjen më të mirë në puësimin e të miturve nëpërmjet rritjes së moshës nga 14 vjeç në 15 vjeç.

Një mbrotje më madhe siguron Kodi i Punës për punëmarrësit duke parashikuar që njoftimi që i bën punëdhënësi për zgjidhjen e kontratës së punës duhet ta shoqërojë edhe me shkaqet e prishjes dhe se barrën e provës për të vërtetuar se shkaqet ekzistojnë e ka punëdhënësi.

Garanci të reja parashikon Kodi edhe për aksionin sindikal, duke përgjysmuar kohëzgjatjen e pajtimit, duke sanksionuar të drejtën për grevën e solidaritetit, të grevës së përgjithshme në nivel kombëtar apo rajonal, etj.

Po ashtu, ndryshimet e bëra në nenin për të drejtën e pagës në ditët e festave zyrtare vetëm kur ato bien në ditë pune, lehtësojnë koston e punës për punëdhënësit, duke e përmirësuar klimën e biznesit, dhe duke e përputhur atë me praktikën evropiane. Kodi parashikon kohën maksimale javore e punës, e cila së bashku me orët shtesë, jo më shumë se 48 orë dhe se maksimumi i orëve shtesë në vit për një punëtor nuk mund të jetë më shumë 200 orë.

Projektligji i konsultuar dje në Këshillin e Punës do të kalojë në Këshillin e Ministrave, për t’i hapur rrugën procedurës së miratimit të ligjit në Kuvend.

Përfaqësuesit e punëdhënsve dhe punëmarrësve në Këshillin i konsideruan ndryshimet në Kodin e Punës shumë të rëndësishme dhe shprehën bindjen se ato do të marrin konsensusin jo vetëm të Qeverisë por edhe të deputetëve të Kuvendit të Shqipërisë pavarësisht forcës politike që i përkasin, pasi siç u shprehën ata ”ky është një ligj i pandikuar nga fryma e qendrimeve politike dhe përbën një nga hapat e rëndësishmë për përafrimin de jure të tregut shqiptar të punës me atë evropian.

Drafti i paraqitur dje për ndryshimet në Kodin e Punës është produkt i një pune intensive dyvjeçare dhe kontributit të Grupit tripalësh të punës (qeveri-punëdhëns-punëmrrës), dhe ekspertit - Profesorit të së Drejtës së Punës në Universitetin e Budapestit, Z. Igor Tamas, dhe mbështetjes teknike dhe financiare të Organizatës Ndërkombëtare të Punës.

Projekti u parapri nga një analizë identifikuese që shqyrtoi në mënyrë të hollësishme dobësitë strukturore, si dhe sfidat që sjell globalizimi, duke marrë në konsideratë një sërë përgjigjesh rregullatore dhe politikash që gjetën mishërim në ndryshimet e paraqitura të Kodit të Punës.

KOMENTE