English

Ahmet Zogu ishte mbret, hero apo tradhëtar i shqiptarëve

Qeveria Shqiptare pati kërkuar, edhe ia arriti t'i kthejë në atdhe eshtrat e mbretit Leka Zogu I në prag të 100 vjetorit të krijimit të shtetit shqiptar.

Dikush foli për ditë historike, dikush nuk mori pjesë fare në ceremoninë e rivarrimit të eshtrave të mbretit Ahmet Zogu.
Shqiptarët i gjeti edhe kjo "ditë historike" të ndarë në dy grupe:

Presidenti i Shqipërisë, Bujar Nishani ka thënë se Zogu është figura më e rëndësishme në historinë njëqindvjeçare të shtetit.

I pari dhe i vetmi Mbret i Shqipërisë Shtet është Ahmet Zogu, eshtrat e të cilit po i rivarrosim sot.

Për një periudhë kohe nga 1 shtatori 1928 e deri në 9 prill 1939 Shqipëria pati një mbret që ishte nje Mbret real, Mbret i Shqipërisë të porsa dalë nga Mesjeta. Mbret i një Shqipërie dhe shqiptarësh të cilët aspironin, por nuk kishin vetdije politike, shoqërore, qytetare, rend, dhe praktikisht asnjë infrastrukturë. Mbreti ynë shtetin e bëri vetë, ka thënë Nishani.

Edhe Presidentja e Kosoves foli për mbretin Leka Zogu I, por ajo si duket kishte harruar të lexonte një leter "amaneti" të dërguar nga deputeti i socjalisteve Taulant Balla:
"Përpara se të bësh një gjë të tillë unë, si një qytetar i thjeshtë shqiptar, jo si politikan, as si deputet, unë sot dua të të sugjeroj që si një Presidente e një republike shqiptare, si një kryetare shteti, përpara se të përulesh para Ahmet Zogut, duhet t’i kërkosh leje Hasan Prishtinës, Bajram Currit, Avni Rustemit apo edhe priftit Gjon Gazulli.

Që të jem më i qartë, duhet të sqarosh pozicionin Tënd zonja Presidente e Republikës së Kosovës mbi jetën dhe veprën e Hasan Prishtinës, Bajram Currit, Avni Rustemit.

Meqenësë të gjithë shqiptarët i njohin të tre këta kalorës të shqiptarizmit, më lejoni t’ju informoj se i këtërti prifti Gjon Gazulli është edhe ai një emër i nderuar, që vinte nga një familje patriote mirditore, por që zogistët e varën në litar". përfundon mesazhi i letrës së deputetit Balla.

Por rikthimi i eshtrave të Ahmet Zogut, mbretit të shqiptarëve, dhe “odat” që u thurën për të, nga politikanët në Shqipëri e Kosovë, kanë ngjallur reagime dhe dilema rreth asaj, nëse mbreti Zog ishte hero, apo tradhtar i shqiptarëve.

Historianët dhe politikanët në Kosovë, mbretit Zog nuk i japin asnjërin epitet, duke e mbajtur mes politikanit që krijoi Shqipërinë moderne dhe satrapit që vrau patriotët dhe bëri aleancë me Serbinë.

Njohës të fushës së historisë e komentojnë po thuajse në mënyra të njëjta çështjen e mbretit Zog. Nënkryetari i lëvizjes Vetëvendosje, Glauk Konjufca, ka thënë se çdo figurë politike e cila ka udhëhequr me kombin shqiptar, është shumëfaqësh.

“Prandaj, secila i ka anët e tyre pozitive dhe negative, të cilat, para së gjithash duhet të vlerësohen prej institucioneve kompetente shkencore dhe akademike”, tha ai.

Kurse, historiani Jusuf Buxhovi, Zogut nuk i jep epitetin, as të heroit e as të tradhtarit.

“Edhe pse për rrethana të njohura (distanca kohore, mosnjohja e fakteve meritore dhe klishetë ideologjike), historia ende nuk ka dhënë një vlerësim të plotë dhe objektiv për Zogun, megjithatë, mund të thuhet se ai ishte një politikan dhe burrështetas pragmatik dhe tejet i shkathët, që veproi në përputhje me logjikën shtetërore”, thotë Buxhovi.

Zogu, sipas tij, ishte i detyruar të pranojë vendimet e Konferencës së Paqes prej nga doli një gjysmë Shqipërie, e cila në radhë të parë, siç tha Buxhovi, duhej të pajtohej me fatin e humbjes së gjysmës së territoreve etnike (Kosovës dhe Çamërisë), realitet politik ky që e detyronte të lidhte konventa ndërshtetërore me shkaktarët kryesorë të tragjedisë shqiptare (Jugosllavinë dhe Greqinë).

Duke u mbështetur mbi parimin e logjikës shtetërore, e cila përjashtonte interesat e pjesëve të shkëputura të etnisë shqiptare, të cilat kishin meritat më të mëdha për pavarësinë e shtetit shqiptar, si kryeministër e më vonë si mbret, Zogu, siç tha Buxhovi, u përqendrua që me diplomaci dhe lëvizje politike ta shkëpusë Shqipërinë nga çfarëdo ndikimi të Beogradit për ta afruar me Italinë.

“Dhe, duke u larguar nga Pashiqi, me të cilin ai kishte disa marrëveshje vasaliteti, ai iu kthye Italisë me bindjen se shpëtonte jo vetëm nga kthetrat jugosllave në kurthin e të cilave kishte hyrë vetë nga marrëveshjet që i kishin ndihmuar të rikthehej në pushtet pas ngjarjeve të qershorit të vitit 1924, por kështu krijonte rrethanat që shteti shqiptar t’i afrohej botës perëndimore, ku ajo mund të prosperonte dhe njëherësh të kthehej në një interes të saj, gjë që në një të ardhme krijonte rrethana për mbrojtjen e etnive të shkëputura shqiptare”, ka thënë ai.

Historiani kosovar thotë se Zogu, krahas dhunës politike dhe hakmarrjes që përdori ndaj kundërshtarëve politikë, ai arriti ta konsolidojë shtetin shqiptar nga aspekti ekonomik, kulturor dhe ai i sigurisë.

“Ky zhvillim, që kryekreje kaloi nëpërmes Italisë dhe vënies së Shqipërisë nën mbikëqyrjen e saj, kishte edhe çmimin e vet, që do ta kthejë në viktimën e parë të fashizmit italian”, ka thënë ai. Sipas tij, Zogu dhe koha e tij, edhe më tutje pret një vlerësim objektiv historik, i cili assesi nuk mund të jetë përjashtues, e aq më pak i klisheve bardh-zi.

Edhe publicisti Shkëlzen Gashi konsideron se Ahmet Zogu nuk është as hero, as tradhtar. “Shqiptarët e Kosovës nuk janë shpërfillë vetëm prej Zogut, por edhe prej Enver Hoxhës dhe të tjerëve që kanë ardhur në pushtet në Shqipëri pas viteve 90-të, duke i përfshirë edhe udhëheqësit aktualë politikë atje”, ka thënë ai, duke i përmendur disa ngjarje të dëmshme që ia ka shkaktuar shqiptarëve mbreti Zog, siç është Lëvizja Kaçake.

Gashi tha se pushtetarët shqiptarë kanë pasur gjithmonë parasysh interesa personale, e rrallë ose kurrë interesa shtetërore. “Zogu nuk bën përjashtim prej kësaj”, ka thënë Gashi.

KOMENTE