English

Berisha: Historia 100 vjeçare e shqiptarëve, ngjashmëri të madhe me Feniksin

Pas prerjes së tortës së Pavarësisë , ditën e djeshme kryeministri Berisha ka shtruar një drekë zyrtare për nder të 350 të ftuarve të huaj dhe nga vendi, të pranishëm në kremtimet për 28 nëntorin që shënon 100 vjetorin e pavarësisë së Shqipërisë.

Në drekë ishin të pranishëm Presidenti i Republikës, Kryetarja e Kuvendit, Presidentja, Kryetari i Kuvendit dhe Kryeministri i Kosovës, Presidenti i Malit të Zi, Kryeministri i Hungarisë dhe ai Kroacisë, Zëvendëskryeministrja e Maqedonisë, Zëvendëskancelari i Austrisë, Zëvendëskryeministri i Turqisë, Presidenti i PPE, si dhe ministra e zyrtarë të tjerë të lartë të një numri të madh shtetesh, përfaqësuesit e trupit diplomatik të akredituar në Tiranë, përfaqësues të komuniteteve fetare, politikanë, përfaqësues të medias, miq të shquar dhe me kontribut në zhvillimin e Shqipërisë ndër vite.

Në nisje të drekës, Kryeministri Berisha i falenderoi ata për pjesëmarrjen dhe shprehu mirënjohjen e thellë ndaj të gjitha vendeve e kombeve mike për mbështetjen dhe ndihmën që i kanë dhënë Shqipërisë.

Në përshëndetjen e tij ai ka theksuar: "Historia 100 vjeçare e shqiptarëve në një mënyrë apo në një tjetër riprodhon historinë tyre mijëravjeçare. Kushdo që vështron në këtë histori gjen një ngjashmëri të madhe me Feniksin. Në kohëra të shkuara, kombi shpesh herë është gjetur para alternativës të jetë apo të mos jetë dhe ndoshta të shumtë kanë qenë ata që kanë menduar se nuk do të mund të ishte më tutje, por ai është ngritur si Feniksi mbi hirin e tij, falë armëve të tij dhe ka mbijetuar. Në këtë shekull të vështirë, në të gjitha momentet, kombi im ka pasur mbështetjen e madhe të kombeve tuaja më të vjetra. Kjo është e vërtete në përpjekjet e tij për t’u çliruar nga pushtimet. Kjo është e vërtetë në përpjekjet e tij për të dalë nga diktatura. Kjo është e vërtetë për të ndërtuar lirinë, vlerat e saj në sistemin demokratik. Kjo është e vërtete për t’u çliruar nga të tjerët, në trojet e tij etnike. Kështu që ne takohemi dhe mblidhemi sot, këtu, me miq të mëdhenj dhe të vërtetë, që kanë kontribuar kaq shumë në lirinë e kombit tim, kanë mbështetur aspiratat e shqiptarëve për liri, dinjitet dhe integrim. Kjo mbështetje ka qenë e një rëndësie të jashtëzakonshme për anëtarësimin e Shqipërisë në NATO, për çlirimin e Kosovës, për përpjekjen e shqiptarëve për integrim Europian."

KOMENTE