English

Prodhimet “Made in Albania'' prezantohen në panairin më të madh në botë

Për herë të parë prodhimet “Made in Albania” janë prezantuar në panairin më të madh bujqësor. 10 kompani shqiptare kanë paraqitur për mijëra vizitorë verën shqiptare, frutat dhe perimet e përpunuara, bimët medicinale, nënproduktet e qumështit e shumë prodhime të tjera. Panairi më i njohur dhe i madh në botë, “International Green Week 2012” zhvillohet çdo vit në Berlin të Gjermanisë. Në stendën e Shqipërisë përveç arritjeve në bujqësi, blegtori e agropërpunim janë ekspozuar edhe shumë produkte të disa prej kompanive të suksesshme shqiptare që operojnë në këtë sektor. Në stendën e Shqipërisë vizitorët janë njohur nga afër më shifra, të dhëna, grafikë dhe informacione të shumta për situatën aktuale, historikun dhe të ardhmen e bujqësisë. Një veçori e këtij panairi ishte dhe pjesëmarrja e Kosovës me një stende të veçantë vendosur përkrah stendës së Shqipërisë. Që prej hapjes së “Green Week 2012” interesi i vizitorëve dhe pjesëmarrësve ka qenë i madh, pasi interesi për prodhimet dhe mundësitë për të qenë i pranishëm në Shqipëri ishte i jashtëzakonshëm. Stenda e Shqipërisë është vizituar jo vetëm nga konsumatorët gjermanë, por edhe nga investitorë të shumtë dhe përfaqësues të kompanive të ndryshme.

Në ndër të ftuarit specialë në “Green Week 2012” ishte dhe ministri i Bujqësisë, Ushqimit dhe Konsumatorit, z. Genc Ruli. Ministri shqiptar ka marrë pjesë në Samitin e Pestë të Ministrave të Bujqësisë, një ndër takimet më të mëdha botërore të ministrave të Bujqësisë, pasi aty ishin të pranishëm mbi 80 ministra bujqësie. Tema kryesore e Forumit Global për Ushqimin dhe Bujqësinë ishte “Investimet e përgjegjshme në sektorët e ushqimit dhe bujqësisë – faktor kyç për sigurimin e ushqimit dhe zhvillimin rural”.

Veç pjesëmarrjes dhe diskutimeve në këtë forum, ministri Genc Ruli ka kryer shumë takime me homologët si dhe me sipërmarrësit e interesuar për të investuar në Shqipëri, apo dhe për të eksportuar e përpunuar prodhimet “Made in Albania”.

International Green Week

I zhvilluar për herë të parë në 1926, International Green Week ka kryer së fundmi panairin e 78-të të këtij lloji. International Green Week është i vetmi panair ndërkombëtar i industrisë së ushqimit, bujqësisë dhe hortikulturës. Ky panair është shërben si një ndër pikat e referimit dhe vlerësimit për shumë prodhues, tregje dhe tregtarë. Shumë prej trendeve të konsumatorëve dhe të dhënave statistikore prezantohen në forumet që organizohen gjatë këtij panairi. “International Green Week 2013” u zhvillua në datat 18 – 27 janar.

KOMENTE