English

Kryeministri Berisha: proçesi i ardhshëm zgjedhor do të plotësojë të gjitha standardet ndërkombëtare

Komisionerja Europiane për Çështjet e Brendshme, zonja Cecilia Malmstrom, është pritur në takim nga kryeministri Berisha.

Pasi i uroi përzemërsisht mirëseardhjen, Kryeministri Berisha e falenderoi komisioneren Malmstrom për mbështetjen e vazhdueshme që Komisioni Europian dhe ajo personalisht i kanë dhënë Shqipërisë gjatë kësaj periudhe. Kryeministri i shprehu gjithashtu falenderimet, për përzgjedhjen e Tiranës, për organizimin e takimit të Ministrave të Brendshëm dhe të Drejtësisë të vendeve të Ballkanit Perëndimor.

Komisionerja Malmstrom e falenderoi Kryeministrin për pritjen dhe e informoi atë për suksesin e vizitës së saj në Tiranë. Ajo rikonfirmoi mbështetjen e plotë të Komisionit Europian në të gjitha përpjekjet e Shqipërisë, për të ecur me shpejtësi në hapat e mëtejshëm të integrimit europian.

Kryeministri Berisha e njohu komisioneren Malmstrom me përpjekjet, reformat e mëdha dhe arritjet e qeverisë në luftën kundër krimit, korrupsionit, në dixhitalizimin e procedurave dhe rritjen e transparencës, në arritjet e rëndësishme përsa i përket shtetit ligjor, por edhe në fushën ekonomike, ku Shqipëria është një ndër vendet e pakta që nuk hyri në recesion. Në takim u vlerësua edhe vazhdimësia e procesit të reformës në drejtësi, por edhe arritjet e rëndësishme të policisë shqiptare në luftën kundër krimit të organizuar, gjatë kësaj periudhe.

Komisionerja Malmstrom, duke e falenderuar Kryeministrin Berisha për ekspozenë, i pohoi se arritjet e rëndësishme gjatë kësaj periudhe janë identifikuar dhe vlerësuar nga Bashkimi Europian dhe janë reflektuar edhe në raportin që Komisioni Europian publikoi për Shqipërinë, duke rekomanduar edhe statusin e vendit kandidat, pas miratimit të tre akteve ligjore që kërkojnë shumicë të cilësuar në parlament. Në këtë kontekst, komisionerja Malstrom vlerësoi se për miratimin e ligjeve të lidhura me integrimin, përfshi edhe tre ligjet e kërkuara në raportin e Komisionit Europian, duhet të japin kontributin e tyre të gjitha forcat politike në parlament, pasi miratimi i tyre nuk i shërben vetëm qeverisë, por qytetarëve shqiptarë dhe projektit të tyre të integrimit në Bashkimin Europian.

Kryeministri Berisha, duke e falenderuar për mbështetjen që komisionerja Malmstrom dëshmon ndaj Shqipërisë, e siguroi se qeveria shqiptare mbetet plotësisht e vendosur për të bashkëpunuar ngushtë me Komisionin dhe vendet anëtare të BE-së, për të gjitha reformat e rëndësishme, të cilat do të përshpejtojnë ecjen përpara drejt anëtarësimit në BE, por njëkohësisht e bëjnë jetën e të ardhmen e qytetarëve shqiptarë edhe më të mirë e më të sigurt.

Kryeministri Berisha siguroi gjithashtu, se qeveria do të bëjë gjithçka për një proces të zgjedhor të lirë e të ndershëm, duke shprehur besimin se me Kodin Elektoral konsensual, i cili ka trajtuar rekomandimet e OSBE/ODIHR dhe me vullnetin e fortë të të gjithë forcave politike procesi i ardhshëm zgjedhor do të plotësojë të gjitha standardet ndërkombëtare për zgjedhjet. Në këtë kontekst, qeveria shqiptare ka kërkuar dërgimin e një numri sa më të madh të vëzhguesve të zgjedhjeve.

KOMENTE