English

Burgaj-Costa. Bashkëpunimi i policisë së shtetit me DCAF, në nivel të kënaqshëm

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit Z. Hysni Burgaj, ditën e djeshme zhvilloi një takim pune me Z. Paolo Costa, Drejtuesin e Pogramit të Policisë pranë DCAF –it, Qendra për Kontrollin Demokratik të Forcave të Armatosura, me seli në Gjenevë Zvicër.

Në qendër të takimit të zhvilluar ndërmjet Z. Burgaj dhe Z. Costa, ishte bashkëpunimi shumë i mirë i deritanishëm ndërmjet strukturave të Policisë së Shtetit dhe DCAF-it, si dhe mbështetja e vazhdueshme dhënë nga DCAF-i si në drejtim të kontrollit dhe menaxhimit të kufirit, ashtu dhe për fuqizimin e bashkëpunimit ndërmjet strukturave të policisë kufitare të vendeve të rajonit.

Gjatë bisedës së zhvilluar Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit falenderoi Z. Costa për mbështetjen që DCAF-i ka dhënë për Policinë e Shtetit gjatë projekteve të implementuara për fuqizimin e sigurisë së kufijve në të gjitha vendet e rajonit të Ballkanit Perëndimor, duke evidentuar dhe disa prej drejtimeve ku është implementuar ky bashkëpunim si: reforma legjislative e strukturore e Policisë Kufitare dhe Migracionit, mbështetja logjistike, ngritja e sistemeve të survejimit të kufirit blu dhe të gjelbër, krijimi i programeve e strukturave trajnuese, krijimi i kapaciteteve të analizës së riskut dhe investigimit, si dhe trajnimet për gjuhen angleze.

Po ashtu Z.Burgaj evidentoi dhe arritjet mjaft pozitive të Policisë së Shtetit në goditjen e të gjitha llojeve të trafiqeve të paligjshme, e veçanërisht të trafikut të drogës, të cilat kanë ardhur si rezultat i profesionalizmit gjithnjë në rritje të strukturave të policisë, si dhe pajisjeve që këto struktura tashmë kanë në përdorim falë dhe mbështetjes së DCAF-it.

Ndërkohë Z. Costa në fjalën e tij garantoi mbështetjen e DCAF-it për Policinë Shqiptare në kuadër të projekteve që po implementohen dhe do të implementohen në të ardhmen në rajonin e Ballkanit Perëndimor.

Në fokus të projekteve të DCAF-it, theksoi Z.Costa, është mbështetja e policive kufitare në implementimin e fushave të Konventës së Bashkëpunimit Policor mes vendeve të Europës Juglindore për të cilat Policitë Kufitare dhe Migracionit janë përgjegjëse duke u përqendruar në drejtim të rritjes së aftësive dhe kapaciteteve operacionale të vendeve të rajonit në parandalimin dhe luftën kundër krimit ndërkufitar, si dhe trajnimin e punonjësve të policisë kufitare të të gjitha niveleve.

Në përfundim të takimit Z. Burgaj dhe Z. Costa ndanë të njëjtin mendim se investimet në kuadër të këtyre projekteve dhe programeve janë shumë të rëndësishme si në fushën e legjislacionit, trajnimeve, mbështetjes logjistike dhe fuqizimit të bashkëpunimit rajonal, duke dhënë një kontribut të çmuar për sigurinë rajonale.

KOMENTE