English

Presidenti Nishani: Takimi Jahjaga-Nikoliç, hap i rëndësishëm në drejtimin e duhur

Presidenti i Republikës, Bujar Nishani përshëndet takimin e nivelit të lartë midis Presidentes së Kosovës, Ahtifete Jahjaga dhe Presidentit të Serbisë, Tomislav Nikolić që zhvillohet në Bruksel me ndërmjetësimin e Përfaqësueses së lartë të Bashkimit Evropian për politikën e jashtme dhe Zëvendëspresidentes së Komisionit Evropian, Baroneshës Catherine Ashton, dhe e konsideron një hap të rëndësishëm në drejtimin e duhur, i cili do t`i shërbejë normalizimit të marrëdhënieve midis dy vendeve.

Ndonëse simbolik, ky takim përbën një mesazh të fuqishëm në mbështetje të një dialogu konstruktiv dhe efikas ndërmjet Kosovës dhe Serbisë me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian dhe me mbështetjen e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, i cili udhëhiqet nga kryeministrat e qeverive të dy shteteve.

Presidenti Nishani shpreh bindjen se vetëm fryma e dialogut, mirëkuptimit dhe bashkëpunimit mund t`i shërbejë zgjidhjes së problemeve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, ndërtimit të marrëdhënieve të fqinjësisë së mirë, stabilitetit në Kosovë dhe rajon dhe të ardhmes së përbashkët euro-atlantike të të dyja vendeve dhe të gjitha vendeve në Ballkanin Perëndimor.

KOMENTE