English

Rama: efektivat e Policisë së Shtetit janë të tradhtuar, të abuzuar dhe të rrënuar

Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama ka shprehur dje shqetësimin e opozitës lidhur me situatën e përkeqësuar të rendit dhe sigurisë publike në vend, e shprehur edhe me humbjen e jetës së një tjetër oficeri të lartë të policisë. Gjatë një konference për shtyp Rama është shprehur se aktualisht 72% e shqiptarëve mendojnë se gjendja e sigurisë në vend është e keqe dhe shumë e keqe, çka përbën edhe shifrën më të lartë në gjithë historinë e tranzicionit shqiptar, pas vitit ’97. Kreu i PS-së ka akuzuar kupolën e Ministrisë së Brendshme dhe Policisë së Shtetit për inkriminim dhe e paaftësi, çka ka bërë që efektivat e Policisë së Shtetit të jenë të tradhtuar, të abuzuar dhe të rrënuar. Sipas tij, struktura e Drejtorisë së Përgjithshme vitet e fundit është fryrë mbi dyfish me militantë gjithfarë, që kanë marrë nga një gradë në kundërshtim me ligjin.

Për kryesocialistin, programi i PS për rimëkëmbjen e Policisë së Shtetit do të sjellë ndryshime rrënjësore për forcat e rendit, duke u kthyer qytetarëve sigurinë e humbur. Premtimi solemn i Edi Ramës ka qenë se 300 ditët e para të qeverisjes së socialistëve shqiptarët do të shikojnë me sytë e tyre një Polici të Shtetit që nuk e kanë parë asnjëherë. “Shqipëria do të ketë provën kuptimplotë se në qoftë se loja nuk shitet në kupolën e Ministrisë së Brendshme, skuadra e Policisë së Shtetit fiton në çdo ndeshje me krimin dhe me kriminelët”, ka deklaruar në mbyllje të fjalës së tij, kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama.

KOMENTE