English

Roi, fëmija i parë që lind për 2013-ën. Berisha i dhuron monedhën e argjendtë

Kryeministri Berisha dhe zonja Liri Berisha kanë vizituar paraditen e 1 janarit 2013 maternitetin "Mbretëresha Gardaldinë " në kryeqytet për të uruar Roin, një nga fëmijët e parë që erdhi në jetë pas ndërrimit të viteve. Roi, djali i parë i dy prindërve të rinj, Amardës dhe Ervisit gëzonte shëndet të plotë. Kryeministri Berisha në mënyrë simbolike i dhuroi Roit monedhën e argjendtë të prodhuar nga Banka e Shqipërisë me rastin e 100 vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë, monedhë e cila në njërën anë të saj ka të stampuar shqiponjën dhe në anën tjetër deklaratën e pavarësisë dhe firmat e etërve të saj. Qëllimi i kësaj dhurate, - u shpreh kryeministri -, ishte që Roi në 200 vjetorin e Pavarësisë së Shqipërisë, t’jua tregojë të gjithë miqve dhe të marrë një të tillë për shekullin që vjen.

Nga materniteti " Mbretëresha Geraldinë" kryeministri Berisha përcolli një urim dhe falenderim. Edhe për të gjithë punonjësit e spitaleve, materniteteve, punonjësit e shërbimit policor dhe të shërbimeve të tjera, të cilët kanë qëndruar mbrëmë në krye të detyrës. Një përshëndetje të veçantë ai u drejtori edhe ushtarëve tanë në Afganistan dhe në të gjitha zonat e këtij vendi ku ata ndodhen.

Kryeministri Berisha pasi i uroi nënës së re dhe foshnjës së saj jetë të gjatë, fat, shëndet e lumturi u shpreh:

“Tashmë në traditën e konsoliduar të urimit për Vitin e Ri nga oborri i këtij materniteti, në një çast emocionues, urova djalin e dy prindërve, Amardës dhe Ervisit, fëmija i tyre i parë. Një bebe shumë e bukur, ndërsa prindërit po fluturonin nga gëzimi. Unë së pari do t’ju uroj Roit, Amardës, Ervisit, një vit plot shëndet, gëzime, mbarësi, një vit në të cilin ata të realizojnë ëndrrat e tyre më të bukura.

Ata e nisin vitin me një ëndërr kryevepër të realizuar, me Roin. I uroj Roit një jetë të gjatë, të lumtur, të suksesshme. Dhurata ime modeste për Roin ishte një monedhë argjendi, në të cilën është e shkruajtur deklarata e pavarësisë dhe janë firmat e etërve të pavarësisë. Qëllimi ishte që Roi në 200 vjetorin e Pavarësisë së Shqipërisë, t’jua tregojë të gjithë miqve dhe të marrë një të tillë për shekullin që vjen.

Unë jam këtu për të falenderuar të gjithë punonjësit e spitaleve, materniteteve, punonjësit e shërbimit policor dhe të shërbimeve të tjera, të cilët kanë qëndruar mbrëmë në krye të detyrës. Një përshëndetje të veçantë dua t’ju jap ushtarëve tanë në Afganistan dhe në të gjitha zonat e këtij vendi ku ata ndodhen, ti garantoj se mendja dhe mendimi ynë është gjithnjë me ta. Urimi ynë është për ta.

Dua të uroj sot të gjithë shqiptarëve një vit të mbarë, një vit në të cilin ata të realizojnë qëllimet e tyre më të mira, më fisnike. Dua t’ju uroj që këtë vit çdo shqiptarë të kontribuojë në projektin më madhështor të këtij shekulli, të bashkohemi njëri me tjetrin , të bashkohemi me Europën. Procesi i bashkimit të shqiptarëve njëri me tjetrin është proces i pandalshëm, është proces në të cilin çdo qytetar shqiptarë, kudo që ndodhet në trojet etnike shqiptare, ka mundësi të vendosë një gur, ka mundësi të vendosë një tullë, ka mundësi të japë një kontribut drejt tij. Ky proces që duhet të ecë paralelisht dhe krahas me procesin e integrimit Europian, janë të pandarë njëri me tjetrin, në qoftë se vështrojmë, shqiptarët do të mund të realizojnë qëllimet e tyre me fisnike vetëm në kuadrin e integrimit të tyre në familjen e madhe Europiane.

Ndaj dhe le të jetë viti 2013, viti në të cilin ne të firmosim për horizontin e ri që duhet të arrijmë me 23 qershor, natyrisht duke shkërmoqur me votën tonë të lirë, murin e bllokimit si një atavizëm e një kohe që nuk do të mund të kthehet kurrë më. Këtë vit shqiptarët kanë mundësi të dëshmojnë edhe njëherë me zgjedhje të lira dhe të ndershme, se janë me të vërtetë zotër, janë vendimmarrësit më kryesor të fatit të tyre të të ardhmes së tyre, të bashkuar njëri me tjetrin të bashkuar me Europën.

Pyetje: Socialistët e quajnë këtë vit si " Viti i ndryshimit" ?

Kryeministri Berisha: Në fakt, për fatin e keq ndryshimi ata i ka lënë tek thana, por edhe atyre ju uroj Vitin e Ri, sepse tjetër është problematika politike dhe tjetër është zemra dhe urimi . Ndryshimi është një shpejtësi në Shqipëri e pakrahasueshme me asnjë vend tjetër. Çfarë mund të presë ndonjë më shumë nga ky vend, i cili 20 vjet më parë ishte i famshëm vetëm për lajme të këqija, kur del sot në krye të Botës për shndërrimin e rritjes në mirëqenie, për shndërrimin e pasurisë në mirëqenie dhe pozicionohet nga vendet më kryesore. Në qofte se drejtësia sociale, në qoftë se krijimi i klasës së mesme është një nga qëllimet më madhore të sistemit, më njerëzore që ka njohur historia në Shqipërisë, kjo po ndodh me shpejtësinë më të madhe. Kështu që ata kanë mbetur atje ku thash.

Faleminderit. “

KOMENTE