English

Miratohet kalendari i projektbuxhetit për vitin 2013

Është miratuar kalendari i shqyrtimit në komisione parlamentare dhe në seancë plenare i projektligjit “Për buxhetin e vitit 2013”.

Projektbuxheti për vitin 2013 u paraqit përpara Konferencës së Kryetarëve, në prani të kryetarëve të grupeve parlamentare dhe kryetarëve të komisioneve të përhershme nga Zëvendësministri i Financave, Nezir Haldeda.

Ky është buxheti i katërt që hartohet në kushtet e një krize ekonomike dhe financiare globale që ka nisur qysh prej vitit 2008. Në fjalën e tij përpara Konferencës së Kryetarëve, zoti Haldeda paraqiti shkurtimisht disa nga arritjet dhe realizimet e buxhetit të vitit 2012, duke nënvizuar se sipas vlerësimit të institucioneve financiare ndërkombëtare, Shqipëria ka treguar stabilitet makroekonomik duke mundur të shmangë në masë të konsiderueshme prekjen nga kriza.

Për vitin 2013, sipas zotit Haldeda, qeveria parashikon një rritje ekonomike prej 4%, ruajtjen e inflacionit në nivelin 3% dhe ruajtjen e nivelin të borxhit publik në 62,6%. Përsa i përket nivelit të importeve në vlerë nominale ato parashikohen në 6,4%, ndërsa eksportet në 25%.
Qeveria parashikon zbatimin e një politike fiskale me objektiv kryesor nxitjen e rritjes ekonomike. Investimet publike parashikohen të arrijnë në 5% të Prodhimit të Brendshëm Bruto si një nga instrumentet kryesore për realizimin e objektivit të rritjes ekonomike. Rritja e pagave dhe pensioneve që prek një pjesë të madhe të familjeve shqiptare dhe për rrjedhojë ka një impakt të konsiderueshëm në ekonomi, është një tjetër instrument, sipas zotit Haldeda, për arritjen e këtij objektivi.
Gjatë vitit të ardhshëm qeveria parashikon zbatimin e politikave tatimore lehtësuese për biznesin që synojnë krijimin e klimës së përshtatshme për investime. Shpenzimet buxhetore në total parashikohen në nivelin 409 miliardë lekë, ose 28,9% të PBB-së, ku shpenzimet kapitale parashikohen të arrijnë në nivelin 71,4 miliardë lekë ose 5% të PBB-së. Zëvendësministri i Financave theksoi se infrastruktura, arsimi, shëndetësia, mbrojtja, bujqësia dhe zhvillimi rural do të mbeten sektorë prioritarë të ekonomisë edhe gjatë vitit 2013.

Kalendari i miratuar me konsensus nga Konferenca e Kryetarëve parashikon shqyrtimin në seancë plenare në parim të projektligjit “Për buxhetin e vitit 2013” në datë 7 dhjetor 2012, ndërkohë që nen për nen dhe në tërësi do të shqyrtohet në datë 17 dhjetor.

KOMENTE