English

Familja Basha ndez pemën e Vitit të Ri së bashku me fëmijët kryeqytetas

Kryetari i Bashkisë së Tiranës Lulzim Basha, së bashku me bashkëshorten e tij Aurela dhe vajzën Dafina i janë bashkuar dhjetëra fëmijëve të kryeqytetit, në ceremoninë e ndezjes së pemës së Vitit të Ri. Për të dytin vit radhazi, Kreu i Bashkisë ka përzgjedhur ndezjen e pemës, si shenjë simbolike të nisjes së festimeve në qytetin e Tiranës, e cila këtë vit ka pemën më të lartë të vendosur ndonjëherë, 22 metra.

“Ndezja e pemës së Vitit të Ri sjell gëzim në çdo familje, ndaj ne vendosëm që këtë vit, që është një vit i veçantë për qytetin tonë dhe për të gjithë shqiptarët, është 100 vjetori i Pavarësisë të vendit, t’i dhurojmë familjes sonë të madhe, Tiranës, pemën më të madhe që ka qëndruar ndonjëherë këtu, 22 metra. Ndezja e dritave të pemës sjell gëzim dhe po kështu sjell shpresë dhe besim në të gjithë familjet, për një vit të ri më të mirë se ky që po lemë pas.

Përveç përpjekjeve tona të përditshme, për të përmirësuar jetën e banorëve të Tiranës, duam që këtë sezon festash, t’u ofrojmë qytetarëve të Tiranës, të vegjël, të mëdhenj apo të moshuar anembanë qytetit, një atmosferë sa më festive, ndaj edhe dekorimet këtë vit janë të shpërndara anembanë qytetit. Përveç bredhave të vendosur në qendër të Tiranës, kemi dhe 5 të tjerë që vendosen në pjesë të ndryshme të qytetit. Përveç dekorit, qytetarëve të të gjithë grup-moshave e veçanërisht fëmijëve do u ofrohen edhe shumë e shumë aktivitete” – u shpreh Kryebashkiaku Basha.

Përveç bulevardit “Dëshmorët e Kombit” e sheshit “Skënderbej”, dekori i festave të fund - vitit është shtrirë edhe në rrugën e “Durrësit”, rrugën e “Elbasanit”, rrugën e “Kavajës”, rrugën e “Dibrës” dhe bulevardin “Zogu i Parë”. 1500 shtylla në të gjithë qytetin do të vishen me dekorin e dritave, ku pjesa më e madhe aktualisht kanë përfunduar. Kryetari i Bashkisë së Tiranës ka shprehur bindjen se gjatë vitit 2013, shumë projekte të rëndësishme që do të përmirësojnë cilësinë e jetës do të nisin apo përfundojnë në qytet.

“Po lemë pas një vit të rëndësishëm e me zhvillime të mëdha për qytetin tonë dhe po i afrohemi vitit 2013, plot optimizëm dhe besim për planin tonë për të ardhmen e qytetit. Viti 2013 do të jetë një vit akoma më i rëndësishëm, në realizimin e projektit tonë, që do të ndryshojnë cilësinë e jetës së qytetarëve të Tiranës dhe për ta çuar qytetin një hap më afër ëndrrës sonë, për një Tiranë moderne dhe evropiane” – u shpreh Kreu i Bashkisë Lulzim Basha.

KOMENTE