English

Dita e Pavarësisë, sjell edhe tortën që do të futet në Guiness, si dhe 1000 desh dhe qengja

Në mbledhjen e sotme Këshillit të Ministrave, kryeministri Berisha u ndal edhe në disa prej aktiviteteve që do të zhvillohen në ditët e shënuara të festës së pavarësisë. Duke e quajtur si festa e shekullit, Kryeministri u shpreh se ajo do të jetë e larmishme në aktivitete kulturore, por edhe një ditë nderimi për të gjithë të rënët për liri të kombit shqiptar.

Ja se cilat do të jenë aktivitetet e Ditës së madhe të Pavarësisë

Ky rend dite ka një seri vendimesh, ndër të cilat janë edhe koncertet e festës së shekullit, festës së pavarësisë. Do të ketë tre koncerte në Tiranë në një shumëllojshmëri dhe zërat më të mirë, më të bukur nga muzika dhe folku, tek zërat shqiptare të skenave me prestigjiozë të Evropës dhe të botës. Do të ketë koncert në Vlorë i organizuar nga bashkia e Vlorës në bashkëpunim me Ministrinë e Kulturës, do të jetë një festival i bukur i muzikës folklorike popullore. Do të ketë paradë në Tiranë, siç është bërë e ditur festa në datën 28 nis në Vlorë, ku në datën 27 në darkë do të ketë koncert dhe një darkë të përbashkët autoritetet qendrore dhe vendore.

Të nesërmen në orën 10.00, Presidenti i Republikës do të ngrerë flamurin, do të vendosim kurora tek varri i Ismail Qemalit dhe Presidenti do të ketë një fjalë, kushtuar 100 vjetorit të shpalljes së pavarësisë në Vlorë, në një miting të madh.

Më pas, festa spostohet në Tiranë me ngritjen e flamurit dhe vendosjen e kurorave tek varrezat e Dëshmorëve të Kombit. Nuk duhet të harrojmë se jo vetëm këtë vit, por çdo vit dhe çdo kohë, nderimi iu përket të gjithë atyre që kanë rënë për flamur dhe liri, si atyre që kanë rënë në betejat për pavarësi, ashtu dhe të rënëve në betejat për çlirim. Siç dihet pas shpalljes së pavarësisë, vendi ishte i pushtuar dhe janë me qindra e mijëra shqiptarë, ato që kanë sakrifikuar veten për çlirimin e Vlorës, Shkodrës, Kukësit, Tropojës, të Peshkopisë, e të mbarë trojeve shqiptare. Shqiptarët nuk mund të harrojnë ditën kur flamuri ngrihej në Vlorë dhe pushtuesit arritën në Durrës, jo nga deti, por nga toka. Më pas, gjatë Luftës së Dytë Botërore mijëra vajza dhe djem ranë gjatë kësaj periudhe, apo dhe qindra anëtarë të policisë që kanë rënë për tu bërë të pavdekshëm. Kujtojmë këtu Feti Voglin që ra në Afganistan, apo dhe shumë të tjerë. Kështu që, kjo është një ditë e nderimit të të rënëve të kombit dhe çdo koment është i gabuar. Ata do të nderohen dhe kur themi të rënët e kombit, nderohen të gjithë të rënët, kudo që ata kanë rënë.

Më pas do të inaugurohet monumenti i Pavarësisë. Një konkurs ndërkombëtar u hap për të. Juria kishte shumë variante, por ata përzgjodhën një variant bashkëkohor, një variant i cili i shëmbëllente një libri. Njerëzit mund ta dëshirojnë të formave të ndryshme, por nuk ka njeri që nuk e do librin dhe aty do të jenë të gdhendura me lazer emrat e baballarëve të pavarësisë me në krye Ismail Qemalin, pra një monument jo nga ata që jemi mësuar të shohim deri më sot, por të një lloji të veçantë dhe unë i përgëzoj ata që kanë përzgjedhur.

Do të ketë dreka zyrtare, darka zyrtare, por zoti ministër i bujqësisë duhet të marrë të gjitha masat për të përzgjedhur njëmijë desh dhe njëmijë qengja dhe natyrisht, ushqime të tjera e pije. Bashkia e Tiranës ka filluar punën për tortën në Guiness, që do të jetë 4 tonë, çka do të bëjë që ata, që mendojnë të shëtisin atë ditë në rrugën “Murat Toptani”, do ta kenë të pamundur. Ndaj të përcaktohen vendet për njerëzit, pasi do të jenë të shumtë ata, që do të kenë dëshirë të ndjekin aktivitetet. Ajo do të jetë një ditë që ofron të gjitha mundësitë. Ju gazetarët e shihni me habi pasjen e deshve, por ju garantoj se nuk është origjinale. Kjo është një praktikë ndjekur edhe nga lartësitë më të mëdha shtetërore. Urojmë që të mos ketë shi atë ditë, por edhe nëse bie shi, të mos harrojmë se edhe 100 vjet më parë ishte ditë me shi, ndaj të mos ankohemi. Ne po festojmë ditën më të rëndësishme të këtij një shekulli, me qëllim urimin më të madh e më të mirë për 100 vitet që vijnë. Shqipëria po lë pas 100 vite pavarësi dhe ne patëm shansin të jemi dëshmitarë të kapërcyellit të shekujve. Për ne, të përjetojmë kapërcyellin tjetër të shekujve, edhe në qoftë se shkenca me antioksidantë mund të krijojë një mundësi të re, shanset janë jo shumë reale.

KOMENTE