English

“Beaujolais nouveau”, mbrëmje gala për 100 vjetorin e pavarësisë së Shqipërisë

Dje në mbrëmje, Kryeministri Berisha ishte i pranishëm në mbrëmjen gala “Beaujolais nouveau”, që Klubi i Francës në Shqipëri organizoi me rastin e 100 vjetorit të pavarësisë së Shqipërisë.

Gjatë mbrëmjes, ku ishin të pranishëm ambasadorja e Francës në Tiranë Stepfane Duperray, sipërmarrës, politikanë, përfaqësues të shoqërisë civile, medias etj. u prezantua edhe vera “Beaujolais” e prodhuar në Francë, me etiketë të veçantë me rastin e 100 vjetorit të pavarësisë.

Kryeministri Berisha, në një përshëndetje të shkurtër, falënderoi për këtë iniciativë të Klubit Francez në Shqipëri, në kontekstin e 100 vjetorit të pavarësisë së saj.

“Dua t’ju falënderoj e t’ju përshëndes që keni organizuar pritjen e madhe të verës “Beaujolais nouveau” në Shqipëri, në 100 vjetorin e pavarësisë së saj. Pasi sollët në Shqipëri fotot e jashtëzakonshme të Shqipërisë së vjetër, të pabotuara, të muzeu “Albert Kahn”, sollët edhe verën franceze, Francën e thellë dhe kjo është shenjë shumë e madhe miqësie dhe unë ju falenderoj për këtë.

Në fakt vera e Beaujolais nuk i përket familjeve të mëdha të verërave franceze, por nuk besoj se ka ndonjë të dashur të verës franceze të mos pranojë e të mos presë të provojë me padurim verën Beaujolais nouveau, verën e re. Këtu u tha se vera franceze ka frymëzuar artistë, muzikantë, letrarë jo vetëm në Francë, por në të gjithë botën. Ju siguroj se, nëse muza do të kishte një emër, ajo do të quhej verë. Është një mbrëmje e shkëlqyer dhe unë ju ftoj të gjithëve ta shijoni e gëzoni atë.”

KOMENTE