English

Gjimnazi “Ismail Qemalit”, 50 vjet nga krijimi i tij

Për gjimnazistët e “Ismail Qemalit” në Tiranë, sot ka qenë një ditë e veçantë. Të gjithë sëbashku, nxënës, mësues, ish-mësues e mësuese, prindër dhe të ftuar kanë festuar së bashku 50 vjetorin e themelimit të kësaj shkollë. I pranishëm në këtë ceremoni të veçantë ishte edhe kryeministri Berisha, ministri i Arsimit Myqerem Tafaj, kryebashkiaku Lulzim Basha etj.

Pasi vizitoi ambientet e brendshme të shkollës, klasat, laboratorët e ndryshme dhe u njoh nga afër me metodat dixitale të mësimdhënies, Kryeministri u ndal edhe në këndet muzeale ku pa nga afër punimet, kostumet etj, që nxënësit e këtij gjimnazi kishin përgatitur me rastin e 50 vjetorit të themelimit të tij, që përkon edhe me 100 vjetorin e pavarsisë së Shqipërisë. Kryeministri Berisha u shpreh se te ky gjimnaz gjeti një nga shkollat më moderne që ka vizituar ndonjëherë.

Duke uruar 50 vjetorin e themelimit të kësaj shkolle, Kryeministri Berisha përshëndeti me përzemërsi të veçantë, ish-mësueset dhe ish-mësuesit e këtij gjimnazi, gjithashtu edhe mësuesen e cila, ka prerë shiritin e themelimit të këtij gjimnazi 50 vjet më parë dhe ndodhej sot mes tyre duke festuar këtë ditë të veçantë.

50 vjetori i themelimit të gjimnazit, “Ismail Qemali”, përkon me 100 vjetorin e pavarësisë së Shqipërisë, ndaj Kryeministri Berisha u shpreh se,- “gjimnazi juaj mban emrin e njërit prej burrave më të shquar të kombit shqiptarë të të gjitha kohërave. Mban emrin e babait të pavarësisë së Shqipërisë, burrit që 100 vite më parë do të ngrihej me një guxim mbinjerëzor, me një vizion të shkëlqyer, do të rendte nëpër Europë dhe më pas nga Durrësi në Vlorë, në udhëheqje të idealit kombëtarë të Shqiptarëve, pavarësimit të tyre pas shekujsh sundimi otoman. Mban emrin e Ismail Qemalit, këtij vizionari që bën krenarë çdo shqiptarë. Si shqiptarë, i detyrohemi këtij burri më shumë se kujtdo tjetër në historinë e tyre, por unë jam i sigurtë se, sikur të ishte sot midis nesh, ai do të ndihej krenare me te gjithë ismailsat, të cilët me mendjen, me punën me përkushtimin e tyre po bëjnë dhe kanë bërë realitet ëndrrën më të bukur të rilindësve tanë”.

Më pas Kryeministri Berisha vlerësoi standardet e larta të mësimdhënies dhe premtoi se investimet në fushën e arsimit do të jenë edhe me të mëdha në mënyrë që ky progres, këto arritje të mos njohin kufij, por të shtrihen në të gjitha shkollat e vendit. Së bashku me të ftuarit e tjerë, kryeministri ndoqi dhe programin artistik që nxënësit kishin përgatitur me rastin e kësaj dite të shënuar për ta.

KOMENTE