English

Rama-Nishanit: ç’mund të presin nga Ju Shqipëria dhe shqiptarët 

Deklaratë e Kryetarit të Partisë Socialiste të Shqipërisë, Edi Rama


Zoti President,

Ju jeni përgjegjës për një zhvillim negativ të paprecedentë në historinë e institucionit që jeni ngarkuar të përfaqësoni pa i pasur, për fat të keq, jo vetëm meritat po as cilësitë e nevojshme. Në ditën e bekuar të 100 vjetorit të pavarësisë, Ju treguat se e vetmja atdhedashuri e mundur për Ju është partishmëria. Dhe jo një herë po dy!

Herën e parë, Ju fyet kryeqytetin e pavarësisë duke i kthyer Vlorës kurrizin dhe duke rendur drejt Tiranës pas kryetarit të partisë Suaj. Protokolli i këtij shteti që ka barrën t’Ju mbajë mbi krye, e përcakton qartë se Ju duhet të ofronit në Vlorë drekën zyrtare - siç kanë bërë tradicionalisht të gjithë paraardhësit Tuaj, të cilët edhe në drekën e djeshme ishin në krah të kryebashkiakut të Vlorës në respekt të traditës e të protokollit. Por Ju e shpërfillët Protokollin e Shtetit dhe ikët nga Vlora pa e kryer detyrën Tuaj si President i Republikës, si për të treguar në fakt se vendi i kreut të shtetit në Shqipëri ka mbetur bosh.

Herën e dytë, Ju fyet kryeqytetin e Shqipërisë dhe çdo shqiptar apo të huaj që në pritjen zyrtare të mbrëmjes së 28 nëntorit, erdhi me ftesën Tuaj po jo si anëtar i Partisë Demokratike, as si simpatizanti i saj apo i Juaji personalisht. Duke ardhur në pritjen e organizuar prej Jush, edhe unë si shumë të tjerë respektova traditën solemne të mbrëmjes së 28 nëntorit dhe institucionin e Presidentit të Republikës. Por fatkeqësisht Ju nuk bëtë të njëjtën gjë.

Protokolli i këtij shteti që ka barrën t’Ju ketë mbi krye po edhe tradita e mbrëmjes, e përcaktojnë qartë se Ju duhet të ishit mbrëmë në Pallatin e Brigadave mikpritësi dhe folësi i vetëm që u adresohet të ftuarve - siç kanë qenë tradicionalisht të vetmit mikpritës e folës në këtë rast të gjithë paraardhësit Tuaj. Por Ju s’e bëtë as detyrën e mikpritësit dhe as atë të kreut të shtetit të të gjithë shqiptarëve. I latë të ftuarit t'Ju prisnin më shumë se një orë në këmbë, pa patur as kujdesin t’u paraqisnit paraprakisht përmes protokollit Tuaj një ndjesë të thjeshtë formale, me një arsye çfarëdo për vonesën. Pastaj e shkelët fare kur i’a latë foltoren ekskluzive të kreut të shtetit shqiptar një zotërie pa lidhje, ose më saktë një të huaji që ka lidhje vetëm me Partinë Demokratike. Ky shpërdorim i paprecedentë i foltores së kreut të shtetit për recitime të miqve të huaj të partisë Suaj, ishte si shpallje publike ceremoniale e dorëzimit të institucionit të Presidentit të Republikës së Shqipërisë në duart e partisë në pushtet.

Ju dje zoti Nishani na dhatë formalisht provën e drejtësisë së vendimit tonë, për të mos Ju votuar si President të Republikës për shkak se ishit dhe mbeteni tërësisht i papërshtatshëm për detyrën e lartë. Fakti që Ju s’jeni në gjendje të silleni si kryetar i këtij shteti as për qoka, flet vetë se ç’mund të presin nga Ju Shqipëria dhe shqiptarët në përmbushje të nevojës alarmante për shtet, për kushtetutshmëri e ligjshmëri, për institucione të pavarura e për zgjedhje të lira e të ndershme.

 
Me keqardhje

Kryetari i Partisë Socialiste

KOMENTE