English

Rama vizitë në familjet e policëve të rënë në krye të detyrës

Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, në kuadër javëve të rendit dhe sigurisë publike, si pjesë e diskutimit dhe prezantimit të programit për një Rilindje Shqiptare ka qenë dje në Kukës ku ka vizituar familjen e ish-punonjësit të policisë Shkëlzen Dobrusha, i rënë në krye të detyrës së bashkë me kolegun e tij Ramadan Hila, më 24 mars 2009 në fshatin Shën Mëri të rrethit të Kukësit. Kryesocialisti është takuar me prindërit, bashkëshorten dhe tre fëmijët e Shkëlzen Dobrushës, duke u njohur nga afër me hallet dhe problemet e tyre. Humbja e njeriut të tyre më të shtrenjtë është pasuar nga një tallje e hapur e institucioneve të shtetit, të cilët nuk kanë pranuar që t’i japin Shkëlzenit statusin e Dëshmorit të Atdheut, megjithëse ai është vrarë teksa ishte në detyrë, me uniformën e policisë. Familja është detyruar të hapë një çështje gjyqësore, për të drejtën e munguar, të cilën e ka fituar në shkallën e parë, por Ministria e Mbrojtjes, prej nga varet edhe Komisioni që jep këtë status, e ka dërguar çështjen ne Gjykatën e Apelit, duke zvarritur e duke lodhur edhe më shumë këtë familje.

“I kam bërë telegram Sali Berishës, që të më sqarojë punë pa më çuar në gjykatë dhe asnjë lloj përgjigje nuk kam marrë. Kam bërë kërkesë për t’u takuar me Arben Imamin, se ai është kryesori i komisionit për t’u shpallur dëshmor dhe nuk ka pranuar të më lërë takim. Unë nuk ju kërkoj asgjë tjetër. Vetëm statusin siç i takon edhe Shkëlzeni të prehet në varrezat e dëshmorëve. Nuk ju dua asnjë qindarkë, vetëm të drejtat që i takojnë”, shprehet bashkëshortja e Shkëlzen Dobrushës, e cila nuk e fsheh dot mërzinë që i ka shkaktuar vërdallisja nëpër zyrat e shtetit e deri në dyert e gjykatës, për një të drejtë që i takon me ligj. Në të njëjtën linjë është edhe Destani, i ati i policit të rënë në krye të detyrës: “Mua më lanë pa rregulluar edhe varrin e djalit, se më thanë do ta tërheqim e ta çojmë në varrezat e dëshmorëve dhe unë mbeta në pritje”. E kjo pritje nuk është aspak e lehtë për ta. Familjarët thonë se kanë vendosur të mos e ndjekin fare procesin gjyqësor në shkallën e dytë, pasi nuk kanë më as nerva dhe as mundësi financiare.

Nga ana e tij kreu i Partisë Socialiste, Edi Rama është shprehur i skandalizuar nga kjo situatë absurde e krijuar nga shteti, i cili duhet të kujdesej për familjet e policëve të vrarë në krye të detyrës. “Këtu ka një histori shumë të dhimbshme shumë vjeçare që sidomos vitet e fundit është rënduar shumë, që është historia e familjeve të policëve të vrarë në krye të detyrës. Shumica e grave janë të papuna. Janë familje me probleme strehimi. Janë familje me probleme psikologjike, të cilat rëndohen pastaj edhe artificialisht në situata si kjo kur një familje, një nënë më tre fëmijë, gruaja e një polici të vrarë në krye të detyrës, shkon troket dyerve të shtetit dhe nuk i hapet asnjë derë. Shkon në gjyq, për të marrë statusin e Dëshmorit për emrin e babait të fëmijëve, e fiton në shkallën e parë dhe qeveria e çon në apel për ta kundërshtuar. Ky është një cinizëm i jashtëzakonshëm”, është shprehur Edi Rama.

Kryesocialisti më tej ka shpalosur angazhimin e PS, se me të ardhur në pushtet, të gjithë policët e rënë në krye të detyrës do të trajtohen njësoj, duke u shpallur dëshmorë, ndërkohë që shteti do të kujdeset për punësimin e familjarëve të tyre dhe mirërritjen e fëmijëve. “As mos e dyshoni qoftë edhe për një çast që pas 23 qershorit ai do të jetë dëshmor, por nuk është problemi vetëm këtu. Ne duhet të merremi seriozisht me të gjitha familjet e policëve të rënë në krye të detyrës, për të garantuar strehimin, për të garantuar punësimin e gjithë grave të policëve të vrarë. Të jetë një angazhim i shtetit dhe padyshim për t’i ndjekur në proces gjithë fëmijët. Pasi, kush është babai i këtyre fëmijëve, në qoftë se nuk është shteti në këtë rast, i cili nuk ua zëvendëson dot babain, por të paktën nuk lejon që ai boshllëk i madh të mos zmadhohet për shkak të padrejtësive, pasigurive, varfërisë dhe situatave të tjera dramatike”, ka theksuar kreu i PS gjatë vizitës në familjen Dobrusha.

KOMENTE